Dita e Xhazit, një maratonë me tren Tiranë-Shkodër

Apr 29, 2016 | 18:00
SHPËRNDAJE

Vajza me fustane të shkurtra, me thekë, vargje të gjata perlash, cigare me pipë, doreza deri në bërryla, flokë të shkurtër me ondulacione, kordele prej dantellash në kokë.

xhaz1

Kapele kasketë dhe një grim dramatik me buzë të lyera në nuanca të errëta dhe djem e burra me kapele shapkë, pantallona teritali deri në kavilje, që mbahen pas tirandave apo këpucë me lustër, kostume klasike me xhaketa dopiopetë dhe kapele republike, ndërsa e gjithë tabloja gjallohet nga tingujt improvizues të xhazit.

Duket si një prej skenave të filmit “The Great Gatsby”, ku imagjinatës i vishet edhe një pamje në nuancë sepie, për t’i dhënë atmosferës ngjyrat e retrospektivës. Një udhëtim i gjatë që i lakon jo kufijtë hapësinorë, por kapërcen edhe dimensionin kohor për t’u ndalur atje ku lulëzonte muzika xhaz… në Amerikën e viteve ’30.

Kjo ka qenë ideja e organizatorëve, anëtarëve të “Hemingway Fan Club Albania”, për të festuar 30 prillin, Ditën Ndërkombëtare të Xhazit, të parën e këtij lloji në Shqipëri, që është pagëzuar si “Swing Marathon”.

AKTIVITETI

E gjithë bota shijon më shumë se në të përditshmen, magjinë e xhazit më 30 prill. Kjo është hera e parë që Shqipëria është në të njëjtën linjë veprimi me adhuruesit e xhazit nëpër botë. Aktiviteti që do të nisë ditën e shtunë nga Tirana, do të zgjasë plot 12 orë dhe në të gjitha minutat e këtij segmenti kohor, muzika e vallëzimi i atmosferës me shije vintage nuk do të ndalet.

Michael Supnick
Michael Supnick

Mund ta quani festival, mund ta quani festë; çfarëdo emri që të zgjidhni, dita do të jetë e juaja nën ritmet e muzikës “Swing”, një rrymë kjo e xhazit të fillim viteve ’30, e cila përmban instrumente si trumbeta, trombone, saksofoni, klarineta, por edhe kitarë e violinë… Ajo që është më e rëndësishme për të gjithë pjesëmarrësit që kanë prenotuar tashmë të gjitha biletat, është që e gjithë atmosfera, duke përfshirë muzikën, do të jetë e gëzueshme.

Mjetet e transportit që janë zgjedhur për të nisur e përfunduar maratonën, i përshtaten gjithashtu kohës. Përveç aparateve fotografike, apo edhe celularëve në opsionin kamera, që do të fiksojnë kënaqësinë e kësaj dite, teknologjia nuk do të jetë e pranishme askund tjetër. Festuesit e veshur sipas modës së shekullit të shkuar, do të marrin trenin në Vorë për të mbërritur në Shkodër.

Ky i fundit nuk është zgjedhur rastësisht… meqenëse është i vetmi që për nga arkitektura i qaset atmosferës, njerëzit duke shëtitur me biçikleta, duke dëgjuar muzikën xhaz gjithandej nëpër qytet, do ta shijojnë edhe më tepër.

ARTISTËT

Ora e fundit “zyrtare” e kësaj nate është e shumëpritura e të gjithëve. Janë të ftuar për të performuar në teatrin “Migjeni”, në tromb dhe vocal, Michael Supnick, një prej artistëve kryesorë të New Orleans Jazz, lideri i bandës “Sweetwater Jazz Band”, themeluar në vitin 1996. Nëse këto të dhëna nuk ju mjaftuan për ta njohur, atëherë po ju themi se është pikërisht ai, tromba në muzikën e Ennio Morricone-s, në filmin e famshëm “Legjenda e pianistit mbi oqean”.

 

Gjatë një performance në “Hemingway Bar” (Foto Sonny K. Elson)
Gjatë një performance në “Hemingway Bar” (Foto Sonny K. Elson)

Të tjerë të ftuar do të jenë zëri tenor i Giorgio Cuscito, një nga emrat më të njohur të xhazit italian, në pianoforte Luca Filastro, në kontravas Giuseppe Talone shoqëruar nga bateria e Alberto Bottas. Nuk do të mungojnë as bandat shqiptare, si dhe një grup balerinësh profesionistë që përveçse do të performojnë, do të tërheqin edhe publikun pas vetes…

Ata që nuk kishin ende informacion, kanë edhe sot mundësinë për të gjetur ndonjë biletë te “Hemingway bar” në kryeqytet. Maratona pritet të përfundojë pas mesnate kur, të vetëdijshëm ose jo, të gjithë do të udhëtojnë drejt Tiranës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura