“Dita zë fill”, një film zemërthyer për çmimin “Oscar”

Sep 20, 2017 | 14:30
SHPËRNDAJE

Deri ku mund të shkojë përpjekja njerëzore për të mbijetuar? Deri kur jeta do të mposhtë vdekjen dhe kur kjo e fundit do të jetë i vetmi shpëtim?

Aktorja Sonila Kapetani në rolin e Letës, në filmin “Dita zë fill”
Aktorja Sonila Kapetani në rolin e Letës, në filmin “Dita zë fill”

Një dilemë e madhe njerëzore në filmin “Dita zë fill” i skenaristit dhe regjisorit Gentian Koçi, që po shfaqet këto ditë në kinemanë “Cineplexx”. Regjisori Koçi ka zgjedhur kinemanë autor, u ka qëndruar larg temave “të mëdha” të thë- na e stërthëna në kinemanë shqiptare, që lidhen me trafikun, emigracionin, prostitucionin, gjakmarrjen, burrneshat, e të tjera si këto…

E megjithatë nuk mund të ketë temë më “të madhe” se përditshmëria dhe mbijetesa e një gruaje, në realitetin shqiptar, ashtu të hirtë, të zymtë, si një rrugë periferie e pashtruar, gjithë baltë, mëngjeseve të ftohta. Është historia e një gruaje, si shumë gra të tjera, që përpiqet të mbajë jetën me dhëmbë, duke ndërmarrë edhe veprime ekstreme.

Regjisori luan me kontraste të forta. Nga njëra anë Leta, interpretuar nga Sonila Kapetani, në një figurë të besueshme, të palustruar, të pasforcuar, herë-herë shpartalluese në dhimbjen e saj të lakuriqtë, një grua e re, me një foshnjë motak që do të jetojë në kushte mizerabël; dhe nga ana tjetër Sofia, një grua e moshuar, e sëmurë, me një vajzë larg, në Paris, që do t’i japë fund vuajtjes në shtrat.

Kjo e fundit interpretohet nga aktorja fierake Suzana Prifti. Nën maskën e oksigjenit ajo flet pak, por portreti i saj është zemërthyes. Vërtiten aty edhe personazhe të tjerë, që mbushin jo vetëm jetën e protagonistes, por edhe ravijë- zojnë më qartë realitetin shqiptar; si një postier që sjell pensionin e Sofisë (Kasem Hoxha), një shoqe e Letës (Eriona Kakeli), vajza e Sofisë (Jonida Beqo), një qiradhënës, një mjeke, një farmacist…

Filmi ka ritmin e ditëve të Letës; e takave të saj në rrugët e errëta të lagjeve. Gjendja e saj shpirtërore dëshmohet jo thjesht nga një e qarë nën dush, por edhe nga mënyra se si fshin me fshesë me korrent. Kur qetë, duke u përpjekur të mos bëjë shumë zallamahi, kur me potere, duke marrë përpara gjithë çka gjen.

Ndërsa në sfond e qara e fëmijës. (Një fëmijë aktor, i shkëlqyer). Koçi është i “pamëshirshëm” me personazhin, ai nuk i “dhuron” një “fund të lumtur”, por atë më ekstremin, sepse në një vend ku vriten gratë, mund të ndodhë edhe kjo. “Dita zë fill” është një film që duhet parë, që ngre disa pikëpyetje mbi fatin e femrës shqiptare, kujdesin për prindërit e moshuar, korrupsionin, por në mënyrë të nëndheshme edhe eutanazinë.

Tashmë Qendra Kombëtare e Kinematografisë e ka shpallur atë si kandidaturën zyrtare të Shqipërisë për kategorinë e “Filmit më të mirë të huaj”, në edicionin e 90-të të Academy of Motion Picture Arts and Sciences (AMPAS).

“Dita zë fill” është një bashkëprodhim shqiptarogrek, prodhim i ARTALB FILM në bashkëprodhim me GRAAL FILMS, realizuar me mbështetjen financiare të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Qendrës Greke të Filmit, Eurimages, Ministrisë Shqiptare të Kulturës, RadioTelevizionit Publik Shqiptar, Bashkisë së Tiranës, si dhe SEE Cinema Network. “Dita zë fill” pati premierën botërore në Festivalin e Sarajevës, ku fitoi “Zemrën e Sarajevës” për aktoren më të mirë protagoniste.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura