Dita e Rinisë, Edi Rama në lokal Rock-u me freshistët

Dec 9, 2012 | 13:33
SHPËRNDAJE
Rama dje në festën me të rinjtë

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe Forumi Rinor Eurosocialist, FRESSH, përkujtuan Ditën e Rinisë në stilin Rockpolitikë. Të mbledhur në një nga lokalet rok në qendër të Tiranës, të rinjtë dëgjuan muzikë të interpretuar nga kantautori Elton Deda dhe këngëtarja Kamela Islami, por dhe mesazhe politike nga kryesocialisti Edi Rama. Duke risjellë në vëmendje ditët e vështira të protestave të studentëve, Rama i ftoi të rinjtë të bëhen pjesë e politikës. “Ishte një botë tërësisht e mbyllur, e cila kishte vendosur kontroll të plotë mbi lirinë e shprehjes së çdo individi, deri tek ajo që ju e keni dëgjuar, por mund t’ju duket e pabesueshme: formën e qethjes së flokëve”, ka treguar kryesocialisti përpara një brezi që nuk e ka jetuar atë kohë.
Sipas Ramës, ajo që ndodhi më 8 dhjetor ishte reagimi i një gjenerate që refuzoi të jetonte më tutje në atë botë dhe çeli dyert për këtë botë që sot ne jetojmë. “8 dhjetori i 22 viteve më parë ishte momenti kur të rejat dhe të rinjtë si ju sot vendosën që të hedhin një hap të rrezikshëm, vendosën që të marrin përsipër diçka që ishte një shtysë e drejtë një të panjohure, askush nuk e dinte me siguri se çfarë do ndodhte pas hedhjes së atij hapi. Mund të ndodhte ajo që ndodhi, që lëvizja e të rinjve të çonte drejt dorëzimit të regjimit komunist. Por, mund të ndodhte dhe e kundërta, që regjimi komunist ta shtypte lëvizjen dhe për ata që morën përsipër ta hedhin atë hap kishte konsekuenca të tmerrshme”, tha Rama. Sipas tij, rinia e sotme duhet të guxojë dhe të merret me politikë për të realizuar ëndrrat e veta. “Sot më shumë se sa atëherë është e qartë se nga hedhja e një hapi të mëtejshëm, duke u përfshirë në politikë, duke u marrë me politikë, duke mos e lënë politikën që të merret me ty pa dëshirën tënde, është një investim i sigurt për të nesërmen. Është një investim që nuk ka me vete rrezikun e madh që kishte, rreziku të paktën e së panjohurës 22 viteve më parë. Është një investim që, pa më të voglin dyshim, do ta çojë më tutje për mirë rrugën e përbashkët ku gjithsecili duhet të kuptojë se nuk ka mundësi për një cilësi të vërtetë jete, më vete, në rast se rruga e përbashkët është e shtrembër, është plot gropa dhe është plot të papritura të pamerituara, siç ndodh sot me të gjithë ju”, u shpreh Rama. Një tjetër nga mesazhet e kryesocialistit për të rinjtë ishte dhe ndryshimi i politikës, për ta bërë atë më tërheqëse për vetë ata. “Edhe të marrurit me politikë për të gjithë ju që jeni përfshirë në këtë rrugë duhet të jetë një argëtim. Përmes këtij argëtimi ne kemi mundësinë që të ndryshojmë shumë gjëra, duke bërë të mundur që t’i japim politikës tinguj, t’i japim politikës buzëqeshje, t’i japim politikës ëndrra, shpresa, ambicie, dëshira. T’i japim mundësinë që të jetë një hapësirë argëtimi për të rejat dhe të rinjtë që përveçse vajza dhe djem të talentuar dhe me ambicie për jetën dhe punën e tyre, janë edhe qytetare e qytetarë të mirë të këtij vendi”.

Sqarimi i Ramës për kohën e diktaturës
Për t’iu shpjeguar të rinjve të lindur pas viteve ’90 se si jetohej në kohën e diktaturës, Rama bëri paralelizëm me këngëtaren Kamela Islami. “Për shembull, Kamela do të ishte e paimagjinueshme në atë kohë. E veshur si s’ka më keq. Vetëm me atë gjysmën e supit të nxjerrë do e kishin çuar të punonte në kooperativë kushedi se sa vjet, që të riedukohej. Me ato lëvizjet që bënte në skenë do ta kishin çuar në minierë, kush e di se sa vjet dhe sa thellë nën tokë që të riedukohej. Për të mos diskutuar pastaj me pantallona të shkurtra që do kishte përfunduar në burg”, tha Rama.

Historia e Ramës me piktorin
“Doja t’ju tregoja diçka që sot mund t’ju duket si e pabesueshme, por është njëra nga mijëra ngjarjet e një bote tjetër për të pasur një ide se çfarë ndodhi në Shqipëri përpara 8 dhjetorit të vitit 1990. Kjo ngjarje ka të bëjë me një piktor nga Shkodra, i cili kishte çuar në ekspozitën e Arteve, se vetëm një ekspozitë kryesore kishte në atë kohë, çoi pikturën e tij dy vile rrushi në një pjatë. Ai u shqetësua se pse nuk ia ekspozuan dhe shkoi te Lidhja e Shkrimtarëve dhe pyeti: ‘Si ka mundësi që nuk u ekspozua piktura ime?’. Sekretari i Lidhjes i tha: ‘Të jesh i lumtur që piktura nuk u ekspozua, se mund të të ishin hap telashe’. Piktori: ‘Unë dy vile rrush pikturova’. Sekretari i tha: ‘Po ku ka telash më të madh se nga ato 2 vile rrush, hapen debate. Pse janë këto 2 vile rrush, kush do e hajë këtë rrush, pse janë rrush etj. Më mirë që s’e pa kjo punë dritën e diellit ndaj kthehu i qetë’.
Piktori u shqetësua, u rikthye te piktura, hoqi perden në sfond të tablosë, në vend të saj pikturoi një kodër me vreshta dhe majë kodrës vuri flamurin kuq e zi dhe rrushin në tablo, por sërish nuk ia ekspozuan.
Sekretari i tha: ‘Këtë radhë shpëtove edhe më mirë, ke njerëz që të mbajnë afër këtu. Lindën pyetje të tjera, shumë të rënda: çfarë është ky njeri që shet rrush ndërkohë që të tjerët rropaten në kodër duke punuar?’.
Atëherë, herën e tretë, piktori i hoqi fare dy vilet e rrushit dhe pastaj iu ekspozua piktura”, tregoi Rama.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura