Dita e parë e shkollës/Balla mesazh opozitës: Të bësh politikë me pandeminë është mungesë e intelektit

Sep 14, 2020 | 13:16
SHPËRNDAJE

ballaSekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla ishte në Elbasan, ku nga shkolla “Jorgji Dilo” uroi të gjithë nxënësit dhe mësuesit për vitin e ri shkollor.

Teksa foli për të gjitha masat që qeveria ka marrë, Balla iu drejtua opozitës, duke i thënë se është skandaloze dhe mungesë intelekti që të bësh politike me shkollat. Ndërsa i bëri thirrje prindërve që të plotësojnë formularin për gjendjen shëndetësore të familjes.

 “I bëj thirrje çdo prindi që të plotësojë me kujdes një formular që është shpërndarë për të raportuar rastet e detektuara me temperaturë apo të supozuara për COVID-19 në familje, sepse kjo na ndihmon për të parandaluar çdo lloj të përhapjes së pandemisë apo kthimin e shkollave në vatra  të pandemisë. Nga ana e bashkisë kujdesi për higjienën do të vazhdojë dhe ne jemi këtu për të mbështetur.  

Kam parë sot përsëri një pjesë të opozitës rrugore që shfrytëzon këtë situatë të vështirë për të bërë politikë. Ne jemi këtu për të dëshmuar solidaritet dhe atë që ka më shumë nevojë arsimi që të jemi të gjithë bashkë për ta mbështetur dhe për tu përkujdesur që ky vit shkollor të mbarojë në fund të mbarimit të viti shkollor.   

Bashkë me bashkinë do të sigurojmë për çdo shkollë mbështetje me maska apo mjete të tjera mbrojtëse dhe janë bërë. Padyshim një maskë nuk mund të mbahet për një kohë të gjatë dhe ky është një proces që do të vazhdojë. Të jeni të sigurt që kujdesi do të vazhdojë për çdo moment. 

Të bësh politikë me pandeminë është të kesh mungesë të theksuar të intelektit minimal për të kuptuar se çfarë ka nevojë Shqipëria sot”, theksoi Balla.

Balla tha se janë mbi 200 shkolla dhe procesi parapërgatitor ka ecur mirë.

“Gjej rastin t’i uroj gjithë stafit mësimor dhe çdo nxënësi suksese për një vit të ri shkollor me plot rezultate të mira në shkollë.  Është një vit shkollor që fillon në kushtet e pandemisë, por gjej rastin të falenderoj Drejtorinë Arsimore dhe bashkinë për marrjen e masave. Janë më shumë se 200 godina në të gjithë bashkinë Elbasan dhe procesi parapërgatitor ka ecur mirë. Është garantuar gjithçka e domosdoshme për mbrojtjen e shëndetit në kuadër të masave mbrojtëse, sikurse janë  paisja me maska, dezinfektimi apo ruajtja e distancave, në nxënës një bankë. Shpresoj që gjithçka do të eci mirë dhe suksesi varet nga përkujdesja e prindërve dhe mësuesve”, deklaroi Balla.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura