Ditari i Faslli Haliti: Si më largoheshin miqtë dhe afroheshin spiunët në diktaturë

Jul 15, 2018 | 11:30
SHPËRNDAJE

Për një njeri të letrave është e pamundur të nxjerrë në dritë qoftë edhe copëza të vogla kujtimesh që kanë qenë të rëndësishme në jetën e tij. Këto përjetime e ngacmojnë shpesh përkthyesin e shkrimtarin Faslli Haliti.

Faslli Haliti me rrethin letrar të Çermës
Faslli Haliti me rrethin letrar të Çermës

Vazhdimisht shkruan për të shkuarën e tij dhe ndan me lexuesin e “Panorama” një pjesë nga ditari i konvaleshencës së tij ideologjike e politike 4- vjeçare në Kooperativën Bujqësore Fier-Shegan, gjatë viteve 1973-1977. Bashkëkohësit i kuptojnë shumë mirë ngjarjet e përjetimet e tij, ndërsa ata që shkruajnë, kuptojnë nevojën për të ndarë absurdin e një kohe që mund të ndihet vetëm në kujtime.

faslli-haliti-italisht

FASLLI HALITI

Dy fëmijët e mi të vegjël, vajza 7 vjeçe dhe djali 5 vjeç, më bënë sot këtë pyetje që unë s’e pata të lehtë t’i përgjigjesha:

-Babi,- pyeti djali,- pse nuk vijnë më në shtëpinë tonë xhaxhi Halili e xhaxhi Bardhi…?

-Kanë shumë punë – i gënjeva unë.

-Pse, kur vinin çdo ditë në shtëpinë tonë nuk kishin punë ata?

-Kishin, por jo kaq sa tani. Djalit dhe vajzës s’iu mbush mendja. E kuptuan që unë nuk iu thashë të vërtetën. Ata e kuptuan se diçka e madhe kishte ndodhur. Kaq. Nuk më pyetën më. Heshtën gjatë katër viteve që unë punova në fshatin 12 kilometra larg shtëpisë sonë.

* * * Në të vërtetë, dy shokët e mi që s’më ndaheshin, nuk vinin më. Bardhi ishte i ri. Ishte nën tutelën e prindërve dhe mua kjo më dukej krejt e natyrshme, s’më vinte keq. E mirëkuptoja. S’i mbaja mëri. Halili që ishte më i guximshëm dhe gati një moshë me mua e justifikoi mosardhjen e tij me një arsye të fortë, që më bindi plotësisht.

* * *

U takuam një ditë rastësisht me Halilin afër Uzinës së Plastmasit. Unë vija me biçikletë nga Fier-Shegani, ai vente diku. Më ndali. Them më ndali se unë nuk ndalja, nuk takoja njeri. Ky ishte një parim vetjak që unë e vendosa fill pas “dënimit” tim për të punuar e jetuar me fshatarët për të njohur jetën përmes punës në bujqësi. (Sa qesharake, sa inkuizitoreske duket një gjë e tillë sot), mirë, mirë, por atëherë ishte shumë serioze, e rrezikshme, e frikshme madje. Rreptësia ishte ngritur në apogje. Egërsia e kishte mprehur briskun si gjuhë nepërke guri. Lulëzonin inatet, smirat, hakmarrjet si asnjëherë tjetër. Një lemeri e vërtetë. Vetja më dukej e rrethuar nga informatorët, provokatorët, smirëzinjtë, bashkëpunëtorët ose më troç, vetja më dukej i rrethuar nga spiunët e Degës. Më kujtohej shpesh thënia e Hygoit për spiunët dhe smirëzinjtë, sidomos përcaktimi i tij i tehtë se “spiuni është si qeni e ndjek gjahun për tjetrin, smirëziu është si macja e ndjek prehën për vete”. Nuk ia thosha askujt këtë shprehje të Hygoit, sidomos interpretimin tim se si spiuni, si smirëziu ishin veshi dhe syri i Partisë, s’ia thosha as nënës në sy të fëmijëve, përveçse e mërmërisja me veten time gjatë prashitjes, hapjes së vijave kulluese apo gjatë udhëtimit me biçikletë në erë e në shi ose në këmbë.

* * *

Po kthehesh? – më pyeti tregimtari H..

-Po – i them.

-Lodhesh?

Jo edhe aq.

-Si e ndjen veten në kooperativë?

-Shumë mirë!

-Shumë mirë, mos thuaj ti – më thotë, tregimtari H. s’e honepste shtirjen, – thuaj më mirë se më gjeti dhe do ta heq.

H. qeshi… I erdhi keq me tkurrjen time. Më pa mirë nga koka gjer te këmbët. Më pa këmishën me jakë të grisur…

Më tha:

-Dëgjo. Mbaje veten më mirë. Mos ua bëj qejfin atyre mutërve, që s’na duan. Kjo vërejtje m’u duk e drejtë, shoqërore, intime, dashamirëse. Mirë e kishte. Pse të më shikonin ashtu të grisur e të përbaltur Muratrat, Hasanrat, Spirot, Gazmenërat…

-Nejse, po si ia kalon? – më pyeti H.

-Mirë, shumë mirë…

Kjo shprehje më ishte bërë steriotipe qëkur përgjegjësi i sektorit të drithërave më pyeti, si po ia kalon këtu në kooperativë, ndihesh mirë, mirë je dhe unë iu përgjigja, shumë mirë shoku përgjegjës. Kështu si m’u përgjigje mua, kështu t’i përgjigjesh gjithkujt këtu dhe përherë…

E vura vëth në vesh këshillën e tij prej urtari. Kuptova se duhej të tregohesha i kënaqur, para kujtdo. Duhej të isha optimist dhe unë ashtu tregohesha. Kjo ishte gjendje krejt artificiale. Në të vërtetë, unë ndieja kalbëzim në vetvete. I ngjaja një trungu, që është ngrënë përbrenda. Megjithatë, kujtdo i thosha jam shumë mirë.

-Po si ia kalon tani – më pyeti shoku im H..

-Ja kështu, i vetmuar. Më janë larguar të gjithë shokët.

-Të janë larguar shokë që të duan dhe të janë afruar spiunët,- më tha H..

Ai deshi të fliste më gjatë, por iku duke thënë:

-Nejse. Do të bisedojmë ndonjëherë tjetër.

Me të vërtetë mua po më vinin në shtëpi ca njerëz me zellin më të madh për të më “ngushëlluar”. Më i rrezikshmi ishte V., spiun i deklaruar i Degës së Brendshme, i cili kishte dalë disa herë dëshmitar kundër personave, të cilëve u kishte shkuar në shtëpi. E pranova V. një herë, dy herë.

Pastaj i mbylla derën. Më vonë, kur do të punoja, 6 vjet me të në sektorin e dekorit, do ta quaja me zë të lartë: V baras paturpësi, hile, pabesi, baras Qeni D…

Në atë kohë dyshoja mbase fare pa të drejtë edhe për një njeriun tim. Isha shumë i kujdesshëm me të. I ruhesha, e kuptoja se po e teproja me dyshimet e mia me vend e pavend për njerëzit…

* * *

U takova përsëri me tregimtarin H. në kinema. Ishte një takim krejt i rastësishëm, ai ishte me të shoqen dhe unë me gruan time. Shfaqej filmi “Të mjerët”. Si për çudi, biletat na kishin qëlluar pranë. Të ishte kjo një rastësi? E përshëndes H. me të shoqen.

Më përgjigjet i rezervuar. Diçkaje i ruhej.

Më thotë: -S’duhet të na shihnin bashkë.

-E pse? – i them.

-Ta tregoj më vonë. S’duhet të na shohin bashkë.

* * *

Kur u ktheva nga fshati, shoku im H. ma tregoi arsyen pse nuk takohej e pse s’vinte më tek unë as ai dhe as Bardhi.

-Më thirrën në Degë, më tha. Më pyetën se ç’flisje ti për kooperativën, pagesën, bunkerët. U thashë se unë s’flas me të. Prandaj u shqetësova atëherë në kinema. Më thanë të të haja grurin. Me një fjalë të të spiunoja. Unë qesha.

-Pse qesh? – më thotë H..

-Qesh se më duket si çudi. Po vërtetohet ajo që kishim dëgjuar.

-Çfarë?

-Atë pra, që të fusin shokun më të afërt. Bile edhe nipin…

-Akoma ti – më thotë H..

-Çudi!

-Natyrisht që unë ua dhashë rrugën. U thashë se unë nuk flas fare me Faslliun etj., etj.. Pastaj H. më porositi:

-Veç mos bëj gabim t’ia thuash njeriu këtë që të thashë, se janë hakmarrës këta. Unë ia tregova nënës, vëllait dhe piktorit S.K., mikut të shtëpisë.

Vëllai pasi më dëgjoi më tha:

-Mbase H. justifikohet që s’të ka ndenjur pranë. Kurse piktori S. më tha të kundërtën: Besoji shokut tënd H.. Atë paske shokun më besnik.

* * *

E pra mund t’ua thosha unë vajzës dhe djalit të vogël të gjitha këto, kur më bënë atë pyetjen engjëllore:

-Babi, pse nuk vijnë më xhaxhi Halili me xhaxhi Bardhin në shtëpinë tone?

Ç’të vinin? Unë konsiderohesha si Hamit Matjani.

Të gjithë më shmangeshin. Ç’kohë ish ajo, ç’kohë ish…!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura