‘Divorci’ me PD, Ndoka: Nuk kemi pasur kërkesa ultimative, Basha na ‘mbylli derën’. Kaçaj: Do kandidoj në Lezhë

Apr 21, 2015 | 22:09
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Një ditë pas kalimit të kreut të Partisë Demokristiane Nard Ndoka në koalicionin e majtë, kryetari i Komunës së Shëngjinit Salvador Kaçaj, tha se i vetmi kusht që PDK nuk gjeti gjuhën e përbashkët me Partinë Demokratike, ishte kandidimi i tij në Bashkinë e Lezhës. “I vetmi kusht ishte Lezha që unë të isha një kandidat i përbashkët. Kjo na u premtua, por në minutën e fundit ndodhi ajo që edhe unë e kisha menduar. Ka patur komunikim si nga unë dhe nga kryetari i zotit Ndoka”,-deklaroi Kaçaj.

Salvator Kacaj

Sipas tij, pozicionimi i Partisë Demokratike nuk ka qenë i qartë. “Partia Demokristiane ka rreth 72 mijë vota në zgjedhjet e kaluara. U bë një marrëveshje me zotin Ndoka dhe mendoj se ka qenë zgjidhja më e mirë, sepse vetëm në zgjedhjet e fundit 5 mandate janë marrë nga demokristianët”,-deklaroi Salvator Kaçaj për televizionin “News24”, në emisionin “Studio e Hapur”.
Në intervistën e tij, Kaçaj tha se “do të kandidoj dhe do të marr votat e demokristianëve, të socialistëve, të gjitha votat që janë në Lezhë. Do të sjell një model tjetër, atë që kam bërë në Shëngjin”,-tha ai. Ndërsa shtoi se për këtë kandidaturë, procedurat kanë ditë që kanë përfunduar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

***
Kreu i demokristianëve, Nard Ndoka ka folur për marrëveshjen e arritur me Partinë Socialiste, duke thënë se PDK është zhgënjyer nga Partia Demokratike. Sipas Ndokës, kreu i PD, Basha i mbylli ‘derën’ e bashkëpunimit Partisë Demokristiane.

Nard Ndoka, kreu i PDK

“Do të bëj publik ‘divorcin’ me PD…Marrëveshja me PS, bashkëqeverisje në pushtet”, tha Ndoka.

Ndoka u shpreh se demokristianët kanë “qenë korrekt dhe nuk kemi pasur kërkesa ultimative, por frymë bashkëpunimi”.

“Pas 24 orësh PD i zhbëri këto vendime. Nga ana e PD, mungesë të theksuar serioziteti. Basha nuk zgjodhi të jetë lider i madh i opozitës, por vetëm lider i Partisë Demokratike…Jam takuar disa herë me Bashën në mënyrë formale dhe joformale. PS bashkëpunuese në zonat ku PDK ka peshë”, tha Ndoka.

Ditën e djeshme Ndoka bëri me dije Partia Demokristiane ka vendosur t’i bashkohet koalicionit të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 21 qershorit. Pas mbledhjes së kryesisë, kryetari i PDK-së, Nard Ndoka është shprehur se PD i ka mbyllur të gjitha dyert e bashkëpunimit, ndaj dhe kalimi në koalicionin qeverisës sipas tij ishte i detyrueshëm.

Bashkëpunimi me 40 partitë e koalicionit të majtë do të jetë si në daljen me kandidatë të përbashkët, në administrimin e votave, si dhe në administrimin e pushtetit pas votimeve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura