Diskutime për fletën e votimit në KQZ/ Celibashi: Modeli me emra ndihmon zgjedhësit. Përfaqësuesi i PS: Vonon procesin, u mohon të drejtën vëzhguesve

Apr 1, 2021 | 12:26
SHPËRNDAJE

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po zhvillon një mbledhje ku po diskutohet mbi formatin e fletës së votimit për zgjedhjet e 25 prillit.

Komisioneri shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, u shpreh pro variantit të fletës ku shënohen emrat e kandidatëve.

kqz

“Pas vlerësimit të disa varianteve kemi konsideruar si më të përshtatshme, fletën e votimit që do të përmbajë emrat e kandidatëve”, u shpreh ai. Po ashtu Celibashi theksoi se “Versioni ku kandidatët janë të shënuar me emra shkon më në përputhje me Kodin Zgjedhor. Shënimi i emrave në fletat e votimit është më ndihmues për zgjedhësit”.

Celibashi solli rastin e Kroacisë, ku është përdorur një model i ngjashëm i fletës së votimit. “Fleta e votimit ku janë të shënuar emrat e kandidatëve e ndihmon zgjedhësin më shumë”, shtoi kreu i KQZ.

Përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste Eridjan Saliajni tha se shqyrtimi duhet të jetë më transparent dhe duhet të merren parasysh 3 modelet. Ai u shpreh pro votimit me numra, pasi votimi me emra do ta ndërlikojë fletën dhe do të vonojë procesin.

“Nëse fleta do ketë emra do jetë emri i subjektit dhe kryetarit të partisë. Mendimi jonë është që kjo realizohet nga numri i partive. E vetmja mënyrë për të realizuar një votim, që të respektohet votimi në radhë të parë për subjektet, edhe për kandidatët, është votimi me numra. Kemi një fletë me 12 x 36 kandidatë, 500 emra. Kjo e ndërlikon fletën. Kurse procesi i fletës me numra, fleta është shumë e thjeshtë, votohet subjekti dhe numri për kandidatin. Fushata bëhet me numra.  Me vendimmarrjen që bëni sot, i mohoni të drejtën që vëzhguesit të jenë pjesë e procesit, sepse nuk mund të dallojnë për kë është votuar. Është shumë e rëndësishme për partitë që nuk kanë vëzhgues. Nëse votohet me këtë fletë do vonohet procesi i votimit, dhe do kishim radhë”, tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura