Ditari i 14-vjeçares që u mbyt, me ëndrra për t’u bërë poete e për të ikur nga Shqipëria

Jul 23, 2015 | 8:15
SHPËRNDAJE

Maria 14-vjeçare kishte dy ëndrra të mëdha, të bëhej poete dhe të shkonte në Gjermani. E para dukej se ishte vetëm ëndërr e saj, të cilën, në pamundësi për ta realizuar, ajo e përjetësonte në një ditar. Ndërsa e dyta ishte më shumë ëndërr e prindërve të saj, për të cilën vajza i lutej Zotit që t’ua realizonte.

Vendi ku u mbyt/ Maria e mbytur në lume
Vendi ku u mbyt/ Maria e mbytur në lume
Në një bllok shënimesh, ngjyrë blu, ajo nuk kishte hedhur vetëm poezitë, por edhe gjithë rrugëtimin ilegal që kishte nisur me prindërit e saj drejt Greqisë. Në faqen e fundit të këtij blloku, ajo ka hedhur disa fjali, ku përshkruan lodhjen dhe frikën nga Policia. Ndërsa në fund e mbyll me një lutje që lidhet me shkollën e saj dhe me udhëtimin drejt Gjermanisë.

“Zoti dashtë të më plotësohet dëshira për shkollë dhe për në Gjermani”, shkruan Maria në faqen e fundit të ditarit të saj. Por fletët e tjera të bllokut janë të bardha, pasi ajo nuk arriti t’i mbushte më me dëshira dhe as me poezi. Me një shkrim që nuk kuptohet edhe aq mirë, diku mes rreshtave 14-vjeçarja shkruan edhe fjalën azil, ndërsa diku në fund përmend sërish udhëtimin drejt Gjermanisë.

Këtë e konfirmojnë edhe prindërit e saj, por fjalën “azil” mundohen ta shmangin. Madje për të humbur disi gjurmë, veç mundësisë për të shkuar në Gjermani, ata përmendin edhe Turqinë. Por vajza e tyre, që tashmë nuk jeton më, me naivitetin e saj ua zbulon planet, duke shkruar gjithçka në ditar. Teksa i lexojmë ato që ka shkruar, prindërit e Marias heshtin, por nuk mohojnë asgjë nga ato që ajo ka shprehur aty.

DITARI

Faqet e para të ditarit të Marias janë të mbushura me poezi, të cilat ajo ëndërronte që një ditë do t’i botonte në një libër. Ndërsa në tri faqet e fundit ajo ka shkruar gjithçka rreth udhëtimit me prindërit drejt Greqisë.

Kalimin e kufirit në këmbë, frikën nga Policia që i detyronte të flinin në mes të arave me misër dhe pamundësinë për t’u çlodhur nga tri ditë rrugëtim. Babai i 14- vjeçares shprehet se çdo natë, kur uleshin për të pushuar, vajza nxirrte ditarin dhe niste të shkruante. Në fund, kur përfundonte, shtrihej që të flinte.

11774716_1024279937584876_59246762_n

“I dashur ditar. Unë arrita në Greqi. Kaluam malet dhe udhëtuam gjithë natën. Tani që po të shkruaj, ndodhem në një pyll ku ka shumë pak pemë dhe është një mal shumë i lartë. Pas pak errësohet. Do ta nisim nga fillimi jetën. Babi më tha se për dy orë do të nisemi. Por ka shumë policë. Prandaj po presim sa të errësohet edhe pak”, shkuan 14-vjeçarja, duke treguar frikën që ka pasur gjatë udhëtimit drejt Greqisë.

Më pas, ajo shprehet rreth dëshirës së saj të dytë, që është udhëtimi drejt Gjermanisë.

“I dashur ditar. Më vjen keq që nuk të kam shkruar sot. Por do t’i tregoj të gjitha. Unë udhëtova shumë ditë me prindërit e mi. Në fillim ata gjetën punë, por pronari nuk na la të flinim aty një natë dhe tani që po të shkruaj, jam në një pallat që nuk është as i imi, as i prindërve të mi. Por është shtëpia e dy të moshuarve që nuk kanë gjetur nuse. Ata kanë qenë shumë besimtarë dhe nuk janë martuar. Njëri nga ata e punësoi mamin që t’i bënte punët e shtëpisë. Zoti dashtë që të na japin disa lekë për shkollë dhe për të shkuar në Gjermani”, shkruan Maria në një prej faqeve të ditarit të saj.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura