Ditëlindja e 77-të e shkrimtarit/ Fatos Kongoli: Mëkatin më të madh e kupton kur shkon te Shën Pjetri

Jan 13, 2021 | 9:54
SHPËRNDAJE

“Mëkati më i madh njerëzor është mosmirënjohja. Këtë e kupton pasi ngjitesh deri sipër. Troket te Shën Pjetri, të mbyllet dera dhe kthehesh pas”.

maxresdefault-7

Kështu u shpreh shkrimtari Fatos Kongoli dje, gjatë një ceremonie modeste që Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi me rastin e 77-vjetorit të lindjes së tij. Me maskë e doreza, duke respektuar distancat e kërkuara në kohë pandemie, shkrimtari e kishte të pamundur t’u shprehte mirënjohjen të gjithëve atyre që kishin ardhur në atë ceremoni, me një shtrëngim duarsh. Kohëra të pazakonta, por që theksojnë edhe më tepër rëndësinë e dashurisë për njeriun.

Aq më tepër kur ke kaluar fare pranë vdekjes, ashtu si Kongoli, i cili jo shumë kohë më parë u përball me një sëmundje tejet të rëndë, për të cilën ka rrëfyer në një prej librave të tij më të fundit.

“Jemi mbledhur për 77- vjetorin e lindjes së një prej autorëve më të rëndësishëm të letërsisë së pas viteve ’90. Vepra e tij ka përshkruar gjithë metamorfozën dhe dramën e shoqërisë shqiptare. Le të shpresojmë që kjo pandemi do të marrë fund dhe vitin tjetër ditëlindjen do ta kthejmë në një festë të vërtetë”, shprehet drejtoresha e QKLL, Alda Bardhyli, duke shtuar se do të ishte dashur që kjo ditëlindje të ishte shumë më e madhe, me më shumë miq e kolegë, por për shkak të pandemisë, mundësitë ishin të kufizuara.

“Pikaso nuk i pëlqente ditëlindjet, por pranonte të merrte pjesë në festa me kushtin që mos t’i përmendej mosha. Ndërsa ne jemi sot për të gëzuar me Kongolin, një shkrimtar plot energji, që vetëm gjatë këtij viti ka shkruar dy libra. Askush nga ne nuk ka arritur ta bëjë këtë. Ndaj mund të them që sot jemi me Fatosin e ri, plot energji e imagjinatë dhe kur të vejë 90, me të vërtetë do të bëjmë një festë gjigante. Faleminderit që je këtu pas asaj që kalove, si shenjë vitaliteti dhe për dy librat e rinj, si shenjë e imagjinatës së pashtershme”, u shpreh shkrimtari Besnik Mustafaj, i cili lexoi motivacionin e certifikatës së mirënjohjes, që QKLL i dorëzoi si një shenjë falënderimi për gjithë kontributin e dhënë në lerat shqipe:

“Për kontributin e tij të çmuar në letërsinë shqipe të pasviteve ’90, ku, nëpërmjet një gjuhe të elaboruar dhe një mozaiku të plotë karakteresh romanore, ka arritur të shpërfaqë dhe të shpjegojë krizën e njeriut modern”.

Duke marrë certifikatën, shkrimtari Fatos Kongoli shpreh mirënjohjen e tij për të gjithë ata njerëz që i kanë qëndruar pranë në sfidat jetësore që ka kaluar.

“Jam shumë i emocionuar, nuk e prisja këtë vlerësim dhe ceremoni që po bëhet në këtë kohë pandemie. Falënderoj Zotin që më jep edhe një ditë të re… Ju falënderoj të gjithëve. Unë mendoj që mëkati më i madh njerëzor është mosmirënjohja. Këtë e kupton pasi ngjitesh deri sipër. Troket te Shën Pjetri, të mbyllet dera dhe kthehesh pas, atëherë e kupton se çfarë është mirënjohja. Faleminderit të gjithëve!”, tha Kongoli, duke falënderuar një për një të pranishmit në ceremoni, që jo rastësisht mbante titullin “Nën lëkurën e Fatos Kongolit”, që nga drejtorja e QKLL, Alda Bardhyli, Besnik Mustaajt, botuesit e “Toena”, shkrimtarin Gaqo Bushaka, pa harruar edhe gazetarët.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe dy nga bashkëpunëtorët e tij, kineasti Spartak Pecani dhe përkthyesi Edmond Tupe, të cilët ndanë disa nga momentet e bashkëpunimit me Kongolin në fushën e kinematografisë dhe përkthimit.

“Fatosi ka burrërinë t’i thotë të gjitha përmes artit dhe kjo nuk është e thjeshtë”, u shpreh përkthyesi Edmond Tupja.

“Kongoli është si një labirint që ka brenda të bukurën, të papriturën dhe ka qenë një ndihmë e madhe për skenarët. Veprat e tij jetën time ma kanë bërë shumë më të bukur. Unë kam sërish në duar romanin ‘Lëkura e qenit’, që ka fituar të drejtën për prodhim kinematografik dhe së shpejti do të nisë xhirimet. Jam i lumtur që veprën më të mirë do ta kem në duar në fund të krijimtarisë sime. Kam jetuar prej 15 vitesh ditë për ditë me të. Jam lumturuar me punën, personazhet dhe filozofinë tënde. Çdo ditë fle dhe ngrihem, jetoj me të”, u shpreh regjisori Pecani.

Fatos Kongoli është një nga emrat më të mëdhenj të letërsisë bashkëkohore shqipe. Ai është autor i një sërë romanësh shumë të suksesshëm si “Lëkura e njeriut”, “Shpata e Demokleut”, “Te porta e Shën Pjetrit”, “Bolero në vilën e pleqve”, “Jetë në kuti shkrepëseje” etj., të cilët janë vlerësuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare. Kongoli është gjithashtu një nga autorët më të përkthyer në gjuhë të huaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura