Ditari i një të internuare/ “Dashuritë e ndaluara, si na largoheshin djemtë prej biografisë”

Jul 19, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Savra, qyteza e famshme e të internuarve në Lushnjë, është e mbushur me histori vajzash të reja që dënoheshin për shkak të vëllait, gjyshit, babait a kushedi tjetër kujt nga fisi. Ende sot, 26 vite më vonë, po të shkosh në Savër, gjen njerëz që nuk patën mundësi të shkonin tjetërkund pas vitit 1990 dhe kanë ngelur aty, nëpër shtëpitë e rrënuara me sytë nga rruga, duke shpresuar që dikush do të vijë t’i marrë.

Një nga të rejat që u internua bashkë me familjen në Lushnjë ishte edhe Bedra Kaba. Ajo e kaloi pjesën më të madhe të jetës atje vetëm pse vëllai i saj, njëri prej djemve të Myslym Kabës, ishpartizan, ishte arratisur Ç’ngeli nga familja, bashkëshortët bashkë me shtatë fëmijët e tjerë, u degdisën në Savër. Bedra ëndërronte vetëm të shkollohej por nuk mundi, vetëm ajo ishte ëndrra e saj.

13619868_1222112604496930_5725307422322768428_n

Të gjitha ç’vuajti, i mbajti brenda për vite të tëra, Bedra ka nisur t’i shkruajë në vitet që është ndier e lirë. Thuajse në të gjitha situatat që përjeton, dashur padashur, ajo bën krahasime me të shkuarën. Çdo episod aktual i kujton çmenduritë e një kohe tjetër prej nga nuk do të mund të shkëputet dot kurrë. Sot ajo është e martuar, por ende i dhemb largimi i djemve, kur mësonin se ajo ishte e persekutuar, si të ishte lebrose…

E vetmja gjë që mund të bëjë, për t’u çliruar vetë, por edhe për të informuar të tjerët, është të shkruajë… Po sjellim sot copëza nga shkrimet që Bedra Kaba i rendit në formë ditari…

3 KORRIK 2013

Njëherë ishim në Karbunarë, një fshat fare afër Savrës, me motrën e nuses së vëllait për të blerë diçka… Kur kthehemi, në gjysmë të rrugës ishin disa stalla lopësh. Disa djem të rinj po na afroheshin dhe vajza që ishte me mua u frikësua… Ngadalë i them: “Mos ki frikë, di unë ç’t’u them këtyre. Kur u afruan ata, u drejtohem duke u thënë: “Faleminderit që na ngacmoni, por ne jemi të internuara…!

Ashtu thanë ata… epo ikni…!! Të tillë ishim ne… Mjafton t’u thoshe se ku jetoje dhe ti s’vleje më, ishe një “armike e popullit”… Menjëherë krijonin një urrejtje për ty, a thua ti se çfarë u kishe bërë. E megjithatë ti mësoje, punoje më shumë se ata, po ti nuk ishe si ata dhe këtë ti duhet ta dije mirë e ta kishe vëth në vesh!

10 KORRIK, 2013

Ishte vjeshtë… Aty rreth vitit 1978, sapo kisha mbaruar shkollën dhe fillova të punoj në fushat e paana të Myzeqesë. Atë ditë po vilnim pambuk te Pularia, kështu i quheshin ato parcela. Gjithë ditën e Perëndisë me kurrizin të thyer, kur një çast kthej kokën dhe shoh se drejt nesh po vinte kryetari i Këshillit.

Po drejtohej nga ne dhe se ç’pata një frikë se ai nuk vinte kurrë për mirë dhe se ç’më jepnin një shije të keqe edhe të mëdhenjtë, edhe policët. Vërtet ai u afrua te ne e duke marrë si gjithnjë një pamje ironike më drejtohet mua dhe më thotë…: Ti Bedrie, nesër në orën gjashtë bashkë me vëllain tënd duhet të paraqiteni në Degën e Brendshme… Po mirë, i them, po për çfarë më kërkojnë?

1234620_601616226546574_51179470_n

Nuk e di, m’u përgjigj dhe iku duke më lënë një shije edhe më të hidhur. Nuk e di se si punova atë ditë… S’dija ç’të mendoja, sepse çfarë mund të na bënin më tepër se aq… Kur vete në shtëpi i tregoj vëllait se më erdhi atje ku punoj kryetari i Këshillit dhe më njoftoi se duhet te shkonim nesër në Degën e Brendshme. E mos u mërzit, më thotë ai, do të vemi e çdo na bëjnë më tepër…!

Të nesërmen shkojmë në Degë dhe presim aty, derisa polici na tha të futeshim jo bashkë me vëllain, por veç e veç. Futem pak e trembur brenda, por e vendosur për gjithçka që mund të më ndodhte. S’e kisha parë kurrë dhe as më kishte shkuar kurrë në mendje ai vend i mallkuar, por ai që na priti dukej njeri i mirë. Më vuri përpara një letër, ku unë duhet të shkruaja vetëm shkronja.

Dhe pastaj më tha: mund të ikësh, pastaj u fut vëllai edhe atij të njëjtën gjë i kishte kërkuar! Kurrë s’e morëm vesh përse na e bënë këtë gjë dhe pse na e krijuan gjithë atë tronditje. Sigurisht ishte një provokim i hapur dhe një torturë e vërtetë psikologjike, sepse me pushtetin e atëhershëm s’mund të talleshe…

Papritmas… pa folur dhe pa thënë asgjë e shihje veten në birucat e ferrit komunist dhe s’kishte avokat që të shpëtonte nga kthetrat e tyre, sepse avokatë ishin vetë ata: pushteti popullor i Enver Hoxhës!

13 KORRIK, 2013

Puna në bujqësi ishte tepër e rëndë… Kishte punë që ishin shumë larg si në Sopez, te Klubi i Shoferit, në Goriçaj, tek Ura Semenës, ose te 100 Hektarshi që ishin tokat më të largë- ta nga pesë deri në shtatë kilometra larg nga Savra… Pra ti duhet të ecje me orë në këmbë dhe kur mbërrije atje ishe i lodhur pa filluar… dhe një punë më e lodhshme të priste.

Në dimër të ngeleshin këmbët në baltë dhe sa nxirrje njërën, të ngecte tjetra… Kurse në verë të piqte dielli dhe vdisje për ujë sepse shishja që merrje me vete s’të dilte… Binin ujë edhe me karrocë, por shpeshherë edhe s’binin… Pastaj vinte darka dhe ti prisje me ankth të matej puna që kishe bërë, po ndodhte shpesh që atë punë s’ta merrnin as në dorë- zim dhe gjithë dita e punës ku ti ishe rraskapitur, të kishte shkuar dëm.

Kështu, në fund të ditës t’i ktheheshe drejt shtëpisë nëpër atë rrugë të gjatë tepër e lodhur dhe e papaguar! Për gati një vit punova fushave të Myzeqesë, më pas u futa te stallat e lopëve, po asnjëherë s’pata një grup lopësh timin, gjithmonë punoja sa te njëra mjelëse te tjetra, si zëvendësuese…

Njëherë zëvendësova një grua që e përzunë nga puna nja dy muaj. Paguheshim mbas kileve të qumështit që merrnim dhe për fatin tim në ato grupe lopësh e saj qene pothuajse të gjitha barse dhe unë nuk mora parà aq sa duhej, por edhe kur lopët pollën, 400 lekët e vjetër për lopë që duhej t’i merrja unë, i mori ajo, ose te paktën gjysmat e tyre meqë punova dy muaj te grupi i saj.

Bedra Kaba me familjen në Savër
Bedra Kaba me familjen në Savër

Ajo pati një urrejtje aq të madhe, që unë e persekutuar të punoja në grupin e saj, sa bëri çmos që unë të mos i merrja ato para… Nuk më vinte inat për lekët, por mënyra se si ajo më urrente për atë që unë isha.

Një natë, tek ktheheshim për në shtëpi me mamanë e një shoqes sime duke kaluar pranë zyrave, dëgjoj një zë tek fliste në telefon tërë dashuri… më bëri përshtypje ajo mënyra tepër e ngrohtë e bisedimit në telefon… në atë kohë gruaja më thotë: Bedra e dëgjove atë burrin që fliste në telefon, ai është jurist këtu në Savër, por është shumë i zoti, kështu thotë vajza ime. E di, thotë ajo, shko nesër te zyra, takoje dhe tregoi problemin tënd, mbase ta zgjidh.

Gjithë natën pothuajse nuk fjeta, nuk dija ç’të bëja… ta lija me aq atë problem më vinte inat… Pse të ma hante djersën time ajo grua që s’e meritonte dhe të më përbuzte e të krenohej se unë dhe aq boll i kisha. Kurrë s’kisha hyrë në Zyrat e Savrës dhe nuk e dija si do të përballesha. E kështu duke luftuar me vete shkoj te zyra e shoqes sime që kishim bërë tetëvjeçaren bashkë. Ajo ishte në dijeni të situatës dhe pritëm sa të vinte juristi…

Bedra Kaba me një mikeshë në Savër
Bedra Kaba me një mikeshë në Savër

Mbas një ore, ai hyn në zyrë. Atëherë shoqja ime më ndihmoi shumë, më prezantoi me të dhe ia tregon situatën. Ai kthehet nga unë e më thotë: do të interesohem për këtë problem dhe në qoftë se është kështu, gjysmat e parave të takojnë ty. Ika e shqetësuar, por me një ndjenjë çlirimi se sido që të vente puna, isha munduar të vija në vend diçka që më takonte.

Dhe kur morëm lekët në fund të muajit, ato që më takonin ishin hedhur në emrin tim dhe u morën prej saj. Vetëm ta shihje fytyrën e saj dhe urrejtjen që mbante në shpirt se si unë arrita dhe ia mora ato para që më takonin, një kushërirës së sekretares së Partisë… Falë një njeriu të drejtë që njëherë e pashë e s’e njoha kurrë. Por që me mbeti në mendje për punën e drejtë që bëri, e ndofta ishte përballur edhe me ata që i nxisnin këto gjëra…

14 KORRIK 2013

Jetova midis dy botëve… Në atë që mund të isha si ata dhe në atë që nuk mund të bëhesha si ata… sepse jetoja midis barakave dhe me errësim në biografi… Kjo gjë mbase me vrau ngadalë në shpirt…, sepse në çdo hap ti përballeshe me problemin tënd… herë ta bënin më të lehtë e herë tepër të vështirë. Në fillim të viteve ’70, lufta e klasave ishte pak e zbutur! Kthehem nga mbarimi i shkollës së mesme në Dibër me një teser rinie në xhep dhe merrja pjesë në atë organizatë.

S’kisha as pesë muaj që kisha filluar punë në bujqësi, kur një shoqen time dhe ajo me biografi të keqe, por ishte futur në këtë organizatë, e caktuan në aksion në Lukovë të Sarandës. Prindërit e saj nuk e lejuan të shkonte në aksion, por ajo kishte aq shumë dëshirë të shkonte dhe më lutet mua: “Po të vish edhe ti, ato do të më lejojnë!”.

“Po tani sa kam filluar punë, i thashë, si t’i them babait, do të iki në aksion! Ama thellë në shpirt edhe unë e kisha dëshirën të ikja, ngaqë u mërzita shumë që s’vazhdova dot shkollën e lartë… Isha vërtet keq, pothuaj çdo natë shihja në ëndërr vetëm shkollën. Atëherë thashë: Po i them babait se më kanë caktuar për të shkuar në aksion dhe duhet të shkoj, sepse ti e di pak s’jemi me biografi në rregull, e pak të neglizhojmë. Dhe kështu bëra. Ai më tha: “Po mirë moj bijë, shko”.

Bedra bashkë me mikeshat e saj që kanë jetuar në fshatin e të internuarve, janë kthyer aty 25 vite më vonë
Bedra bashkë me mikeshat e saj që kanë jetuar në fshatin e të internuarve, janë kthyer aty 25 vite më vonë

Kështu, më 4 janar të 1979, nisemi për aksion në Lukovë. Ftohtë… Rruga tepër e vështirë… Udhëtimi na zgjati dy ditë… Një natë fjetëm nëpër familje në Memaliaj. Kur mbërritëm në Lukovë, vendi ishte një parajsë e vërtetë… Tarraca plot me limona e portokaj… Një punë vullnetare e paparë nga rinia! Atje të dukej se ishe në një botë krejt tjetër… e izoluar nga vendi. Stacionet e radios kapnin vetëm Greqinë…

Kështu filluam të punojmë për hapjen e tarracave të reja nëpër kodrat e atij vendi. Një shoqja ime, një vajzë nga Savra, e cila kishte qenë më parë aty në aksion, i kish dhënë një letër shoqes që ishim bashkë për t’ia dhënë një djali që kishte njohur aty në Lukovë dhe ajo mbasi e gjeti ia dha porosinë e letrës. Ai ishte vendali dhe brigadier i vullnetarëve të një rrethi.

Dukej djalë i sjellshëm dhe shoqja ime filloi ta takojë ndonjëherë, por unë jo. Mbasi kalojnë nja pesëmbëdhjetë ditë, ai vjen dhe i thotë: “Më pëlqen shoqja jote, a mund t’i thuash ndonjë fjalë për mua?! Po, i thotë ajo, i them, por është pak e vështirë… Një ditë ajo më thotë…: Ej, i them unë, ti je e re dhe s’e di që ne jemi si kontrabandë këtu… Ajo mundohej të më mbushte mendjen…

Isha aq e zhgënjyer nga biografia që s’më kishin dhënë shkollën e lartë, e jo të më merrte ai djalë komunist mua! Megjithatë, gjithmonë i kam pas qejf sfidat, edhe pse mund të vuaja, thashë do ta provoj sa mund të bëjë ky njeri për mua. Të nesërmen niseshim për në shtëpi, mbasi aksionit i kishte ardhur fundi…

I them shoqes: i thuaj se sonte mundem ta takoj… Ajo e takoi dhe unë i them: Mirë, jam dakord, mund të vish të më kërkosh në shtëpi… Mirë, më thotë, posa të më jepet mundësia do të vij. Të nesërmen u nisëm. Mbas katër muajve, një ditë para një majit, më vjen një telegram: “Vij më 1 maj me trenin e orës nëntë, dil e më prit!”.

Oh sa keq e ndjeva veten… Si t’i them babait… po si t’i them atij për biografinë, ku ta fus në këto baraka! Rashë në pikë të hallit, ç’të bëja… më dridhej trup nga frika… se ç’mund të më thoshin të shtëpisë, po sikur ai të më pranonte kështu siç isha… Më duhej të shkoja atje në Lukovë në fund të botës. Me shumë dilema dhe frikë afrohem te babai dhe i them…:

O babë, kam njohur një djalë kur isha në aksion, por mos ki frikë se unë nuk është se e dua, por ai do të vijë nesër dhe dua që t’i tregosh historinë tonë. Sido që të vijë puna, mos të ngelet merak për mua, se unë e di që ai s’më merr, se është me teser partie! Eh… edhe tani që e kujtoj, them kush e di sa keq duhet të jetë ndier babai i shkretë…

Të nesërmen dal dhe e pres te stacioni i trenit dhe nisemi për në Savër, e cila nga Lushnja ishte nja katër kilometra larg. S’e di si e bëra atë rrugë… flisja për t’i treguar se diçka më pengonte në atë lidhje me të, por ai s’më kuptonte… Njëherë më pyeti: Mos ka qenë gjë babai me Ballin? Jo, i thashë, por s’arrita t’i shpjegoj asgjë pa ardhur në shtëpi. Erdhëm në shtëpi. Mirë që s’ishte nëna, po vetëm babai…

Mbas një bisede prezantuese, ai filloi t’i tregojë për historinë tonë. Në këtë kohë ai vetëm u nxi në fytyrë dhe s’foli asnjë fjalë… veç u ngrit të ikte. Dal e përcjell deri në xhade të madhe dhe gjatë rrugës nuk këmbyem asnjë fjalë të vetme. S’e di… çdo gjë m’u mblodh lëmsh në grykë… Ishte zhgënjimi i dytë nga biografia… E lashë të ikte atë djalë, pa i thënë e pa më thënë asnjë fjalë…

E tillë ishte ajo jeta e jonë midis ferrit dhe dritës… Një komshi më kishte parë me të dhe i kish thënë mamasë e pashë vajzën tënde me një djalë… sa i mirë që ishte… Ishte… por ai s’qe kërkushi, sepse nga pas na ndiqte si hije biografia… E tillë ishte ajo kohë që quhej komunizëm!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura