“Dita e qyteteve”,  Veliaj në Gjenevë: Historia nuk ka vend për ata që dalin kundër shkollës shqipe

Apr 8, 2019 | 16:33
SHPËRNDAJE

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në takimin “Dita e qyteteve” që u organizua sot nga Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Evropën, me seli në Gjenevë, në fokus të të cilit ishte shkëmbimi i pikëpamjeve, njohurive dhe praktikave të mira planifikimit të suksesshëm që bëjnë bashkitë për të përmirësimin e cilësisë së jetës të qytetarëve të tyre.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj bëri një prezantim të nismave kryesore të Bashkisë së Tiranës, që synojnë ta bëjnë qytetin më të mirë dhe më të jetueshëm, duke nisur nga strehimi, rritja e qëndrueshmërisë urbane dhe përballimi i fatkeqësive natyrore, plani i veprimit për një qytet të gjelbër, krijimi i pyllit orbital, përdorimi i mjeteve të zgjuara për promovimin e trashëgimisë kulturore, rigjallërimi i festave lokale, si dhe ndërtimi i një infrastrukture moderne arsimor, që nga çerdhet, kopshtet, e deri te shkollat.

veliaja

Veliaj tha se pas rikonstruksionit të të gjitha çerdheve dhe kopshteve, Bashkia e Tiranës ka vijuar punën me rikonstruksionin e shkollave ekzistuese, si dhe ndërtimin e shkollave të reja, për t’i dhënë një mundësi arsimimi më të mirë brezit të ri dhe për të zhdukur një herë përgjithmonë mësimin me dy turne.

“Jam shumë i lumtur që OKB-ja ka vendosur qytetet në epiqendër të diskutimit publik. Zakonisht, shtetet janë ato që marrin angazhimet kryesore, por në fund të ditës zbatohen nga qytetet dhe jam shumë i lumtur që Tirana u përzgjodh si një ndër qytetet që po zgjidh më në fund çështjen e mbingarkimit të kopshteve, çerdheve e shkollave. Në fillim të mandatit e nisëm me çerdhet, vijuam me kopshtet, tani ka ardhur radha e shkollave. Disa shkolla të reja i kemi bërë, siç është shkolla “Kosova”, shkolla “Hoxha Tahsin”, “Betim Muço”, “Ardian Klosi”, Liceu i ri, shkolla e re e Baletit, disa nga gjimnazet që janë shtuar në kapacitet, ama 17 shkollat e reja që kanë sot të gjitha kushtet për të qenë ndërtesa të qëndrueshme, me termoizolim, me hapësira që i kthejnë shkollat në qendra komunitare, ishin gjëja që u vlerësua më shumë në OKB e Gjenevës”, tha Veliaj.

Ai theksoi se Bashkia e Tiranës është e vendosur që t’i shkojë deri në fund realizimit të projektit të 17 shkollave, pavarësisht zhurmës që krijohet nga një pakicë që shprehet kundër çdo projekti që sjell zhvillim në qytet. “Jam më i vendosur se kurrë që të vijojmë me projektin e 17 shkollave. Unë i di të gjitha forcat që janë ngritur kundër, me histeri, janë të njëjtat forca që u ngritën edhe kundër këndit të lojërave, sheshit “Skënderbej”, i cili pret një çmim tjetër, edhe kundër Pazarit të Ri. Megjithatë, dua t’i kujtoj kujtdo që ngrihet kundër shkollës shqipe, se historia e Shqipërisë ka një vend shumë të errët për ata që ngrenë dorë kundër shkollës shqipe. Sot, të gjesh justifikime, për sa kohë që bashkia shpronëson një privat dhe bën një shkollë, të sajosh histori dhe alibi, do të thotë të rezervosh vendin më të errët në historinë e Shqipërisë, kur ajo të shkruhet pas disa vitesh. Historia e Shqipërisë ka treguar se kush ka luftuar për shkollën dhe arsimin shqip, ka bërë investimin më të madh për vendin e tij”, theksoi Veliaj.

Duke iu referuar pikërisht protestave të nxitura nga partitë e opozitës kundër projektit të shkollës së re të integruar në Kodër- Kamëz, Veliaj theksoi se ajo do t’i shërbejë 30 mijë banorëve që sot janë të detyruar t’i çojnë fëmijët e tyre shumë larg nga zona e tyre e banimit.

veliaj

“Kodër-Kamza sot ka rreth 30 mijë banorë. Kemi dy mundësi: ose ta shohim Kodër-Kamzën si kontigjent për protestë dhe dhunë, siç bëjnë disa parti për interes të tyre apo të politikanëve që fëmijët e tyre i çojnë në shkolla jashtë shtetit, ose të themi se ka ardhur koha që edhe ai komunitet të ketë një shkollë cilësore, po aq cilësore sa shkolla “Kosova”, që djemtë dhe vajzat aty të mos jenë kontigjent dhune, por kontigjent talenti, pasioni dhe pune, që vjen vetëm nëpërmjet djersës së tyre”, shtoi Veliaj.

Kryebashkiaku tha se çdo fëmijë ka të drejtën të arsimohet dhe edukohet njësoj në gjithë territorin e Tiranës, ndërsa theksoi se Bashkia e Tiranës do të vijojë konsultimet me të gjitha grupet e interesit kudo që do ndërtohen shkolla të reja. “Çdo fëmijë ka të drejtë të arsimohet njësoj në Tiranë, edhe nëse ka lindur në Kodër-Kamëz, që është ekstremi verior i qytetit, apo në Bllok: duhet të ketë të njëjtin shans, me të njëjtën cilësi, siç është shkolla “Kosova”, të arsimohet dhe t’ia dalë me sukses në qytetin tonë. Do të vazhdojmë konsultimet me të gjitha palët që duan të marrin më shumë informacion, ama aferat korruptive, interesat politike dhe impotenca e atyre që nuk ndërtuan asnjë shkollë në Tiranë, nuk do të pengojnë Tiranën e 17 shkollave. Për sa kohë që na vlerëson bota, nuk besoj se ka shqiptar që të dalë kundër shkollës shqipe, përveçse një pakicë që gjithmonë bëhet më e dhunshme dhe gjithmonë po bëhet më e përjashtuar nga shoqëria”, u shpreh kryetari i bashkisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura