Djali i Sofia Zengo: Nëna ime pikturonte nën avujt e gatimit

Jul 8, 2015 | 10:00
SHPËRNDAJE

Sikur piktorja  Sofia Zengo Papadhimitri të kishte lënë ca shënime të sajat, qoftë edhe ca copa letre të shkruara aty-këtu, do të njihnim prej saj atë anë të artistes, për të cilën sot, në 100 vjetorin e lindjes, të dy djemtë, Jani dhe Evangjel Papadhimtri, nuk mund të na tregojnë dot. Do të njihnim mendimet, frikërat, po qoftë edhe përjetime fare të thjeshta të piktores, ndërsa i duhej të pikturonte nën avujt e gatimit në kuzhinë, për shkak të pamundësisë për të pasur një studio pune.

Autoportret i Sofia Zengo

Do të mësonim për luftën e saj të përditshme me aromën e terpentinës që, prej ambientit të mbyllur e të vogël, bëhej edhe më mbytëse. Do të kishte shkruar me siguri që bashkë me solucionin, astma i bëhej e papërballueshme. Fëmijët e saj mundeshin t’i kuptonin këto vetëm në mënyrë të pjesshme. E ëma nuk u ankohej. Fundja për çfarë?! Të pikturuarit ishte fryma, një farë aparati që i shëronte astmën, çfarë mund t’u thoshte?!

Jo se ata nuk ia vinin re mundimin fizik, por ishin mësuar me atë pamje. Ishin mësuar ta shihnin të ëmën gjithnjë përpara kavaletit, me penel në dorë. Edhe kur shkonin me pushime në plazh, ajo asnjëherë nuk u bashkohej në çadër. Ishte gjithnjë duke pikturuar. Në katalogun e botuar sot, në 100 vjetorin e lindjes së artistes, shohim peizazhe nga të gjitha anët e Shqipërisë. Që deti dhe liqeni zënë pjesën më të madhe të tyre tregon pikërisht këtë, që Sofia shfrytëzonte ato pak ditë pushimi me familjen për të punuar. Të njëjtën gjë ka bërë edhe motra e saj, Androniqi Zengo.

Jeta e tyre artistike ka ecur thuajse paralelisht duke nisur që nga vitet e shkollimit të lartë në Athinë, e deri tek ekspozita e parë e motrave që shkaktoi jo pak habi në Tiranë. Për të folur për ekspozitat e shkuara, por edhe për atë që do të çelet nesër në Galerinë Kombëtare të Arteve, me punët e paekspozuara më parë në karbon të Sofias, ka ardhur nga Kanadaja djali i saj i madh, Jani dhe nga Greqia, Evangjeli.

Të dy vëllezërit janë kujdesur gjithnjë që në përvjetorë të ndryshëm të lindjes së mamasë, të sjellin prej saj një botim o një katalog me punët e të cilit publiku nuk është njohur më parë. Jani, me prirje artistike që në moshë të vogël, u ka qëndruar më afër prindërve të tij, Sofias dhe babait skulptor Akile Papadhimitri. Shpesh i ka ndihmuar në pikturë, atëherë kur ata ia kërkonin. Prandaj edhe, kujtimet e tij janë më të gjalla se ato të të vëllait, Evangjelit. Disa prej tyre i ndan sot me ne. 

Skulptori Akile Papadhimitri me bashkëshorten Sofia dhe dy djemtë

Po e kujtoni nënën tuaj në vitin e 100 të lindjes së saj. Me këtë rast, po ekspozoni vizatime në karbon të Sofias që nuk ishin parë deri sot. Ku kanë qenë këto punë dhe a keni të tjera që nuk do të përfshihen në ekspozitë?

Vizatimet në karbon mamaja i ka realizuar kur ka qenë studente në Athinë. Këto punë janë të panjohura për publikun, madje deri vonë kanë qenë të panjohura edhe për ne, i kemi gjetur vetëm kohët e fundit. As ajo e as babai ynë nuk na kishin folur për to, i kanë mbajtur të fshehura. Babi ynë i ndau punët e nënës, ato që kishte, mes meje dhe tim vëllai. Në veprat që mori Evangjeli, ishin edhe disa nga vizatimet në karbon sepse në total ato kanë qenë 120. Sigurisht që kishin nevojë për restaurim, me këtë gjë u mor Evangjeli.

Po pjesa juaj e pikturave është e përfshirë?
Jo, unë jetoj në Kanada dhe punët janë atje. Për shkak të gjithë dokumentacioneve që duheshin për t’i sjellë, u bë praktikisht i pamundur transferimi. Të paktën për tani, më vonë ndoshta.

Në katalogun që keni botuar, krahas Sofias, flitet njësoj edhe për tezen tuaj, Androniqi Zengo…
Jo vetëm për nënën dhe për tezen, por për historikun e familjes Zengo, që prej vitit 1750. Për piktorin e parë të familjes sonë, Andon Zengon dhe për pesë brezat që kanë ardhur pas tij, gjyshin tonë Vangjel Zengon, emrin e të cilit e mban im vëlla e prej të cilit mësuan së pari nëna dhe tezja. 

Në prezantimin e katalogut ju dëgjova të thoshit se ruanit në kujtesë imazhe të nënës, ndërsa pikturonte në kuzhinë, nën avujt e gatimit… A ankohej ajo për mungesën e mundësive për të punuar? Nëse mund t’i konkretizoni këto imazhe të fëmijërisë, si ishin?
Unë kam qenë fare i vogël, 7 apo 8 vjeç, kur kujtoj këto pamje të nënës. Mundet të më jetë fiksuar për shkak të trishtimit që ndieja te mamaja. Ato vite i dëgjoja të flisnin për një kërkesë që i patën bërë Lidhjes së Shkrimtarëve që t’u jepte të dy motrave një studio për të punuar. Nuk po kërkonte secila nga një, por një për të dyja; nuk ua dhanë. Sidoqoftë ajo asnjëherë nuk e shprehu haptazi pakënaqësinë, asnjëherë nuk u ankua. Një imazh tjetër që kam prej saj e që sjell ndër mend shpesh është ai i pushimeve tona në plazh apo liqen. Nuk bashkohej thuajse asnjëherë me ne. Në mëngjes, ne shkonim në det, ajo qëndronte për të pikturuar. Kur ktheheshim pasdite e gjenim pikturën e saj të përfunduar. Sikur të kishte pasur mundësi të pikturonte gjithnjë në ambient të hapur, astma e saj e ngacmuar edhe nga terpentina, nuk do të rëndohej.

Sado që ju vetë keni qenë i angazhuar si në pikturë ashtu edhe në muzikë, nuk mendoj që keni pasur një perceptim të qartë në atë moshë për punët e nënës suaj. Kur ka qenë koha që jeni ndërgjegjësuar për vlerën e tyre dhe në një mënyrë jeni njohur ‘për herë të parë’ me nënën?
Jo, jam ndërgjegjësuar kohë më vonë, madje, përjetimin më të fortë, e kam pasur pikërisht në përfundim të punës për realizimin e këtij katalogu që sapo botuam. Kur i bëmë bashkë e renditëm të gjitha punët, njoha edhe madhështinë e mamasë.

Në katalog përfshihen edhe disa vizatime tuajat. A bënte Sofia me ju atë që dikur i ati pati bërë me atë vetë? A ju mësoi të pikturonit?
Sigurisht që mësimet e para i kam marrë prej saj. Më pas, në Lice, unë studioja për Violinë dhe Pikturë. Në vitin e fundit, nëna dhe babai më thanë se në cilën prej të dyjave doja të thellohesha më shumë. Ngase mendova se pikturën mund ta bëj edhe kur të kem një farë moshe, zgjodha violinën.

Fëmijëria dhe shkollimi i motrave Zengo në Athinë

Sofia lindi më 1915 në Korçë, në një familje të varfër me shumë fëmijë. Të ardhurat e tyre vareshin vetëm nga peneli i babait të saj, piktorit ikonograf, Vangjel Zengo Papajani. Ai studioi në Selanik për Ikonografi dhe u rikthye në Korçë, ku krijoi familje. Sofia u ka treguar djemve të saj për varfërinë ku kishin jetuar; shumë herë ishin ushqyer me bukë, me verë e pak sheqer. Në shkollë, Sofia kishte pasur rezultate shumë të mira, sidomos në matematikë.

Dallohej gjithashtu në vizatim, ku mësues kishte piktorin Vangjush Mio. Me gjithë kushtet e këqija ekonomike, Vangjeli arriti t’i shkollojë të bijat në shkollat më të mira të kohës. Dy prej vajzave të tij, Androniqi (vajza e dytë) dhe Sofia (e treta) u diplomuan në Akademinë e Arteve në Athinë. Në vitin 1935, Sofia filloi kursin përgatitor për t’u futur në Akademinë e Athinës. Motra, Androniqi, e cila sapo ishte diplomuar, bëri enkas një vit më tepër studime për Skulpturë, për t’i qëndruar afër së motrës. Veç të tjerash, Sofia kishte vesh shumë të mirë muzikor.

Në konvikt, kur kthehej me shoqet nga ndonjë operetë ose koncert, ajo riprodhonte meloditë duke i shoqëruar me tekste, me një besnikëri të çuditshme. Në vitin 1937 kur studionte në Akademi, në verë u kthye në Korçë dhe punoi me të atin në kishën e Shën Triadhës dhe kisha të tjera. Në vitin 1939 në pranverë, kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste dhe filluan provokimet në kufijtë me Greqinë, Androniqi ishte kthyer në Shqipëri. Megjithëse e vetme, Sofia, duke marrë parasysh kushtet, kërkoi që të bënte vitin e fundit të studimeve në muajt e verës dhe të diplomohej më parë se studentët e tjerë. Ashtu u bë, mori diplomën me rezultate maksimale dhe u kthye në Korçë, ku punoi së pari në Shkollën Femërore.

Në vitin 1942, Sofia mori pjesë në ekspozitën e piktorëve shqiptarë me një portret dhe po në këtë vit të dy motrat hapën një ekspozitë të përbashkët në Tiranë, e cila bëri përshtypje të jashtëzakonshme. Shtypi i kohës shkroi me habi e admirim për punët e dy motrave. Nga ana tjetër, ekspozita ishte si një shuplakë për mentalitetin që ekzistonte ndaj gruas atyre viteve.

Pasi u njoh e u martua me skulptorin Akile Papadhimitri në ’47, familja e tyre u rrit në ujëra të qeta, pa u ngacmuar o përfshirë nga zhurmat e komunizmit. Sofia ka marrë pjesë në ekspozitat më të rëndësishme të organizuara nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, si dhe dy herë në Bienalen e Aleksandrisë- Egjipt. Ajo ka 40 punime në Galerinë Kombëtare, në vaj dhe karbon. Në dimrin e vitit 1975, Sofia u sëmur rëndë nga kanceri në gjak dhe vdiq vetëm një vit më pas.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura