“Ditët e Kujtesës”, Godole: Të rinjtë më të gatshëm për të firmosur peticionin

Feb 27, 2022 | 13:52
SHPËRNDAJE

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë ka ndërmarrë një nismë ku i kërkon Kuvendit të hartojë një kuadër ligjor për dekomunistizimin.

jonila godole

Prej disa ditësh, në të gjithë vendin po firmoset një peticion që do t’i bashkohet nismës që do depozitohet në Kuvend. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, drejtoresha e IDMC tregoi se të rinjtë janë treguar të gatshëm për ta mbështetur edhe këtë nismë. Ndërkohë, ajo u bën thirrje edhe politikanëve që të firmosin peticionin, pasi dekomunistizimi duhet të ishte bërë më herët. Ndër të tjera, nisma sipas Jonila Godoles synon edhe vetingun e politikanëve dhe gjyqtarëve që kanë shërbyer në kohën e komunizmit. Ndërkohë, gjatë “Ditëve të Kujtesës”, Godole është dekoruar me “Kryqin Federal të Meritës”, i akorduar nga Presidenti federal gjerman, Frank-Ëalter Steinmeier, dhe dorëzuar nga ambasadori Peter Zingraf.

Znj. Godole, si fillim dua t’ju përgëzoj për dekoratën që morët dy ditë më parë. Çfarë ndjesie ju krijoi?

25 vjet më parë, kur shkela në Gjermani e ftuar si gazetare e re, nuk e dija që do të lidhesha me këtë vend dhe kulturën e tij në mënyrë të pandashme. Vlerësimi me “Kryqin Federal të Meritës”, i akorduar nga Presidenti federal gjerman, Frank-Walter Steinmeier, ishte i papritur. Fakti që ceremonia qëlloi në mes të “Ditëve të Kujtesës”, një maratonë e ngjeshur me aktivitete që IDMC organizon prej vitit 2016 në partneritet me Fondacionin Konrad Adenauer, ishte një rastësi fatlume. Vlerësimi kishte të bënte me angazhimin tim në shoqërinë civile, në media dhe sidomos në fushën e kujtesës, gjë që më motivon të vazhdoj punën time me nxënës e studentë, në mënyrë që gjeneratat e reja të merren me tematikën e tiranive totalitare, siç ishte edhe Shqipëria nën regjimin komunist. Zoti ambasador, Peter Zingraf, në fjalën e tij mbi motivimin e dekorimit, kur foli për angazhimin tim “për një trajtim të sinqertë të së shkuarës, duke vendosur standarde të reja për sa i përket këmbënguljes, kohëzgjatjes dhe intensitetit”, përdori për analogji një frazë të një autori, të cilin e kam përkthyer vite më parë, Rainer M. Rilke, sipas të cilit, “fakti që diçka është e vështirë, duhet të jetë një arsye më shumë, për ta bërë atë gjë”. Pikërisht kështu e shoh angazhimin tim gjatë dekadës së fundit në çështjen e dekomunistizimit, si një mur i lartë, i trashë që ndodhet para meje, por që jam e vendosur të gjej mënyrën për ta kapërcyer atë. Prandaj, ky dekorim dhe vlerësim më jep krahë dhe kurajë të vazhdojë punën, pavarësisht goditjeve dhe vështirësive të përditshme, nga të gjitha krahët.

Ju keni nisur një peticion për të mbledhur firmat për të çuar në Parlament një nismë, si po shkon mbledhja e firmave?

Ky peticion që adreson problematikat e dekomunistizimit duhet të ishte kryer kohë më parë, por nga reagimi i qytetarëve ngado që i takoj duket se është i mirëpritur. Në mënyrë të veçantë më gëzon fakti që të rinjtë nuk kanë asnjë kompleks ta firmosin atë, ndryshe nga gjyshërit e tyre që ende vazhdojnë të qëndrojnë të ndarë në dy kampe: njëra palë që mbështet peticionin, përfaqësues të familjeve të persekutuara, të tjerë që kanë reflektuar në këto 31 vite për dëmet e shkaktuara nga regjimi komunist; dhe pala tjetër që vazhdon të mbrojë regjimin e kaluar dhe nuk e sheh të arsyeshme dekomunistizimin. Ka edhe një palë të tretë, indiferentët, me përkatësi të të gjitha ngjyrave, moshave e profesioneve, ky është grupi me të cilët na duhet të punojmë më shumë, dhe të gjejmë mënyrat se si t’i arrijmë dhe t’i bindim për nevojën e kësaj kauze. Gjej rastin të falënderoj edhe shqiptarët që jetojnë jashtë atdheut që po e firmosin online peticionin, uroj të kemi sa më shumë zëra nga diaspora edhe në vazhdim.

Peticioni për dekomunistizim dhe drejtësi është i përbërë nga 6 kërkesa kryesore. Ju kërkoni një ligj kundër propagandës komuniste, cilat janë shqetësimet konkrete që keni në këtë pikë?

Gjatë punës sime shumëvjeçare në fushën e kujtesës me të rinj, mësues, ish-të përndjekur politikë dhe qytetarë, jemi ndeshur shpeshherë me disa problematika që mendojmë se ka ardhur koha që t’i adresojmë siç duhet si shoqëri. Ka ardhur koha për një kuadër të ri ligjor që ndalon glorifikimin e diktaturës, të diktatorit dhe bashkëpunëtorëve të tij në hapësirën publike dhe që hap një sipar të ri të ballafaqimit me të shkuarën komuniste me gjithë hijedritën e saj. Vendet e BE-së ku duam të aderojmë, kanë përvojë shumë pozitive në mënyrën se si e kanë ndërtuar kuadrin ligjor që dënon simbolet apo propagandën e regjimeve totalitare, si nazizmi, fashizmi apo komunizmi. Grupi i punës së peticionit i njeh mirë këto ligje dhe do të japë ndihmesën e tij për hartimin e një projektligji sa më efikas që u përgjigjet nevojave të kohës në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Sepse në gjendjen që jemi nuk mund të vazhdohet më! Për të përmendur pikat më kryesore të peticionit: Ku jemi deri tani me dekomunistizimin e librave shkollorë? Shumë larg! Ku jemi me ruajtjen dhe muzealizimin e vendeve të vuajtjes: kampeve të punës e të internimit, burgjeve, dhomave të hetuesisë dhe të torturave? Asnjë prej tyre nuk është kthyer në një muze kombëtar, por janë lënë në mëshirë të fatit. Ku është muzeu për diktaturën? Ku është memoriali qendror për qëndrestarët, martirët dhe viktimat e diktaturës? Të gjitha mungojnë! Gjithashtu, ka ardhur koha ta zbardhim plotësisht aktivitetin e Sigurimit dhe organeve të tjera represive të diktaturës. Sigurimi, ndryshe nga ata që duan ta bëjnë atë “gogolin” e vetëm përgjegjës të krimeve të diktaturës, ishte vetëm një prej aparateve represive që viheshin në lëvizje nga PPSH dhe KQ. Pavarësisht kësaj, aktiviteti i tij duhet të zbardhet plotësisht. Studiuesit e rinj, të gjithë, kemi të drejtë ta njohim të vërtetën siç ishte, pa na kufizuar askush dhe asnjë institucion aksesin në dokumente. Siç ka ardhur koha që nëpunësit e shtetit shqiptarë, politikanët dhe drejtuesit e institucioneve, të jenë figura të pastra, të paimplikuar në regjimin komunist. Çfarë u mboll në fillim të 1990-ës, po e korrim ende sot e kësaj dite: Një politikë dhe administratë me dosje dhe “skelete në dollap” është e lehtë për ta shantazhuar!

Kur flisni për funksionet e politikanëve në kohën e komunizmit, për cilat kategori konkretisht, pra, se kush duhet të jetë subjekt i ligjit?

Pas 31 vjetësh, shumë individë të lidhur ngushtë me regjimin e shkuar janë larguar nga shërbimi publik, politika ose janë ndarë nga jeta. Gjithsesi, në parim, do të ishte në nderin e Shqipërisë një pastrim i institucioneve të sotme demokratike të shtetit nga punonjës në poste politike (apo administrative) që kanë luajtur rol aktiv të drejtpërdrejtë në organet famëkeqe të diktaturës duke shkaktuar shkelje të të drejtave të njeriut, deportime, dëbime e burgosje politike. Këtu do përmendja rolin e tyre në PPSH (si truri operacional i regjimit), Sigurimin e Shtetit, Gjykata, Prokurori, Polici, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe organe të tjera represive.

Znj. Godole, a ka në sistemin tonë të drejtësisë persona që kanë pasur funksione në kohën e komunizmit? Ndërkohë që në Shqipëri gjyqtarët dhe prokurorët i janë nënshtruar një vetingu, por jo për dekomunistizim. Sa të realizueshëm e shihni?

Për vetë ashpërsinë e regjimit komunist dhe shtrirjen kapilare të Sigurimit dhe organeve të ngjashme të dhunës dhe persekutimit në të gjitha shtresat e shoqërisë, vetingu ndaj politikanëve, punonjësve të administratës dhe të institucioneve të drejtësisë, duhet të kishte përfshirë edhe elementë që pastërtisë së figurës së tyre në lidhje me rolin që mund të kenë luajtur në regjimin e kaluar. Një ish-hetues apo ish-prokuror që ka punuar në atë regjim totalitar, por nuk është distancuar publikisht prej tij, madje, përkundrazi ka bërë më tej karrierë pikërisht prej atij angazhimi, nuk besoj se mund të jetë i besueshëm si profesionalisht, ashtu edhe moralisht.

Mendoni se do të hasni në kundërshtim të propozimit për ndryshimin e emrave të rrugëve dhe shkollave apo institucioneve që i referohen diktaturës? Dhe përse duhet bërë kjo?

Vetëm diktaturat e mbysin debatin, i cili në një shoqëri të hapur duhet të ishte motori i zhvillimit. Po e ilustroj këtë pikë të peticionit me një shembull konkret. Instituti që drejtoj ndodhet në rrugën që mban emrin “Bardhok Biba”: për disa ai është hero, për disa të tjerë është përgjegjës për vrasjen e dhjetëra mirditorëve. Kush janë Myslim Shyri, Asim Aliko, Medar Shtylla, Bako Dervishi? Çfarë dimë ne për historinë e tyre të vërtetë, për mënyrën se si ranë në luftë, kundër kujt luftuan – larg propagandës komuniste pas LANÇ-it? Dimë shumë pak. Ka ardhur koha që sheshet, rrugët, shkollat shqiptare, të reflektojnë emrat e personaliteteve që frymëzojnë me veprën e tyre shoqërinë dhe brezin e ri. Për këtë kemi propozime të qarta në peticionin tonë dhe nuk besoj se do hasim kundërshti. Natyrisht që kërkohet bashkëpunim i bashkive me institucionet përkatëse për të kontrolluar dhe sugjeruar emra dhe ndryshime. Jemi duke kryer një studim mbi rrugët e kryeqytetit dhe besoj që së shpejti do të dalim me propozime konkrete për emrat e rrugëve që duhen diskutuar, ndryshuar apo zëvendësuar. Bashkia e Berlinit vetëm dy muaj më parë mori në analizë emrat e rreth 290 rrugëve, personalitete me qëndrime antisemite, duke filluar nga Goethe, Martin Luther, Richard Wagner etj. (por, për çudi, jo Marksi?!). Shoqëritë demokratike janë të kujdesshme që të ushqejnë debatin mbi kontekstualizimin e historisë bazuar në fakte të reja që dalin nga studimet dhe dokumentet arkivore.

Synoni që të ketë një lëndë të veçantë në shkolla mbi diktaturën, apo të përfshihet në ndonjë nga programet?

Ku jemi me kurrikulat shkollore dhe veçanërisht historinë? Lënda e historisë në arsimin e mesëm është me zgjedhje, dhe kam rastisur të vizitoj shkolla në fshatra dhe qyteza ku mësuesit e historisë nuk kanë më kujt t’i japin mësim dhe detyrohen të marrin në ngarkim lëndë të tjera larg fushës së diplomimit të tyre. Kjo është tejet shqetësuese. Historia e Shqipërisë nuk mund të jetë lëndë me zgjedhje. Historia e diktaturës komuniste nuk mund të jetë e reduktuar në pak faqe libri, mbi të gjitha pa fakte, shifra dhe dokumente arkivore që tregojnë shkeljen masive të të drejtave të njeriut. Në anketën me mësuesit e historisë që IDMC dhe shoqata e mësuesve të historisë kryen dy vjet më parë doli qartë se mësuesit nuk kanë njohuri solide mbi krimet e diktaturës, mbi vendet e vuajtjes apo datat historike më të rëndësishme të persekutimit. Atëherë, ç’mund të presim nga nxënësit e tyre? Vetëm përmes edukimit të brezit të ri ne mund të garantojmë që historitë e vuajtjes dhe persekutimit nuk do të harrohen në të ardhmen. Për këtë arsye, edhe më parë kemi propozuar futjen e një lënde me zgjedhje/ose detyrim me titull: Historia e regjimit komunist shqiptar (1944-1991). Gjithashtu, në kuadër të peticionit dhe draftligjit që do ta shoqërojë atë, do të propozoja në bazë të ligjit për arsimin paraunversitar që parashikon Maturën Shtetërore, futjen e një pyetjeje të posaçme në provimin e Maturës mbi regjimin komunist dhe represionin, pasojat familjare dhe shoqërore.

A keni shpresë që kjo nismë do të mirëpritet në Kuvendin e Shqipërisë? Sigurisht, keni marrë mbështetjen e kreut të opozitës, përderisa edhe ai e firmosi vetë peticionin, por si do pritet kjo nga maxhoranca?

Më vjen mirë që opozita e ka bërë një hap të parë në mbështetje të këtij peticioni, duke u shprehur e gatshme ta firmosë atë. Ftoj përfaqësuesit e partive të tjera politike të bëjnë të njëjtën gjë, gjithashtu edhe Presidentin e Republikës, Kryeministrin, deputetët e maxhorancës. Peticioni për dekomunistizim dhe drejtësi i drejtohet një kauze të drejtë, kërkon një ndarje me trashëgiminë e dhimbshme të regjimit komunist, provokon debat konstruktiv mbi gabimet e bëra në këto 30 vjet dhe ofron një garanci që të kemi një brez të ri më të informuar për diktaturën dhe më të ndërgjegjshëm për të ndalur çdo formë të saj në të ardhmen. Ky peticion i bashkon shqiptarët, nuk i ndan!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura