Diskutimet me FMN, Ahmetaj: S’ka rritje taksash

Jun 18, 2016 | 15:37
SHPËRNDAJE

Qeveria dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë gjetur gjuhën e përbashkët që në paketën e re fiskale të mos ketë rritje taksash.

Një nga konferencat e FMN-së
Një nga konferencat e FMN-së

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, garantoi dje se nga diskutimet që qeveria po zhvillon me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar është rënë dakord që në paketën fiskale të muajit korrik të mos ketë rritje të taksave. Qeveria ka gati paketën e re fiskale, për të cilën ministri i Financave, Ahmetaj, përsëriti se ajo sjell vetëm thjeshtim të procedurave administrative për biznesin.

“Nuk ka rritje taksash. Ne kemi avancuar një paketë procedurash jashtëzakonisht të avancuar, një revolucion në marrëdhëniet e administratës me sipërmarrjen në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të klimës së biznesit. Ato që kemi përfshirë në paketë janë praktika më e mirë ndërkombëtare të marrëdhënieve të administratës me biznesin”, sqaroi Ahmetaj gjatë konferencës për shtyp. Në muajin korrik, Financat do të rishikojnë buxhetin e 2016- s, çka do të sjellë shpërndarjen e fondeve në investime.

“Rishikimi i buxhetit do të bëhet në mes të vitit dhe do të ketë të gjitha tipologjitë që ka rishikimi i buxhetit në mes të vitit, që ka të bëjë me eficencën e realizimit të buxhetit”, shpjegoi kreu i Financave. Për zhvillimet ekonomike, Ahmetaj deklaroi se ajo ka hyrë në cikël rritjeje afatgjatë konsolidues.

“Ekonomia shqiptare është futur në një trajektore rritjeje për 4-5 vitet që vijnë, pra jemi futur në një cikël pozitiv ekonomik. Unë jam i bindur se nëse nuk do të ketë asnjë aksident politik apo ekonomik rajonal, europian apo vendas, ekonomia shqiptare kalon në një trend të konsoliduar mbi 3 për qind këtë vit dhe me rritje në vitin e ardhshëm”, tha ministri. Ahmetaj shpjegoi se kjo faktohet nga shifrat për rritjen e investimeve dhe uljen e papunësisë.

“Shifrat e muajve të parë të vitit 2016 janë shumë shpresëdhënëse, siç është indeksi i ndërmarrjeve me rritje të konsiderueshme të numrit të ndërmarrjeve, krahasuar me vitin 2015. Nga 638 ndërmarrje të huaja që janë regjistruar këtë vit, 350 prej tyre janë me kapital të plotë italian. Kjo tregon rritje të investimeve dhe interesit për Shqipërinë dhe uljen e papunësisë. Shqipëria ka kapur trendin e rritjes ekonomike, të uljes së papunësisë dhe kthimit në një destinacion të investimeve”, shpjegoi ministri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura