DITARI/ Pëllumbi: Si e ndalova Ilir Metën të krijonte parti të re në nëntor ’96 (Pjesa IX)

Jul 9, 2016 | 8:30
SHPËRNDAJE

Në ditarin e tij politik, “Përvoja ime në Partinë Socialiste”, profesor Servet Pëllumbi tregon zhvillimet e brendshme në këtë parti, pas kërkesës së Fatos Nanos për mocionin ndaj kryesisë.

Pëllumbi tregon në këtë pjesë se si e ndaloi Ilir Metën të krijonte parti të re në nëntor ‘96.

Servet Pëllumbi
Servet Pëllumbi

Pas mocionit të propozuar nga Fatos Nano dhe dorëheqjes së zv.kryetarit të PS-së, Servet Pëllumbi, në vjeshtën e 1996-s, kishte projekt për krijimin e një partie të re të dalë nga Partia Socialiste.

Në vijim të ditarit politik, “Përvoja ime në Partinë Socialiste”, profesor Servet Pëllumbi, i cili tashmë kishte dhënë dorëheqjen nga posti i zv.kryetarit në kongresin e kësaj partie, tregon lëvizjet dhe konsultat që bëheshin për krijimin e një partie të re të majtë.

Iniciator i saj ishte Ilir Meta, nënkryetar i PS-së, i cili kishte nisur konsultat dhe me partitë socialdemokrate të majta.

Për profesor Pëllumbin, krijimi i një partie të re të dalë nga Partisë Socialiste do ta dobësonte të majtën dhe do të mbante në pushtet Partinë Demokratike dhe Sali Berishën.

Edhe pse pas kongresit të PS-së mocionistët sipas profesor Pëllumbit kishin zënë vende në Kryesi, debati rreth mocionit vijonte te socialistët, ndërsa vetë Pëllumbi shprehet se shtëpia e tij survejohej, pa e thënë se nga kush, edhe tani që nuk mbante asnjë post drejtues në Partinë Socialiste.

Profesori risjell në ditarin e tij kritikat që atij i janë bërë nga përfaqësues të PS-së në shtypin e partisë apo dhe gazeta të tjera të kohës, si Ndre Legisi apo Leontjev Çuçi, për mënyrën se si ka drejtuar partinë në postin e zv.kryetarit.

E hënë, 18 nëntor 1996

Vazhdon rreshtimi i “teoricienëve” të K. Islamit kundër teorisë së prof. Pëllumbit për “konsumimin e pushtetit” deri në fund, që paska ndihmuar Berishën. Duan me çdo kusht të më radhisin edhe mua te “Delfinët e Berishës”, sepse synojnë që të zhbëjnë imazhin real të luftës koherente të zhvilluar nga unë në vite kundër “regjimit Berisha”. Për këtë gëzoj edhe respekt në popull. Kësaj here në rolin e “kobures” së Islamit rreshtohet përsëri N. Legisi, i cili del në ZP me artikullin që ka për titull: Ja mëkatet e Pëllumbit! E nis me këshillën: T’i lëmë kësaj Kryesie kohë për të riparuar gabimet e dëmtimet që bënë paraardhësit e saj! E më tej: “Pa llogaritur faktorin kryesor Sali-pushtet, humbja i ka rrënjët e thella, thotë Legisi, që i kalojnë përgjegjësitë e kësaj Kryesie. Në këtë konkluzion kam arritur që në atë kohë”! Dhe ja zbulimi: “Në një bisedë në makinë, profesori më, ka folur për teorinë e lënies së Berishës për t’u konsumuar në pushtet deri në fund të mandatit…! Që atëherë, thotë “vigjilenti LegisFushe”, fillova të mbaja qëndrim ndaj profesorit, “duke u kufizuar me një përshëndetje nga larg”! Bobo, ç’humbje paskam pësuar!!! Ky paska shpëtuar PS-në, o socialistë, dhe po vazhdon ta shpëtojë me sinoptikën që ofron! “Gjithçka që ka ndodhur dhe po ndodh në PS, thotë Legisi, është rrjedhojë e veprimeve e qëndrimeve thellësisht të gabuara të Pëllumbit dhe 2-3 drejtuesve të tjerë në PS”. Ç’prisni? Bjeruni atyre dhe jo “Bebe Kryesisë”, që s’ka asnjë gjynah mbi vete! Ky është Legisi dhe që të mos e ngatërroni, dëgjojeni edhe në rolin e hipokritit: “Nuk është në natyrën time të shkoj pas të fortit, por vetëm pas të drejtit”! Eh, sikur të mos të të njihnin, do të kishe fituar shumë pikë! Me këtë shprehje ishin duke qeshur Ilir Keko dhe Ylli Dylgjeri, kur i takova në kafe “Malboro” dhe po duke qeshur, më pyetën duke më treguar titullin e artikullit të Legisit: “Ç’janë gjithë këto mëkate, z. Pëllumbi?”

Mitingu para selisë së PS-së pas arrestimit të Nanos
Mitingu para selisë së PS-së pas arrestimit të Nanos

E mërkurë, 20 nëntor 1996

E paskan pasur me qëllime të largëta fushatën kundër meje, kundër “teorisë së konsumimit të pushtetit” që paskam mbrojtur unë pas Referendumit për të lënë “të qetë” në pushtet Berishën! Botuan njëri pas tjetrit S. Brokaj dhe më pas N. Legisi një artikull të gjatë në ZP, me vazhdim më 14 e 15 nëntor! “Dita Informacion” dje e nxiti “debatin” duke bërë një koment të artikullit të Legisit dhe duke botuar shënimin: Ndërsa Pëllumbi tashmë larg partisë nuk ka dashur të komentojë akuzat e rënda të Legisit ndaj tij. Mora Mentorin (Nazarko) mbrëmë në telefon dhe ia sqarova thelbin e problemit. Ai u tregua shumë i interesuar dhe kërkoi që të vinte tek unë në shtëpi. Kështu u bë. Mentori, që studion për shkenca politike në Bari, e kuptoi shpejt se kush e çfarë qëndron pas Legisit.

Nesër del përgjigjja ime në “Dita…”, pa mllefe dhe inate personale me Sabitin apo Legisin. Thjesht logjika e problemit dhe kritikë ndaj keqdashjes së kritikuesve të mi pas dorëheqjes, jo për gabime dhe aq më pak për “mëkatet e Pëllumbit”! Mentorit i bëri përshtypje qetësia me të cilën e trajtova problemin, prandaj, duke mbyllur kasetofonin, më tha: Mirë, unë kujtova se do “të nxirrje shpatën” kundër të gjithëve…! – Unë, Mentor, nuk dola nga politika i dështuar dhe as si “bashkëpunëtor i Berishës në distancë”, por për të hyrë në botën e politikës në një mënyrë të re, me ide e politikë të moralshme. Ata që flasin tani kundër “teorive të konsumimit të pushtetit”, tregojnë vogëlsinë e tyre intelektuale, por sidomos atë morale. Pra, del që sipas tyre unë duhet të dënohem si “gjeneralët” dikur, për një variant të “Teorisë së rrëshqitjes”…! Momente emocionale. Sot, në orën 10:00, shkova për kafe te “Malboro”. Mentori del me vrap nga Fideli me gazetën e tij në dorë dhe më tregon faqosjen e bisedës së djeshme me mua dhe kërkon të dijë nëse jam apo jo i kënaqur me pasqyrimin e problemit. I thashë që më pëlqeu shumë dhe e falënderova. Ndërkohë, një grup vajzash më afrohen me fletore në duar dhe më kërkojnë: “Profesor, nga një autograf, të lutemi!”. Fillova të hedh firmën në fletoret e tyre. Nazarko po ndiqte skenën me njëlloj habie dhe në një moment m’u drejtua:

pellumbi-dhe-metas

– Profesor, shënoni edhe emrin, jo vetëm firmën…!

Dhe kur mbetëm vetëm, shtoi:

– Sa mirë. Jeni i pranueshëm për të gjitha kategoritë!

Me shaka iu përgjigja:

– Mirë që ishe dëshmitar, se disa nga ju gazetarët mendoni se mua më duan vetëm ca nostalgjikë…!

E enjte, 21 nëntor 1996

1. Në orën 13:00, një telefonatë nga Ilir Çepani nga Vjena. Kishte biseduar me drejtues të PSD-së së Austrisë, me P. Shider dhe Shramek, respektivisht nënkryetar dhe sekretar i Përgjithshëm. Tema e bisedës: një kërkesë e I. Metës për mbështetje, se pas 5 dhjetorit “mund të dalim parti më vete”! Ata i kishin dhënë I. Çepanit përgjigje të prerë: Në asnjë mënyrë, do të humbasin çdo vlerë! Të luftojnë për t’u bërë shumicë brenda PS-së. Janë grupi më i fortë e që do të ketë përkrahje. Edhe më kënaqi, se këshilla që u kam dhënë unë përputhet me mendimin e miqve tanë, por edhe më indinjoi mënyra tinëzare e veprimit të I. Metës që nuk thotë asgjë, duket sikur kërkon e dëgjon këshillat e mia, nga ana tjetër kërkon të veprojë e të imponohet herë me Zingarettin, herë me Zh. Valenin dhe tani me P. Shiderin dhe Shramekun! Nuk jam kundër këshillimeve me ta, por jo në këtë mënyrë dhe as për t’i përdorur për t’iu imponuar shokëve të vet me autoritete nga jashtë! Nuk përjashtohet që këto të jenë lëkundje tipike të një njeriu që vepron nën një trysni të vazhdueshme për të përçarë PS-në.

2. Pasi e mbajti dy javë në sirtar, redaksia e “Zërit të Popullit” sot botoi inter vistën e Zhan Valenit. Arsyeja e vonesës është e thjeshtë fare: Zh. Valeni ka “bërë gabimin” e dhënies së një opinioni të mirë për S. Pëllumbin! Dhe konkretisht: “Kam takuar shumë njerëz në Shqipëri, kështu që shfrytëzoj rastin për t’u dërguar atyre dhe zotit Pëllumbi urimet më të mira, sepse ai ka qenë një person për të cilin kemi pasur shumë respekt. Verën tjetër, kur të vij në Shqipëri, unë do të kërkoj që të takohem me të, megjithëse ai nuk është nënkryetar i PS-së”.

3. Ilir Gëdeshi më erdhi në shtëpi për një kafe, por u duk që kishte diçka të veçantë për të biseduar. Më foli për një bisedë që kishte pasur me Leontjev Çuçin, që dikur ishte kundër “Marksit në program”, e madje një vit më parë ishte ndër ata që sponsorizoheshin për një përçarje në PS, për krijimin e një partie të re të majtë në fillimet e vitit elektoral 1996. Tani Çuçi ankohet se edhe me Nanon nuk mund të ecet. “Nano është me karakter të dobët. Ai e dogji veten. Këta që janë tani në krye po planifikojnë heqjen e Nanos”. Por, duke bërë lidhjen me qëndrimet e tij të mëparshme, kishte shtuar: “Çështja e Marksit në program i prishi shumë punë PS-së”. Por kryesore, sipas tij, është që Nanon po e shesin edhe shokët më të ngushtë, të rakisë dhe të interesave! Iliri më tha se Çuçi i di lidhjet tona miqësore dhe bashkëpunimin në kuadrin e Institutit të Studimeve Politike dhe Sociale, prandaj indirekt kërkoi që ta dini edhe ju, profesor, një informacion të tillë të brendshëm. Realisht, i thashë mikut tim të mirë e të kujdesshëm, kjo përputhet edhe me shumë informacione të tjera që kam. Vetëm ndonjë çudi mund ta shpëtojë Nanon nga “arrivistët”! Maji është caktuar si muaji i Kongresit që ndërron kryetarin!

E shtunë, 23 nëntor 1996 Mbas dite më erdhi Musai në shtëpi. Dukej i shqetësuar dhe i ngarkuar me “probleme” tipike për kohën. Biseduam për gjendjen në PS-në e Tiranës. Në analizat e këshillave zonalë që mbarojnë nesër, ka pasur shumë kritika të adresuara për “Mocionin Nano”, por dhe për Metën e Hajdaragën. Në mbledhjen, ku mori pjesë R. Meidani, u bënë shumë pyetje që e kishin befasuar dhe prandaj kishte kërkuar: “T’i mbyllim gjërat, të shohim perspektivën!”. Më tej, M. Ulqini kishte pirë një kafe me M. Lakrorin, me kërkesën e tij. E, çfarë s’kish dëgjuar prej tij, aq sa e mbylli tregimin me shprehjen: “Ai është një përbindësh i vërtetë!”. Ka një përpjekje për t’i përqendruar goditjet te “prof. Serveti”. Kryesore: Toleranca e tepruar, teoria e konsumimit të pushtetit pas referendumit. Problemi është ngritur sidomos në organizatat e shëndetësisë. Madje dr. Dinë Abazi, i irrituar paska, ka propozuar “që S. Pëllumbi, I. Meta, L. Hajdaraga dhe S. Poçi të përjashtohen nga Partia”! Synojnë ta përgatitin këtë linjë për 5 dhjetorin, por nuk kanë mbështetje, thotë Musai. Ndërkohë, ka edhe një bllok tjetër të dhënash që duket shqetësues. Vera: “Kam një kasetë të regjistruar të I. Metës me Berishën në malin e Dajtit…” Ja dhe e dhëna tjetër konkrete:

I. Meta, pasi ka pirë kafe me B. Gjongecajn, kanë hipur në makinë e kanë shkuar në drejtim të malit të Dajtit. Të dhëna për ndërmjetësime të SHIK-ut. Reagime ka pasur për artikullin e E. Elinit në “Gazeta Shqiptare”, në të cilin thuhet se “në Tiranë janë bërë propozime që të largohen nga PS Nano si përgjegjës për mocionin, kurse I. Meta dhe L. Hajdaraga si spiunë të Berishës”. I. Meta dhe L. Hajdaraga, sipas Monikës, thotë Musai, të nesërmen e artikullit kishin shkuar në Ambasadën Italiane dhe kishin protestuar për artikullin (me që GSH është degë e “Gazetta dell Mezzogiorno”). Protestë, jo shaka! I. Meta kishte thirrur për kafe Musanë dhe kishin biseduar për 3-4 orë. Thelbi i bisedës së Ilirit: “Po të formojmë një parti të re, sa mbështetje kemi në Tiranë”?! Po kështu i kishte folur për hyrjen në Parlament. “Spartaku nuk i ka problem paratë, por ti Musa dhe ne kemi nevojë të marrim atë rrogë”! Musai kërkoi mendimin tim, prandaj i thashë prerë: Jam kundër çdo përpjekjeje për të formuar parti të re dhe për të hyrë në Parlamentin e votave të vjedhura”. Me sa duket, i thashë Musait, që nganjëherë më dukej si i dërguar i Ilirit, s’kanë “këllqe” apo të drejtë morale për të luftuar për forcimin e PS-së e për ta bërë atë konkurruese. Të tillët, si rregull harrojnë që njerëzit duan edhe t’i dëgjosh, jo vetëm të të dëgjojnë. Unë, Musa, nuk mbështes individë, cilëtdo qofshin ata, kur veprojnë si arrivistë (pa i justifikuar me trysninë që vepron mbi ta!) Më bën përshtypje që me mua Iliri nuk e ka shtruar asnjëherë çështjen e një partie të re si alternativë, sepse e di mendimin tim që nga Kongresi i dytë kur unë dhashë dorëheqjen, për të evituar përçarjen dhe krijimin e një partie të re nga arrivistët e tipit Islami, me mbështetjen e Nanos. Por them se grupi i Ilirit ka vetëm llafe dhe “rrahje gjoksi” kafeneve. Me sa duket, edhe në mbledhjen e 5 dhjetorit të KPD-së kanë për të heshtur “në pritje të Godosë”…! Mbase gaboj, i thashë Musait, si konkluzion, por kam mendimin se pa një rishikim kritik të fazës së dytë të Kongresit (gusht 1996) dhe të “Politikës së Ndryshimit” të F. Nanos, kjo parti do të vazhdojë në “krizën e vet” tërë konflikte të brendshme, që do ta dobësojnë ndjeshëm nën ndikimin e të “depërtuarve” të Berishës në të!

Në fund, Musai më konfirmon edhe një dyshim që kisha: “Profesor, edhe shtëpinë tuaj e mbajnë nën survejim pa ndërprerje për të parë se kush vjen, sa qëndron, kush ikën, kur dilni ju dhe kë takoni…”. “Edhe tani që nuk jam më në drejtimin e PS-së?! Po për llogari të kujt e bëjnë survejimin?”. Me sa duket, i thashë Musait nëpër shkallë duke e përcjellë, nuk e bëra kot denoncimin në intervistën e gjatë të 2 nëntorit…!

Por, shtova, kjo do parë edhe si tregues i frikës që ka mbërthyer pushtetin, sepse vendi është në krizë, buxheti prej kohësh është rrënuar tërësisht, sepse u përdor për zgjedhjet, borxhi i jashtëm dhe i brendshëm është rritur në mënyrë të paparë, papunësia ka kohë që vërtitet te 30-35%, rritja e çmimeve ka vështirësuar jetesën e njerëzve, problemi i fajdeve dhe “flluska” e fitimit pa punuar ka për të plasur shumë shpejt. Berisha nxiton t’i quajë fajdet e sotme “një trashëgimi të socializmit”, kurse paret që ato qarkullojnë arbitrarisht “më të pastrat në botë” (KJ). Punë e tij, por që duhet të jetë edhe jona, që populli “të mos e hajë sapunin për djathë!” M’u kujtuan këto që u futën si pykë në muhabetin me Musanë, sepse ishim duke kaluar poshtë shtëpisë së Sudes, që është përballë simes! Opozita vazhdon të heshtë, kurse Iliri do parti të re! Për çfarë i duhet ajo?

Këtë pyetje, të lutem Musa, bëja edhe nga ana ime. Kështu u mbyll ky takim me kryetarin e PS-së së Tiranës: njeri i mirë, i përkushtuar, i ndershëm e mbi të gjitha, i papërtuar, që i njeh gati të gjithë anëtarët e PS-së së Tiranës me emër e mbiemër, siç i thonë fjalës!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura