Dita e parë e shkollës… si e fundit

Sep 17, 2019 | 10:00
SHPËRNDAJE

BESART KADIA Besart-Kadia

Teksa shihja Kryeministrin e vendit, kryetarin e Bashkisë Tiranë, ministren e Shëndetësisë dhe deputetë të Tiranës që merrnin pjesë në inaugurimin e një shkolle të re, mendova se ishte një parodi televizive se si do ishte një sistem bosh diktatorial në vitin 2019. Më datë 16 shtator 2019, qeveria dhe pushteti lokal me një koreografi të mrekullueshme  televizive e dhjetëra kamera të vendosura në çdo cep të shkollës “Servete Maçi” në Tiranë, paraqitën “mrekullinë” e tyre për sistemin arsimor në vend. Fëmijë që luanin piano e të tjerë që stërviteshin, që në orën e parë të mësimit krijuan tablonë e një propagande argëtuese, por që në thelb aspak shpresëplotë për të ardhmen e fëmijëve tanë. Një shkollë më shumë në Tiranë nuk tregon asgjë se ç’po ndodh me sistemin arsimor në vend. Qeveria ka për detyrë të tregojë statistika, të dhëna financiare, të dhëna të rritjes së cilësisë së mësimdhënies, të dhëna mbi pagat e mësuesve, të dhëna mbi investimet, mbi kapitalin njerëzor….Por mesa duket, ka një arsye përse nuk e bën këtë…

Në ditën e parë të shkollës, qeveria vendosi të nxjerrë po ashtu Policinë e Shtetit, për të treguar se Policia ka marrë masa për të bërë fëmijët të ndihen të sigurt në shkollë. Por kjo qasje tregon dhe një herë se kjo qeveri nuk e merr sinqerisht edukimin. Predatorët që rrinë jashtë kangjellave të shkollës janë vetëm minimumi për të garantuar ambient të sigurt për të rinjtë. Shumica e fëmijëve shqiptarë nuk ndihen të sigurt brenda ambienteve të shkollës.

Së pari, bullizmi në shkollat tona është shndërruar në një problem serioz. Në një studim të financuar nga Këshilli i Europës, publikuar në vitin 2017, shihet qartë se një në tre fëmijë në shkollat shqiptare përjeton bullizëm. Po ashtu, 60 % e mësuesve pohuan se në shkollat e tyre, ngjarje të tilla janë të pranishme duke e bërë këtë çështje endemike. Një tjetër studim me një kampion prej 1435 nxënësish, realizuar nga “Save the Children”, në bashkëpunim me Fondacionin e Zgjidhjes së Konflikteve dhe Mosmarrëveshjeve (2013) zbuluan se 28% e nxënësve ishin pjesë e konflikteve serioze në shkollë dhe 42 % e tyre nuk ndiheshin të sigurt në klasë. Pra, teksa jashtë klasës qeveria merr masa me policë për sigurinë fizike të fëmijëve, brenda mureve të shkollës 42% e tyre nuk ndihen të sigurt. Po në Tiranë? Në vitin 2015, një studim i kryer nga E. Ismaili, pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale, përdori një mostër prej 853 nxënësish (nga klasa VI deri në IX) dhe 11 mësues, në 11 shkolla 9-vjeçare në qytetin e Tiranës. Studimi zbuloi se 42.3% e nxënësve janë të përfshirë në dukurinë e bullizmit.

Pra, gjasat janë që në shkollat ku ju çoni fëmijët tuaj, me shumë dashuri e me lule në dorë, si në kohën e komunizmit, fëmija juaj do të përjetojë dhunë. Forma më e përhapur e bullizmit është ai psikologjik. I dyti është bullizmi verbal. Në vendin e tretë renditet bullizmi fizik. Bullizmi ndikon direkt në performancë të ulët në akademi. Po ashtu, ai prind që ndihet i sigurt se fëmija e tij është duke bërë bullizëm dhe jo duke e pësuar atë, duhet të dijë që shanset që ai të përfshihet në aktivitete kriminale rriten me 60%, sipas studimeve të bëra në SHBA. Askush nuk është i sigurt!

SI ZGJIDHET?

Mësuesit e pyetur në studim tregojnë se është e nevojshme të ketë një politikë kundër bullizmit, si thelbësore për një mjedis më të mirë për të gjithë nxënësit. Po ashtu, kur shkohet më tej në perspektivën sistematike, ky mbetet një problem i thellë kulturor, që adresohet nga të gjitha institucionet shoqërore si familja, shkolla e pushteti qendror. Studimet e paraqitura më lart tregojnë se sistemi i edukimit në Shqipëri po përballet sot me sfida të mëdha, kur i referohemi sigurisë në shkollë. Ndërkohë që Policia e Shtetit mendon se siguria arrihet vetëm nëpërmjet mbajtjes larg të kriminelëve dhe shitësve të drogës.

Së dyti, pasi të arrihet paqja në klasë, fillon sfida e madhe e edukimit. Edhe nëse fëmija juaj ka aftësi intelektuale dhe do të zhvillohet, ai përsëri do të rrethohet nga nxënës që nuk do arrijnë ta kuptojnë. Të dhënat e fundit, të bëra publike nga PISA, tregojnë se 57% e nxënësve 15-vjeçarë në Shqipëri nuk kuptojnë çfarë lexojnë. Këta njihen ndryshe si analfabetë funksionalë. Gjasat janë që në dhjetë fëmijë, gjashtë prej tyre nuk do arrijnë të kuptojnë se çfarë fëmija ka dashur të thotë. Për vendet e zhvilluara, ky indikator është 14%. Dhe në fund, deri në fund të Maturës do të ketë në klasë nxënës, që arrijnë të marrin mesatarisht notën 6.8 në letërsi dhe 6.5 në matematikë. Jemi nën mesatare edhe për vetë standardet e vendosura nga Republika e Shqipërisë.

PO NË STATISTIKA NDËRKOMBËTARE, SI PARAQITEMI?

Në rast se jeni të interesuar të dini se çfarë mundet të arrijë një fëmijë në 18 vite shkollim në Shqipëri, mund të shihen të dhënat e Bankës Botërore për Indeksin e Kapitalit Njerëzor, ku kemi 0.63 pikë nga 0.79 për Çekinë , 0.7 për Kroacinë e 0.77 për Serbinë… Ky indeks tregon se sa kapital njerëzor mundet që një fëmijë të arrijë në 18 vite në sistemin arsimor, i cili në vetvete tregon se sa të mundur e ka një ekonomi për të krijuar rritje ekonomike të qëndrueshme dhe për të ulur nivelin e varfërisë. Ky indeks tregon koston që ka një shoqëri në rast se nuk investon në burimet njerëzore për të ardhmen e saj. Megjithëse të dhënat duken të ngadalta dhe të padukshme për shumicën e popullatës, ajo është në fakt një fotografi e së ardhmes që pret shoqërinë. Jemi më poshtë se vendet e rajonit edhe në këtë indikator…

Po ashtu, në shkencë 15-vjeçarët shqiptarë marrin 427 pikë, nga një mesatare prej 493 pikësh në OECD. Në matematikë 413 pikë, nga 490 pikë në mesatare dhe në lexim marrin 405 pikë, prej një mesatareje 493 pikësh në gjithë vendet e tjera.

Gjithashtu, në rast se keni një vajzë, ka gjasa të ndieni më shumë krenari. Në rastin e Shqipërisë, vajzat arrijnë rezultate disa herë më të larta sesa djemtë në të gjitha llojet e testeve të PISA-s. Në fakt, diferenca në arritje pikësh është dhe më e lartë në të gjithë vendet që kanë ndërmarrë këtë test në botë. Djemtë në shkollat shqiptare kanë nivelin më të ulët në botë për sa i përket aftësisë për të lexuar. Paaftësia e tyre për të lexuar nën nivelin 2 të listës së PISA-s është më e larta në botë. Po ashtu, jemi dy vende larg për të qenë të fundit për sa i përket aksesit kompjuterik në shkolla, të 66-ët nga 69 shtete.

E si të mos mjaftonin këto për të çuar fëmijën tuaj në shkollë, në rast se jeton në Tiranë, je duke ecur në një ndër qytetet më të ndotura në Europë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tirana e ka nivelin e ndotjes 60% më të lartë sesa mesatarja e lejuar. Dhe në mbyllje, 15.000 të rinj largohen çdo 12 muaj nga Shqipëria.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura