Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca zhvilloi pranë institucionit që udhëheq një aktivitet me veprimtari promovuese në kuadër të Ditës Botërore të të Drejtave të Fëmijëve.
Pjesë e këtij aktiviteti u bënë personazhe të ndryshme si dhe nxënës të cilët shprehën përmes artit perspektivën e tyre mbi të drejtat e fëmijëve, në përputhje me moshën dhe pjekurinë.
Në fjalën e saj, Ballanca theksoi se të drejtat janë një detyrim dhe se rrënjosja e hershme e njohurive në këtë drejtim, ndihmon në formimin e një brezi që jo vetëm është i mirë-informuar për të drejtat e tyre, por gjithashtu është i gatshëm të kontribuojë pozitivisht në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në tërësi.
Hapjen e kësaj ekspozite me artin e nxënësve, e përshëndeti edhe deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, Erisa Xhixho, njëkohësisht zëvendëskryetare e Grupit të Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”, e cila theksoi nevojën për të ndërtuar një qytetari të angazhuar dhe i inkurajoi fëmijët që nga njëra anë t’i njohin përgjegjësitë e tyre dhe nga ana tjetër të luftojnë për të arritur çdo të drejtë që ju takon.
Ndërkohë, gjatë këtij aktiviteti ishte parashikuar edhe dorëzimi i disa certifikatave mirënjohjeje, të cilat u shpërndanë nga komisionerja e Seksionit për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve, Olta Aliaj, e cila shprehu mirënjohjen për mundësinë që fëmijët iu dhanë për të kuptuar botën e tyre përmes mesazheve në piktura.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al