Ditari për PS, Pëllumbi: Nano na ofendoi në ‘96, ika pse partia do përçahej (Pjesa VI)

Jun 25, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

“Nuk e kam menduar asnjëherë që të largoja Fatos Nanon dhe të bëhesha vetë kryetar i PS-së”.

Kështu u shpreh profesori i socialistëve, Servet Pëllumbi, në promovimin e ditarit të tij politik për vitet 1991-1996, “Përvoja ime në Partinë Socialiste”, të botuar nga shtëpia botuese “Toena”.

nano--pellumbi

Në ceremoni, ku merrnin pjesë ish-presidenti Alfred Moisiu, ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj, deputetët Fatmir Toçi, Alfred Peza, Olta Xhaçka, Besnik Bare, Artan Gaçi, por dhe kryetari i Akademisë së Shkencave, Muzafer Korkuti etj., profesori foli edhe për marrëdhënien e tij me ish-kryetarin e PS-së, Fatos Nano, i cili në ato vite ishte i burgosur në Bënçë të Tepelenës.

“Fatos Nano u burgos nga regjimi i Berishës dhe ne si parti e shpallëm si të burgosurin e parë politik të Berishës. Sensibilizuam të gjitha institucionet europiane, të djathtë dhe të majtë, për të nxjerrë të vërtetën e kësaj burgosjeje.

Është për të ardhur keq që drejtuesit e PD-së në atë kohë kishin mendimin se drejtimi më i mirë i vendit është drejtimi pa opozitën. Por unë fajin më të madh për Fatosin e lidh me mocionin të 1 korrikut 1996.

Ai na quante guralecë që duhej të largoheshim, me një ton ofendues dhe përbuzës, dhe pse kishim bërë gjithë atë punë bashkë me të për ta mbajtur partinë sa më të konsoliduar”, tha profesor Pëllumbi.

Sipas tij, edhe pse i ofenduar nga kryetari i burgosur, ai mori vendimin e dorëheqjes për të mos e përçarë PS-në.

“Në atë periudhë unë u përpoqa që të bashkoj korentet e ndryshme në PS, por çështja, me sa duket, ishte thelluar dhe mund të shkonte deri në përçarje. Ishte bërë gati edhe krijimi i një partie në Fakultetin e Shkencave.

Nëse unë do të pranoja këmbënguljen e shokëve që të zgjidhesha kryetar, duke larguar Fatos Nanon, do të ndodhte krijimi i një partie të re. As e kam menduar ndonjëherë që të bëhesha kryetar i PS-së”, tha Pëllumbi dje gjatë prezantimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura