“Distancimit social”- Psikologia këshillon qytetarët: Si të veprojmë për të shfuqizuar efektin e Covid-19

Mar 20, 2020 | 15:00
SHPËRNDAJE

Fiorela ShalsiFiorela Shalsi, Psikologe

Ok, le ta pranojmë se Covid-19 gjeti kohën më të gabuar për tu shfaqur. Prag pranvere, kur mezi po prisnim të shijonim diellin, gjelbërimin, e gjithë aktivitetet e mundshme që do donim të bënim. E ndërsa dielli jashtë të thërret, vihet re një ndjesi pezullimi… Tani, çfarë? Kështu do të vazhdojmë? Edhe për sa?

Ditët e para të izolimit ishin krejt ‘të çmendura’ për hesap të tyre. Ndërsa po përpiqeshim të kuptonim çfarë po ndodhte, krijimtaria njerëzore nga vende që tashmë kishin kaluar ditë në karantinë, vërshoi duke shpalosur një gamë të gjerë të reagimeve njerëzore. Video e mesazhe pafund, pothuaj nuk na lanë as të mendojmë e as të shohim se si është realisht situata. Në thelb pothuaj të gjitha synonin të përçonin humor dhe ide se si mund të përballohet qëndrimi në shtëpi në këtë periudhë të jashtëzakonshme. Humori në fakt është një nga reagimet e shëndetshme që mund të çlirojë peshën e stresit dhe ankthit dhe është mese i nevojshëm. Por, përveç humorit kemi nevojë për më shumë që të ndihemi në kontroll të situatës.

Nga vëzhgimi i lajmeve, medias sociale, bisedave me familjarë e miq, duket se janë dy grupime të mëdha se si po reagojmë ndaj Covid-19. Ata që e kanë marrë shumë seriozisht kërcënimin dhe kanë marrë masat maksimale për të lëvizur sa më pak dhe duke ruajtur distancën sociale (më shumë për këtë pak më tej) pavarësisht se sa të shëndetshëm apo vulnerabël ndihen. Dhe ata që, për disa arsye të bazuara ose jo, besojnë se kjo sëmundje nuk do t’i prekë dhe gjithçka që po ndodh është e ekzagjeruar dhe duhet të mbarojë sa më shpejt. Por, pothuaj si gjithmonë e vërteta qëndron diku në mes. Sigurisht, secili grupim ka arsyet e veta për pozicionimin në llogoren e vet që variojnë nga qasjet personale “më mirë të parapërgatitur” ose “po e kisha për risk, të shohim çdo bëjmë” deri tek burimet e informacionit dhe lajmet që përzgjedhim. Këtu përfshihen edhe njoftimet apo masat e ndërmarra nga qeveria, por edhe njoftimet se çfarë ndodh në vendet e prekura përpara nesh dhe çfarë ka ndodhur ndërkohë atje.

Në fakt, pavarësisht gjithë informacioneve, mungesës së tyre apo keqinformimeve, duket se një informacion që përsëritet është se ky virus mund të prekë 70% deri 80% të popullatës dhe të paktën rreth 15% deri 20% do të zhvillojnë simptoma që do të kenë nevojë për hospitalizim. Diskutimi kryesor i qeverive për të ndalur përhapjen duke analizuar specifikat e popullatës si dhe kapacitetet bazë që secili shtet ka për hospitalizim, mjekime apo shërbime të tjera është ulja e kurbës së personave, të cilët do kenë nevojë për hospitalizim brenda së njëjtës kohë. Pra, në këtë moment është domosdoshmëri shtrirja në kohë e infektimit potencial në mënyrë që ata që shtrohen të marrin shërbimin maksimal dhe të shpëtojnë nga vdekja apo përkeqësimi serioz. Kjo bëhet edhe më kritike duke llogaritur edhe shtrimet nga sëmundje apo incidente të tjera, të cilat rrisin numrin e pacientëve dhe ulin kapacitetin e stafit mjekësor për t’u përgjigjur.

Më specifikisht kurba është e tillë. Burimi CDC[1]

Më specifikisht kurba është e tillë. Burimi CDC

Mekanizmi më i sigurtë që po ndiqet deri tani për të përballuar situatën është distancimi social, izolimi ose vetëizolimi. Arsyeja për këtë është se duke qenë se simptomat nuk shfaqen deri nga disa ditë deri në dy ose tre javë secili nga ne përmes kontaktit social ka potencialin të infektojë deri në 400 individë të tjerë. Nëse ne izolohemi maksimalisht mund ta ulim përqindjen e infektimit deri në 2 ose 3 individë për të njëjtën periudhë kohore, Kjo është një diferencë jetike.

EKSPOZIMI SOCIAL

Por kur një informacion kaq bazik dhe logjik ndihmon për të kuptuar si të reagojmë në formën e duhur, pse ende kemi vështirësi për të vepruar? Si ka mundësi që ne ende dalim në grupe sidomos djemtë e rinj që më së fundi duket se kanë zbuluar biçikletat, apo edhe vetë të moshuarit që janë potencialisht grupi më i riskuar në këtë betejë? Dielli pranveror mund të thotë dikush… apo dëshira për t’i shijuar rrugët bosh të qytetit që më së fundi vërtet mund të duket sikur është krejt i yti. Dakord pranvera dhe rrugët bosh e ajri i pastër janë arsye të qëndrueshme. Por do ndalesha edhe në disa arsye të tjera social-psikologjike që duhet t’i kemi parasysh: të painformuarit, ata që nuk identifikohen me grupin e të sëmurëve dhe ‘kokëfortësia’ për të pranuar statusin e personit në risk (edhe pse kjo na prek pak a shumë të tërëve si shqiptarë).

Së pari, problemi me ‘informimin’ është se për t’u ndjerë në kontroll, në këtë kakofoni informacioni dhe situate paniku, njerëzit në mënyrë të ndërgjegjshme ose jo do përzgjedhin ato të dhëna apo informacione që do ju japin sensin më të lartë të sigurisë. Në një situatë anormale, kur të dhënat dhe informacioni ofrohen ndërsa njerëzit humbasin jetën apo masat shtrënguese bëhen gjithmonë e më ekstreme, tipikisht do synojmë të gjejmë informacionin që do na ndihmojë të perceptojmë se ne jemi përjashtimi i rregullit dhe se kemi shumë pak shanse nga të tjerët të prekemi nga ky virus. Nga ana tjetër mund të përvetësojmë sjellje ekstreme që të rrisim ndjenjën e kontrollit. Kjo tendencë do sjellë rrjedhimisht njerëz të disinformuar ose do krijojë mbireagime me sjellje specifike, të cilat në fakt mund të krijonë më shumë tension dhe ankth duke qenë se nuk janë pjesë normale e sjelljeve tona. Si rrjedhim, është e rëndësishme që burimet e informacionit të mos i përzgjedhim për të rikonfirmuar sigurinë tonë, por për të kuptuar objektivisht seriozitetin e situatës. Për këtë mund të përdorim si burime të besueshme qoftë individë apo burime mediatike që e dimë paraprakisht që janë rigoroze dhe objektive.

Së dyti është grupi i atyre që nuk identifikohen me individët që tipikisht duket se preken nga ky virus. Informacionet paraprake japin të dhëna mbi moshën, gjininë madje dhe grupin e gjakut. Këto specifikime krijojnë grupet që ndihen të përjashtuar nga rreziku. Këto informacione flasin për vdekshmëri më të lartë të moshave mbi 60 vjeç ndërkohë që meshkujt duket se preken më shumë, ndërsa individët me grupin e gjakut 0 duket se preken më pak. Të gjitha këto informacione paraprake ende të pakonfirmuara shkencërisht ne i përdorim për t’u vetësiguruar sa shanse kemi për t’u prekur.

Pra e thënë ndryshe, një vajzë 30 vjeç me grupin e gjakut 0, duket se ka më pak shanse që të preket ndaj duhet të ndihet më e sigurtë. Por a është e vërtetë kjo? Nga  dëshmitë që po shpërndahen gjithmonë e më gjerësisht në mediat sociale, vajza të kësaj grupmoshe që janë prekur nga Covid-19 po mundohen të rrisin ndërgjegjësimin se kjo sëmundje nuk është e ngjashme me asnjë grip që mund të kenë kaluar në jetën e tyre. Ato konfirmojnë se lufta prej pothuaj 3 javësh me virusin ka qenë shumë e vështirë dhe kanë menduar se po vdesin nga vështirësitë në frymëmarrje dhe temperatura e lartë (ndiq për më shumë Noemi Orofino instagram). Pra edhe nëse jeni një vajzë apo djalë i ri, i shëndetshëm, vërtet do të donit të kalonit një eksperiencë të tillë? Por edhe nëse jeni kurajozë mjaftueshëm, a mendoni se njerëzit e dashur që ju rrethojnë kanë të njëjtat aftësi për të përballuar një sëmundje të tillë?

Së treti, po nëse jeni pjesë e grupit në risk? Mjekët më tej kanë konfirmuar se ata që kanë probleme me zemrën, diabetin, mushkëritë ata që vuajnë nga kanceri, HIV, që kanë bërë transplant organesh apo kanë komplikacione të tjera të sistemit imunitar rrezikojnë gjithashtu. Pra relativisht një kategori e gjerë njërëzish. Gjyshërit e një mikes sime, të cilët janë shumë aktivë, mjaft me humor dhe gëzojnë shëndet të plotë thonë me humor se “kur nuk na ka gjetur gjë deri tani me gjithë ato që kemi kaluar nuk do na gjejë gjë as nga Corona”.

Shumë prej atyre që duhet të bindin prindërit apo edhe gjyshërit për më shumë kujdes kanë ndeshur në rezistencë me një kokëfortësi që shpesh ka krijuar konflikt. Ajo që duhet të kenë parasysh në këtë rezistencë është se për disa prej tyre është shumë e vështirë të pranojnë hapur që janë të vjetër, vulnerabël, të sëmurë apo që nuk janë ‘specialë’ mjaftueshëm që të shpëtojnë pa u prekur. Për të tjerë mund të jetë e vështirë të pranojnë ndërrimin e roleve e të dëgjojnë fëmijët ‘t’ju tregojnë se çfarë duhet të bëjnë’. Ndaj shpesh, për hir të kokëfortësisë që buron nga krenaria, mohimi i statusit si person vulnerabël apo në risk apo dhe vetbesimit se i kanë gjërat nën kontroll grupi që është më shumë në risk mund të mos ndërmarrë sjelljet e duhura. Ndaj duke ditur edhe këto faktorë, komunikimi me këtë grup duhet të jetë i ndryshëm, më shumë informues dhe mbështetës sesa stigmatizues apo urdhërues.

Shumë nga ne fatkeqësisht mendojnë se serioziteti i virusit lidhet veçanërisht me kontekstin tonë të ngushtë dhe rrethin e vogël të miqve apo familjarëve. Për sa kohë askush nuk është infektuar brenda këtij rrethi, atëherë gjithçka është ok. Por nëse një pjesë prej nesh nuk informohet sic duhet, një pjesë mendon se nuk ka shanse të preket nga virusi dhe ata që janë pjesë e grupit në risk nuk e pranojnë këtë status, atëherë do të thotë që të gjithë kemi shumë për të bërë për ta përballuar sic duhet këtë pandemi. Kjo sepse ndryshe nga ne, ky virus nuk diskriminon. Pavarësisht se mund të ketë një grup që është më vulnerabël, Covid-19 mund t’na bëjë ‘fajtorë në krim’ duke na përdorur si mbartës dhe përçues drejt personave më vulnerabël dhe ndërkohë më të dashur për ne, por pa harruar t’na japë edhe ne disa javë shumë të vështira e ndoshta me pasoja. Ndaj kujdesi nuk është më vetëm për veten, por për të gjithë ata që na rrethojnë.

E ndërsa dielli mund të na ftojë të dalim jashtë, humori e media sociale t’na ndihmojnë të përballojmë disa orë në karantinë, ndërgjegjësimi dhe detyrimi për të qëndruar në shtëpi dhe për të ruajtur distancën sociale është jo vetëm për të shpëtuar veten, por mbi të gjitha për të refuzuar të jemi bashkëpunëtorë të Covid-19 për të shkaktuar viktima të tjera, kështu të gjithë bashkë mund ta shfuqizojmë sa më shpejt për të shijuar edhe shumë pranvera të tjera.

 

[1] https://ëëë.vox.com/science-and-health/2020/3/6/21161234/coronavirus-covid-19-science-outbreak-ends-endemic-vaccine

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura