Divorci i Britanisë nga martesa europiane

Jun 28, 2016 | 11:26
SHPËRNDAJE

jonida droguJONIDA DROGU

Xhindi i skepticizmit ka dalë jashtë shishes europiane, e prodhuar kjo në sajë të rezultateve të referendumit të 24 qershorit në Britaninë e Madhe (BM). Në terma afatgjatë ky proces po prodhon psikozën e një të ardhmeje të pasigurt, pasi që zhvillimet e fundit u shtrinë në një rrafsh të paprecedentë nga ndryshimet që priteshin. Britania e Madhe është vendi i parë që largohet nga Bashkimi Europian që nga krijimi i tij.

Ky është një moment historik e me rëndësi kritike, ndërsa përballemi me pyetjen: Çfarë do të ndodhë më pas? A do të sjellë ky referendum pasoja të mëdha ekonomike si për BM, ashtu edhe për BE-në? Shumica e bizneseve dhe tregjeve britanike kanë votuar pro qëndrimit të Britanisë brenda Unionit Europian e tanimë duhet të përshtaten me realitetin e ri. Sigurisht, kur ndodhin ndryshime të tilla, (të ashtuquajtur “efekt të shokut”), ato lënë hapësirë për politika populiste dhe demagogji, por shpejt kthehet koha kur gjërat normalizohen e vjen momenti që duhet vepruar në përputhje me pozicionet e reja.

Ndërkohë që neni 50 i traktatit jep një periudhë 2-vjeçare për zgjidhjen e bashkimit, mbeten në pikëpyetje 2 opsione lidhur me marrëveshjet tashmë midis BM dhe BE-së. 1. A do të kalojë Britania e Madhe si çdo vend i tretë në negociatat ekonomike me BEnë? 2. A do të ketë BM marrëdhënie të një shteti preferencial lidhur me tregun europian?

Mund të paraqiten vështirësi të mëdha për procesin e negocimit me BM pas largimit, pasi që Europa duhet të transmetojë autoritet lidhur me anëtarësimet për të treguar se nuk është as aq e lehtë dhe as aq e lirë, vetëm kështu mund të parandalohet “efekti Domino”, që do të krijonte ky largim. Por, nga ana tjetër, ky referendum ishte pa dyshim një “Wake up call” për Bashkimin Europian, lidhur me një sërë politikash që duhet të rishikohen e ndërmerren në të ardhmen.

Banka Qendrore Europiane thotë se duhet bërë ç’është e mundur për të normalizuar tregjet që janë të shkundura nga zhvillimet e fundit. Rezultatet e reja paraqesin turbulencë në tregtinë globale pas referendumit, ç’ka solli rënien e menjëhershme të çmimeve të hidrokarbureve. Po kështu, edhe paundi arriti nivelin më të ulët që ka pasur ndonjëherë që nga 1985.

 

Sistemi ligjor i Britanisë gjithashtu pritet të përballet me implikime të thella ndryshimesh pas shkëputjes, të cilat përfshijnë rishikimin e rregulloreve që mbulojnë çdo gjë duke filluar që nga siguria e produktit e deri te jeta private dixhitale.

Mirëpo, nga ana tjetër, ekzekutivi do të ketë më shumë pushtet dhe ministrat do të kenë ekskluzivitet në proceset vendimmarrëse shumë herë më të lartë krahasuar me më parë. 52% e qytetarëve britanikë kërkuan në këtë referendum një shtet të pavarur, e natyrshëm lind pyetja: Si është e mundur që kemi këtë reagim elektoral, a ishte ky një mesazh proteste lidhur me politikat emigruese më shumë se sa për zhvillimet ekonomike (duket se spin doctors ndikuan mjaftueshëm në reagimin e elektoratit, që më së shumti u orientua në tezat e politikave migratore).

Tashmë Britania do të ketë kontroll më të madh mbi kufijtë se më parë e ky mund të shihet si sukses i parë i këtij referendumi. Ndërkohë, David Kamerun bëhet gati të dorëzojë detyrën për t’ia lërë një kryeministri që do të orientojë vendin në hapësirën e re jashtë Bashkimit Europian, pasi që nuk beson se mund të jetë më ai kapiteni që do të çojë BM në destinacionin e ri. Fitorja vendimtare nga fushata e “largimit” ekspozoi ndarjet e thella që lidhen me:

a) të rinjtë kundrejt të vjetërve,

b) urbaneve kundrejt ruralëve,

c) Skocisë kundër Anglisë.

Armiqësitë fluturuan shpejt drejt kryeministrit Kamerun, i cili mori vendimin për të thirrur referendumin e anëtarësimit në bllok, në mënyrë që të menaxhonte një rebelim në Partinë e tij Konservatore, e cila donte të dëmtonte trashëgiminë dhe legjitimitetin e tij.

Reagimi BE-së -Ky referendum ishte pa dyshim një sirenë alarmi për EU-në e për këtë arsye liderët europianë janë shprehur me shumë rezerva lidhur me rezultatet, nga ku 51.9% e votave ishin për largim e 48.1% për qëndrim në EU. Çka tregon se vetëm 3% e 33 milionë britanikëve që kanë votuar në këtë referendum kanë shkuar në anën tjetër. Janë përreth 43 vjet bashkëjetesë në një martesë thuajse të suksesshme me Bashkimin Europian, nga ku vagoni i Britanisë jo rrallëherë ka paraqitur pozicione skeptike.

Por duket se këtij skepticizmi të vazhdueshëm tanimë i ka ardhur fundi me shkëputjen njëherë e përgjithmonë nga treni europian, i cili nga ana tjetër do të përballet me drejtime jo të lehta politike në të ardhmen. Duke u bazuar në shprehjen e politologut të njohur Henri Kissinger se “asnjë vend nuk mund të jetë i vetëmjaftueshëm” mund të vlerësojmë se si aktor të vetëm në zhvillimet globale vështirë të krijohet potenciali i duhur, e zëri i vagonit BM mund të kthehet gati-gati i papërfillshëm. Referendumi ka ndryshuar brenda natës ekuilibrat e Unionit.

Gjermania tashmë pa Britaninë në EU është më e ekspozuar ndaj turbulencave ekonomike dhe pasigurive të së ardhmes. Qeverisja e tkurrur pa një nga aktorët kryesorë ka planifikuar që me liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë të zhvillojë një proces takimesh lidhur me pozicionet e reja gjeostrategjike pa BM. Ç’do të ndodhë me Britaninë, sa e pasigurt paraqitet e ardhmja e saj në eksperimentin e të qenit e pavarur në këtë sistem të varur global. Ekonomistët kanë parashikuar se një votë për të lënë Unionin mund të sjellë dëme të konsiderueshme për ekonominë britanike.

Efektet e para do të fillojnë të paraqiten me importet britanike, sigurisht më të shtrenjta dhe eksportet më të lira, e ndërkohë që ripozicionimi i BM mund të krijojë edhe forca të reja qendërsynuese gravitacionale në arenën ndërkombëtare. Demokracia na udhëheq të vlerësojmë vendimin e qytetarëve, por a bëjnë ata gjithmonë zgjedhjen e duhur?

“Ka gjithmonë një mister se si miliona individë/votues mbushin mendjet e tyre”, do të thoshte profesori i Kërkimit Sasior në UT, Aleksandër Kocani. E më tej, Timothy Ash, profesori i Politikave Europiane në Universitetin e Oksfordit tregon se “ky është misteri i demokracisë”. Por a do të sjellë ky hap në zhvillimet e mëtejshme ndërkombëtare një diskutim të ri lidhur me të ashtuquajturin identitet europian?

Dixhitalizimi, globalizimi, problemet mjedisore, ndryshimet migratore etj., shpeshherë kanë marrë zgjidhjet e duhura vetëm duke punuar së bashku në një Europë të bashkuar, po tani? Së fundmi, ky zhvillim i ri mund të krijojë hapësira të reja lidhur me politikat e zgjerimit në Bashkimin Europian, pasi që vitet e fundit jemi përballur me “Europe Fatigue” sindromën kronike të lodhjes europiane ndaj zgjerimit.

Tashmë duket se kandidatët potencialë kryesorë në listën e anëtarësimeve siç janë Ukrahina, Shqipëria dhe Serbia do të kenë shanse të mëdha për hapa të rinj, pasi që Europa mund të orientohet ndaj zgjerimit drejt Europës juglindore për të ruajtur tregjet nga mungesat që pasojnë me largimin e një aktori të rëndë- sishëm, siç ishte Britania e Madhe.

*Studiuese e marrëdhënieve ndërkombëtare

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura