Djali i dy artistëve të njohur publikon foton e plagëve dhe dëshmon për dhunën e policisë: Ishim brenda në godinë kur filloi shembja. Policia me armë automatike….

May 19, 2020 | 16:45
SHPËRNDAJE

Dhuna deshmia, Eldon LuarasiEldon Luarasi, djali i dy artistëve të njohur Mihallaq dhe Edi Luarasi ka dëshmuar ditën e sotme për dhunën që u ushtrua ndaj tyre natën kur u shemb Teatri Kombëtar.

Në faqen e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit janë publikuar dhe fotot e dhunës ndaj aktivistëve, të cilët natën e kur u shemb Teatri janë shoqëruar me forcë në komisariatet e policisë.

Eldon Luarasi rrëfen se gjatë kohës që u sulmuan nga policia, ai dhe shumë artistë të tjerë janë futur brenda godinës për t’u mbrojtur, ndërkohë që ata ishin të izoluar brenda, fadroma ka ka nisur prishjen e ndërtesës së Teatrit.

“Pasojat e sjelljes shumë dinjitoze të policëve mbi armikun Eldon Luarasin. Kujtojmë që Eldoni është djali i dy artistëve ikonë të Teatrit Kombëtar, Mihallaq dhe Edi Luarasi.

Eldoni dëshmon: Në orën 4:30 të mëngjesit ishim të ulur në sheshin e teatrit kur befasisht u sulmuam nga një numër i madh forcash policore të Reneas të armatosur me armë automatike. Disa prej nesh u futën në brendësi të godinës së teatrit për t’u mbrojtur nga ky sulm.

Në errësirë të plotë u ngjitëm në katet e sipërme dhe u mbyllëm në një dhomë të katit të tretë. Aty ishim: Robert Budina, Mirela Karabina, Eldon Luarasi, Besjona Vidrica, Ervin Goci, Arnen Sula, Ergin Zaloshnja, Fatos Paçrami dhe dy të tjerë. Ndërkohë që po tentonim të lajmëronim me telefona miqtë tanë për çfarë po ndodhte, dëgjuam zhurmat e fillimit të shembjes së godinës ndërkohë që ishim ende brenda.

Nisëm të zbresim poshtë drejt derës kryesore të teatrit ndërkohë që u përballëm me një mori forcash policore të armatosura të cilët na dhunuan fizikisht dhe verbalisht duke na tërhequr zvarrë në errësirë drejt hyrjes së pasme të teatrit sepse në hyrjen kryesore kishte nisur shkatërrimi. Në shesh u përballëm me qindra forca policore që mes dhunimeve fizike e verbale na nxorrën jashtë perimetrit të teatrit”, thekson djali i dy artistëve të njohur, Edi dhe Mihallaq Luarasi./ Panorama.al

Eldon Luarasi

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura