“Ditënetët e librit”, 70 aktivitete për nder të letërsisë

May 16, 2018 | 15:32
SHPËRNDAJE

Nga sot, Muzeu Kombëtar, bashkë me të gjithë qendrën e kryeqytetit, do të marrë tjetër pamje. Ajo që tentoi të bëhet disa vite më parë, pa u përsëritur, po rikthehet në një tjetër formë që duket më e plotë e më përfshirëse. Janë 70 aktivitete që do të mbahen në Tiranë, në Muzeun Kombëtar, por edhe në Akademinë e Arteve si dhe në Lezhë e Fier, në datat 16- 20 maj.

Në qendër të tyre do të jetë libri, i ri dhe i përdorur, me çmime që nuk kemi mundësi t’i gjejmë në raste të tjera…të paktën siç njoftohet nga shtëpitë botuese! Meqenëse shtëpia mikpritëse nuk është Pallati i Kongreseve, nuk do të thotë që nuk do të ketë vend për të gjitha, nga përkthimet e mëdha, veprat e rëndësishme, letërsi artistike, shqipe dhe e huaj, ilustrime letrare e karikatura artistike, projeksione filmash e biseda të lira me autorët më në zë të letrave shqip etj.. Pra, mjafton vetëm ta bësh në plan të kthehesh aty dhe do të gjesh me siguri një aktivitet në zhvillim.

panairi i librit

Çelja e festivalit bëhet sot pasdite te Atriumi i brendshëm i Muzeut Historik Kombëtar. Në ceremoninë e inaugurimit, përveç organizatorit “Klik EkspoGroup”, nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës do të jenë të ftuar ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ajo e Arsimit Lindita Nikolla, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe Rexhep Hoti, zv.ministër i Kulturës i Kosovës. Mjaftueshëm hapësirë i është lënë edhe përkthimit. Për këtë, gjatë ditëve të Festivalit do të diskutohet për rolin e përkthyesve dhe përkthimeve në Ballkan e më tutje, ndihmën e rezidencës europiane të shkrimtarëve në Tiranë. Botimet “Poeteka”, shtëpia botuese që ka në fokus letërsinë e rajonit, do të prezantojë sfidat me titujt më të spikatur.

TEMAT E PANAIRIT

Krijimtaria si ekzistencë, një prej temave aq të përfolura, do tentojë të vijë me një përgjigje të sinqertë përmes rrëfimeve mbi veten nga vetë ata që shkruajnë, në mbrëmjet e piketuara qëllimisht. ”Libri i përmirësuar nga filmi, a ndodh?”. Arkivi i filmit do të rreket t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje përmes projeksionit të disa prej ekranizimeve më të mira të letërsisë shqiptare. Skenaristë, kritikë arti dhe studentë të Gjuhë-Letërsisë do të debatojnë më tej.

“Karikatura – shqiptarët përballë identitetit”, do të takojë karikaturistët me të njohur në vend në një bisedë mbi imazhin si simbol, përmes karikaturës shqiptare në vite. Këto dhe shumë këndvështrime të reja do të hedhin dritë këto ditë mbi udhëkryqet e letërsisë shqiptare si pjesa më e vyer e vetëdijes kombëtare dhe jo vetëm.

ÇFARË DO TË SHOHIM NË “DITËNETËT E LIBRIT”?

“Ditënetët e librit”, është festivali që do të mbahet në Muzeun Historik Kombëtar, është ngjarja që mëton të bëjë bashkë dhe fuqizojë trinomin “Autor – Botues – Lexues”, në një ngjarje të rrallë kulturore dhe edukative, sipas organizatorëve. Kjo është ftesa që bën poetja dhe artistja e njohur Ilnisa Agolli, e cila është edhe organizatore e Festivalit Ndërkombëtar “Ditënetët e Librit”. ”Arie dhe opera! Me aktivitete e vargje. Me gjuhë franceze. Ruse. Me përkthime të kantautorëve italianë.

Me dokumentarë filmikë. Me lexime dhe interpretime. Me promovime. Me prezantime fragmentesh nga letërsia gjermane, spanjolle , greke. Me antologji turke! Me konkurse. Me krijime. Me studentë që do të jenë pasardhës të talenteve të letërsisë shqipe dhe pikturës. Me histori. Me aktorë. Me gazetarë. Me debate. Me dialog pyetje- përgjigje me median. Me shtëpi botuese. Me shkrimtarë . O Perëndi! Me libra. Kujtime dhe rrëfime. Pa orë. Me ditë dhe net. Ti vetëm eja”,- pra, pak nga të gjitha! Ky festival do të ravijë- zohet duke i dhënë hapë- sirën e nevojshme stendave të ekspozimit, aq sa dhe hapësirave kolektive për aktivitete gjithëpërfshirëse, me misionin e përbashkët të nxitjes të afrimit me librin.

Por çfarë do të bëhet ndryshe në këtë aktivitet përveç lëvrimit të dhjetëra ngjarjeve letrare e artistike? Organizatorët pohojnë se ajo që e bën të veçantë panairin është se tregohet një vëmendje organizative për Ekspozuesin, Botuesit po aq sa dhe Institucionet e Kulturës dhe Arsimit, të cilët përmes një evenimenti të tillë, qëndrojnë më pranë blerësit-lexuesit-autorit; përmes Festivalit u krijohet klima e nevojshme për t’u promovuar, gjetur mbështetje, lidhur marrëveshje të shpejta e afatgjata.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura