DITARI/ Mocioni i Nanos nga burgu, shërbim për “mikun” e Triestes, Berisha (Pjesa V)

Jun 20, 2016 | 18:57
SHPËRNDAJE

Në vijim të ditarit të tij politik, “Përvoja ime në Partinë Socialiste”, profesor Servet Pëllumbi sjell debatin që nisi në Partinë Socialiste pas letrës nga burgu i Bënçës të Fatos Nanos për mocion ndaj kryesisë.

Gjate nje kongresi te PS
Gjate nje kongresi te PS

 

Sipas profesorit, kërkesa për mocion nuk u prit aspak mirë nga kryesia, duke e cilësuar si tentativë për të ndryshuar mënyrën e drejtimit të partisë, e cila në atë kohë ishte në opozitë dhe kërkohej të bëhej më liberale përballë pushtetit të PD-së.

Ai sjell qëndrimet e Dritëro Agollit për kërkesën e Nanos, por dhe kontekstin politik kur ajo bëhet, pas zgjedhjeve të 26 majit dhe gjendjes kritike në të cilën ndodhej PD-ja pas manipulimit të atyre zgjedhjeve.

E hënë, 1 korrik 1996.

Ajo për të cilën pata menduar se mund të na ndodhte në situatën e krijuar, një luftë brenda nesh në përmasa më të mëdha, na ndodhi. Veçse nuk e prisja nga kjo anë dhe në një formë të tillë kaq radikale dhe arrogante, siç është propozimi i sotëm me shkrim i dërguar nga kryetari i partisë F. Nano.

Toni i letrës që nga adresimi:

z. Sekretar i Përgjithshëm, pa e përmendur me emër Gramozin dhe toni urdhërues: Të thirret KPD i PSSH-së dt. 04.07.1996, ora 10… e deri te rendi i ditës, qëndrimi i PSSH-së për zgjidhjen e krizës politike aktuale dhe përgatitja e fazës përmbyllëse të Kongresit të 2-të…, flasin qartë, së pari, se Nano e veçon veten nga çdo përgjegjësi e mundshme (edhe pse pretendon se ai e drejton PS-në nga burgu), duke kërkuar në formë ultimatumi: ndryshime shumëplanëshe brenda korrikut;

Serveti-2016

së dyti, se si “mëkatar” që është, duket ka marrë një Cross the Bridge tjetër, po nis një luftë brenda nesh për të cilën ka nevojë shumë urgjente S. Berisha, “miku” i tij i Triestes, pikërisht tani që është izoluar nga Faktori Ndërkombëtar, kur ne kemi bërë aksione të suksesshme më 28 maj, më 5 qershor, takime mbështetëse në Bruksel dhe Strasburg, zhvilluam mitingun masiv tek Ali Demi që e tmerroi Berishën, parashtruam propozimet tona konstruktive për zgjidhjen e krizës politike që gjeti mirëkuptim edhe në deklarata ndërkombëtare.

Nuk kam më dyshime: “Iu desh Berishës dhe u paraqit”. Qofsha i gabuar, por duket se ndodhemi para një fakti tjetër kokëfortë. Në këtë çështje nuk do të bëj asnjë lëshim, por do të përpiqem të gjej rrugën që sjell më pak dëme, rrugën për të evituar përçarjen e Partisë, qoftë dhe duke dhënë dorëheqjen e duke i hapur përkohësisht rrugë të keqes që na vjen nga Kryetari “me shokë” këtu midis nesh, të cilët po shfrytëzojnë emocionalisht qenien në burg dhe një lloj depresioni të F. Nanos për interesat e tyre karrieriste. Do të konsultohem edhe me shokët (me cilët?!) dhe mendoj që të ndjekim rrugën institucionale pa hyrë në polemika personale me Fatosin, të cilat ka për t’i provokuar vetë.

Parulla e tanishme e “mocionistëve” ka për të qenë parimore: “Reformimi i PS-së, largimi i ‘radikalëve’ nga drejtimi i PSSH-së”. Duke lexuar letrën, me intuitë e kuptova se unë do të jem në shënjestër i pari si “marksist” i etiketuar për qëllime politike nga jashtë dhe nga brenda. E mbi të gjitha nga “kryemocionisti Sali Berisha”!

Edhe pse Fatosi mbase ka për të më dërguar konsiderata dhe për të më thënë: E kam me n/kryetarët e tjerë, jo me ty “profesor”, apo “vëlla i madh”, siç më shkruante në një letër para ca kohësh! Letrën e sotme e lexuam në mbledhjen e Kryesisë (mbledhja vazhdoi edhe mbasdite). Askush nuk e mbështeti një “iniciativë të tillë të Fatosit” (Shih procesverbalin e mbledhjes mbajtur nga Kristina).

Përshtypje më bënë dy rrethana: së pari, që të gjithë pa përjashtim u shprehën kundër letrës dhe kërkesave ultimative të Nanos. Është qëndrim momental, koniuktural apo bindje? Mbetet për t’u parë në të ardhmen e afërt;

së dyti, I. Meta sepse m’u duk më radikali, me prirje për të marrë flamurin e reformimit të PS-së. Ja disa nga shprehjet e tij: “I bëmë vërejtje Fatosit për Rexhinën dhe Neshon, e tani po përçan partinë… I kam thënë profesorit për heqjen e Marksit nga programi…

Jo grupe e struktura paralele që i vënë minat partisë… Me mocione të tilla partia bëhet përshesh… Nuk reformohet partia me letra të Fatosit kundër njëri-tjetrit”! Dhe pason propozimi: “Të bëjmë Kongresin e tretë, jo vazhdimin e të dytit”! (Shih procesverbalin). Kurse D. Agolli ishte në këtë mbledhje më i prerë në përcaktime.

pellumbi

Ai e quajti letrën e Fatosit: “Oportunizëm i hapur dhe shumë i rrezikshëm nga Kryetari… Do të kemi një adoptim ndaj Berishës, ata që nuk i pëlqen ai duhet të hiqen. Kryetari do një vijë liberale. Po u vu në jetë kjo e Nanos, kot që të jesh në PS. Del që zgjedhjet janë bërë normale, fajet i kanë drejtuesit e PS-së.

Ai do një Kryesi që ta formojë Fatosi nga Bënça… Edhe unë pi, por ky mos ka pirë më shumë nga unë?!”. Në mbyllje të mbledhjes nënvizova: anormalen të përpiqemi ta vendosim me gjakftohtësi në shtratin normal të një debati në parti, pa rënë në provokacione, pa injoruar faktin që s’kemi kontakte personale me F. Nanon, por vetëm me letra, disa prej të cilave të shtypura në kompjuterin e katit të katërt… (pra, të Kastriot Islamit).

Nuk e dimë ç’është e Fatosit dhe ç’është e kompjuterit! Objektivi ynë: të shkojmë në Kongres së bashku dhe të zhvillojmë një Kongres që bashkon e jo që ndan! Ndërkohë, situatave të tilla, si rregull nuk u mungojnë as paradokset apo pakujdesitë. Nga nxitimi apo nga euforia, Nano në letrën e shkruar me dorë na thoshte: Po ju dërgoj një mocion për debat, por mocion nuk kishte. U dërguam haber “zëdhënësve të heshtur të Kryetarit” dhe për çudinë tonë, po sot mbasdite, ora 19:00, na u dha i famshmi “mocion për debat”, i shkruar e daktilografuar në zyrën e katit të katërt, që me sa duket do të jetë e “shtabit drejtues” të luftës së brendshme të porsanisur!

Deri tani kemi mësuar emrat e Islamit dhe Lakrorit si hartues të “Mocionit” që ka për t’u përmendur gjatë në historinë e PS-së si rasti i atij “budallait” (në filozofinë e popullit) që priste degën mbi të cilën qëndronte vetë!

E martë, 2 korrik 1996.

Qoftë koincidencë e rastit dhe jo koordinim! Po dje, në ditën e “Mocionit për debat” dërguar nga Nano, Berisha mblodhi Parlamentin e “ri” të votave të vjedhura. “Parlamenti i ri shqiptar, që doli nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme të 26 majit, do të vazhdojë me përkushtim rrugën e nisur nga Parlamenti i mëparshëm…

Deputetët e opozitës së majtë të braktisin bojkotin e kuq dhe të mos bëhen bashkautorë me njërin nga aktet më të shëmtuara në tërë historinë e demokracisë botërore, akt i cili u përgatit me kujdes gjetiu për të destabilizuar demokracinë shqiptare dhe nëpërkëmbur sovranitetin e Shqipërisë (RD, 02.07.1996). Ndërkohë, me gjithë përpjekjet që po bën duke ndezur “zjarrin edhe brenda nesh”, Berisha nuk mund ta fshehë dot krizën që ka mbërthyer pushtetin e tij. As edhe faktin që u bojkotua dhe vazhdon të bojkotohet hapur edhe nga të huajt.

Në një deklaratë të Ambasadës së SHBA-së për mospjesëmarrjen e trupit diplomatik në seancën e konstituimit të Parlamentit, thuhet: Ne nuk mund të asistojmë në një Parlament të tillë pas parregullsive që u vunë re gjatë zgjedhjeve (Dita Informacion, 02.07.1996).

Po kështu u bë e njohur letra e pesë kongresmenëve amerikanë drejtuar Klintonit, në të cilën thuhet: Zgjedhjet e 26 majit në Shqipëri janë zgjedhjet më me hile në historinë e Europës pas Luftës së Ftohtë… Ne këmbëngulim që Shtëpia e Bardhë të lëshojë një deklaratë që dënon shkeljet… dhe të bëjë thirrje për zgjedhje të reja të menjëhershme nën mbikëqyrjen ndërkombëtare… SHBA duhet të mbrojnë parimet themelore të zgjedhjeve të lira dhe të drejta…” (Jozef Kenedy, Barny Frank, Wiliam Lipinski, Jon Porter, Haward L. Berman, Pete A. De Fazio).

Berisha, siç e ka zakon, bën sikur tërë bota e mbështet dhe vihet në kërkim të përgjigjeve asimetrike. Po sot, më 2 korrik, mblodhi Këshillin Kombëtar të PD-së vetëm e vetëm që të ketë rast të deklarojë të kundërtën e asaj që i kërkohet. “Më 26 maj, tha ai gjithë pompozitet, shqiptarët ndanë historinë. Ata me një vendosmëri, maturi dhe mënyrë plebishitare votuan për rilindjen e tyre të dytë kombëtare….

Në historinë e Shqipërisë ky është Parlamenti më kompetent, më i arrirë…”! “Teoricieni” tjetër, gjoja Kryetari i PD-së, thellon “përmasat e fitores”, sepse sipas tij “me fitoren tonë Shqipëria u nda njëherë e përgjithmonë nga ekstremi i majtë…”! Dhe nuk ka si të mos jetë “konkret” mjeku reaminator! Sipas tij, ne paskëshim organizuar:

1. “Marrjen me dhunë të rezultateve të votimit” (kuptohet nën vëzhgimin dhe duartrokitjet e të gjitha policive të mobilizuara prej Berishë-Tritanit!).

2. Shpalljen e fitores me “skemën e protokolleve” (edhe pse ata kanë edhe firmat edhe vulat!).

3. Shpalljen e bojkotit, thirrje për luftë civile dhe pushtim të shesheve” (prandaj çdo lloj dhune na qenka e justifikuar!) Tani mbetet që edhe “mocionistët në PS” të ndahen nga “ekstremi i majtë”. Ndihma e “fitimtarëve”… nuk ka për t’u munguar!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura