Dixhitalitzohet Biblioteka dhe Fototeka e DPA-së, mbi 130 mijë fotografi dhe 12 mijë tituj të aksesueshme online!

Oct 21, 2020 | 20:42
SHPËRNDAJE

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka prezantuar sot Bibliotekën dhe Fototekën e digjitalizuar, që përbën një fond me mijëra tituj dhe fotografi, që vijnë më afër studiuesve dhe gjithkujt tjetër.

elva

Prezantimi u krye nga drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Dr. Ardit Bido dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në mjediset e Sallës së Studimit të DPA-së.

Po ashtu u prezantua gjithashtu dhe faqja e re e Katalogut online, e rinovuar në aspektin grafik dhe e pasuruar me përmbajtje dhe funksionalitet.

Këto sisteme elektronike do të sjellin lehtësi maksimale për studiuesit dhe të tjerët që kanë interes për librat dhe fotografitë që ruajmë.

Në fototekën online gjenden të gjitha fotografitë para vitit 1945 që ruhen në AQSH, e që tani janë vetëm një klikim larg në www.fototeka.arkiva.gov.al ku mund të blihen fotografitë me rezolucion të lartë, pa qenë nevoja për të qenë të pranishëm në sallat e studimit të DPA-së.

22

Sa i përket Bibliotekës, ajo për vite të tëra ka qenë një magazinë me libra, tha Drejtori i Përgjithshëm Dr. Ardit Bido, duke treguar se tashmë kjo pasuri është sistemuar dhe ka marrë formën e një biblioteke, ndërsa aplikimet për në sallën e studimit po ashtu kryhen online një ditë para.

Mjafton që të përcaktohen ato libra që studiuesi do të shohë, në mënyrë që Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave ta kthejmë në një One-Stop-Shop Albanologjik, në një vend ku studiuesi vjen, sheh librin që ai do, dokumentet që ai ka porositur, sheh dhe fotot që nuk mund t’i shohë në sallë por i sheh drejtpërdrejtë nga shtëpia. Në këtë mënyrë ne besojmë se ja kemi arritur që për studiuesin shërbimi të jetë shumë i lehtë, që e çojnë arkivin në shtëpinë e studiuesit, në telefonin e tij, në kompjuterin e tij, pa qenë nevoja që ai të vijë në sallën tonë të studimit”, u shpreh Dr. Bido.

elva 1

Në prezantimin e këtyre projekteve e pranishme ishte edhe ministrja e Kulturës, znj. Elva Margariti, e cila tha se kjo është një punë kolosale që po bëhet në gjithë Shqipërinë për digjitalizim e shërbimeve.

Më bëhet qejfi që sot jemi në Arkivin e Shtetit për ta bërë këtë, sepse ka qenë simbolika e një vendi të mbyllur, e një vendit të pa aksesushëm, e një hapësire kur të gjithë ne e dimë se sa e vëshirë ka qenë të gjendte një dorëshkrim apo studim, pa qasje politike. Gjatë gjithë diktaturës këto kanë qenë hapësira vërtetë të ngurta, ndërsa sot arrijmë në dimension komplet tjetër. Jo vetëm që janë të hapura, e studiuesit arrijnë të kenë më shumë mundësi, por mbi të gjitha dhe të rinjtë”, u shpreh ministrja Margariti.

Ky sistem online i mundëson gjithkujt që çdo gjë sa i përket Bibliotekës dhe Fototekës ta bëjë përmes sistemit online-it. Në fototekë të gjitha fotografitë janë të ndara sipas tematikave, ku gjenden rreth 130 mijë fotografi të Para Luftës së Dytë Botërore dhe përbën fototekën më të madhe në Shqipëri, pas asaj të Marubit.

Këtu mund të gjenden edhe fotografi të Institutit “Luce”, që shteti shqiptar i sekuestroi në vitin 1945 dhe një pjesë e tyre më nuk gjenden as në Itali. Fototeka do të pasurohet edhe më shumë me fotografitë e Vani Burdës dhe Thimi Racit, të cilat janë në proces dixhitalizimi.

Ndërsa Biblioteka online përmban mbi 12 mijë njësi si antikuar, librin shqip e të huaj dhe periodik dhe lexuesi nga sot mund të kërkojë në faqen www.biblioteka.arkiva.gov.al

© Panorama.al

Te lidhura