Dita e Librit/ Mark Marku: T’i gjejmë librit arsyen e ekzistencës në kushte të reja

Apr 24, 2015 | 14:02
SHPËRNDAJE

Për Mark Markun, për të zgjidhur krizën e lexueshmërisë, së pari duhet kuptuar se si e konceptojmë ne sot librin dhe leximin.

Mark Marku

“Ne mendojmë të kthejmë leximin dhe librin si para 20, 100 apo 200 vjetëve, por duhet të kemi parasysh se libri dhe lexuesi kanë ndryshuar si formë komunikimi. Nuk mund të vazhdojmë të qajmë për një të shkuar që nuk është më, por t’i gjejmë vendin librit në forma moderne”, tha Marku.

Çështja nuk mund të mbetet vetëm te botuesi. “Libri po ashtu është një prodhim, një mall industrial, me ligjësitë e veta, por përtej përdorimit si mall, ka edhe vlera ideore e estetike. Sot, kushdo ka të drejtë të prodhojë një mall dhe nuk mund të ndalojmë dot askënd që të botojë një libër për gjyshin, gjyshen, malin, fushën… por botuesit, shkolla, kritika, media… mund të kontribuojnë në krijimin e një atmosfere të legjitimimit dhe delegjitimimit të librit si vlerë, përtej përdorimit material”, tha Marku.

Sipas tij, botuesit si institucion janë shfaqur që në kohën e romakëve, kur ishin autorët me leximet e tyre publike nëpër sheshe që u imponoheshin botuese, ndërsa sot duhet menduar se si mund të evoluojë kultura e leximit dhe e librit. Marku thotë se, sot kanë ndryshuar dinamikat e jetës e në të edhe ajo e leximit dhe askush nuk do të mund të detyronte një të ri të lexonte “Luftën dhe Paqen”, ndryshe nga shumë vjet më parë, kur leximi ishte e vetmja mënyrë argëtimi dhe njohjeje.

“Nëse do fillojmë të mendojmë seriozisht, duhet të kemi parasysh rrethanat e reja”, tha Marku.

Sipas tij, përgjatë gjithë historisë, sa herë që ka dalë një media e re, është folur për rrezikun e zhdukjes së asaj të vjetër. “Asnjë media nuk është zhdukur, por është përpjekur të gjejë arsyen e ekzistencës. Duhet t’i gjejmë librit arsyen e ekzistencës në kushtet dhe rrethanat konkrete”, u shpreh Marku.

Persida Asllani: Kritikë kritikës

Në një kohë kur antivlerat shiten si vlera, kur autorë me pushtet e para i gjejnë të gjitha korridoret për të shitur veprat e tyre si superlibra, drejtorja e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani, thotë se nëse kritika nuk është faktori kryesor që mund të shpërndajë mjegullën e krijuar në botime, atëherë do të duhej të funksiononte kritika e kritikës.

Duke iu referuar një prej atyre rasteve kur botuesit shpallin një vepër të botuar prej tyre si librin më të mirë të 25 viteve të fundit, ajo tha se ky lloj publiciteti nuk i dha as çmim dhe nuk e bëri as bestseller librin, pasi lexuesi nuk u bë pre e presionit dhe kompromisit.

Alma Mile 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura