Diskutim mbi Reformën në Drejtësi

Dec 16, 2015 | 12:00
SHPËRNDAJE

DORIAN ANDONI

Në kulmin e debatit për Reformën në Drejtësi do të ishte me vlerë një analizë e sistemit aktual, asaj që propozohet dhe varianteve të tjera që mund të jenë marrë parasysh, ose jo. Aktualisht, të gjithë aktorët e përfshirë në debat bien dakord mbi një fakt, sistemi gjyqësor është i korruptuar dhe duhet të reformohet pikërisht për ta nxjerrë nga korrupsioni i thellë ku ka rënë.

Por çfarë ofron aktualisht sistemi gjyqësor Shqiptar? Pa u futur në shumë detaje për organizimin e gjykatave dhe prokurorisë në Shqipëri, po ndalem shkurtimisht në emërimet e gjykatësve dhe prokurorëve si një element ,thelbësor që ndihmon në krijimin e klimës korruptive ose parandalimin e saj. Sipas përcaktimeve Kushtetuese, të gjithë gjykatësit e Shkallës së Parë (përveç atyre të Gjykatës së Lartë) emërohen nga Presidenti i Republikës me propozim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Ky Këshill është i përbërë nga Presidenti i Republikës, kryetari i Gjykatës së Lartë, ministri i Drejtësisë, tre anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi, 9 gjyqtarë të të gjitha niveleve, të cilët zgjidhen nga Konferenca Kombëtare. Për të vazhduar me Gjykatën e Lartë, gjykatësit e së cilës emërohen po ashtu nga Presidenti, por këtë herë me pëlqimin e Kuvendit, e njëjta edhe me Gjykatën Kushtetuese. Për sa i takon Prokurorisë kemi pak a shumë të njëjtën tablo.

Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti me pëlqimin e Kuvendit, dhe prokurorët e tjerë emërohen dhe shkarkohen nga Presidenti i Republikës me propozim të Prokurorit të Përgjithshëm. Sado që ligjvënësit në të shkuarën janë munduar të vendosin balanca, mund të themi sot se kjo nuk ka funksionuar shumë mirë nëse marrim parasysh akuzat e ndërsjella të aktorëve politikë në vend, për emërime preferenciale në gjyqësor dhe jo vetëm.

Pëlqimi i Kuvendit kushtëzohet me preferencën politike të gjyqtarit, emërimet në KLD gjithashtu bëhen në bazë preferencash, interesash politike dhe, nëse Presidenti dhe shumica në Kuvend i përkasin të njëjtës linjë politike, kuptohet që çështja bëhet edhe më e lehtë për të vendosur në gjyqësor persona besnikë të partisë. Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 perceptohen si të dëmshme për rolin e Presidentit për të qenë mbi palët, dhe për rrjedhojë dëmtohet edhe aftësia e tij për të bërë emërime në gjyqësor, të cilat janë vërtet të pa influencuara politikisht.

Për të pasur një sistem gjyqësor jo të korruptuar, nevojitet së pari që ky sistem të jetë i pavarur, ashtu siç e parashikon dhe neni 7 i Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, i cili thotë shprehimisht “Sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin e pushteteve ligjvënëse, ekzekutiv dhe gjyqësor”.

Pavarësia në fakt fillon që në momentin e edukimit të gjyqtarit apo prokurorit dhe aftësisë që ka institucioni përgjegjës për formimin e tyre, në këtë rast Shkolla e Magjistraturës, për të qenë objektive në përzgjedhjen e kandidatëve nga fillimi deri në fund të kualifikimit të tyre. Çdo reformë në thelbin e saj duhet të mundohet të arrijë pikërisht këtë, pavarësinë e gjyqësorit, dhe mekanizmat e përshtatshme për ta kontrolluar, inspektuar, audituar pa i cenuar pavarësinë.

Në eksperiencën e deritanishme, sado përpjekje të jenë bërë nga ligjvënësi dhe faktorët ndërkombëtarë, kjo pavarësi nuk është arritur. Dhe në qoftë se edhe reforma e re do të vërtitet rreth të njëjtave principe si deri tani, sipas gjasave po vazhdon në të njëjtën rrugë, do të dështojë, madje shumë shpejt. Ka ardhur momenti ndoshta për të parë një model më demokratik, më gjithëpërfshirës, një model që angazhon qytetarët Shqiptarë në vendimmarrje të drejtpërdrejtë, atë të zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve në rrethe me votë popullore.

Ekzistojnë dy modele, nga të cilat mund të zgjidhet. Modeli i votës të drejtpërdrejtë, nuk ka nevojë për shumë shpjegim, qytetarët votojnë gjyqtarin dhe prokurorin në detyrë që në fillim dhe çdo zgjedhje tjetër votojnë për ta konfirmuar apo për të zgjedhur një tjetër në vend të tij.

Modeli i dytë është ai i emërimit nga një komision bipartizan, dhe në momentin e përfundimit të mandatit qytetarët votojnë për ta konfirmuar ose jo. Mund të tingëllojë si diçka absurde në një vend si Shqipëria, dhe sigurisht që edhe kjo mënyrë e zgjedhjes së gjykatësve dhe prokurorëve, ashtu si çdo mënyrë tjetër ka avantazhet dhe disavantazhet e saj. Për hir të argumentit, le të shohim disa prej tyre. Së pari, zgjedhja e gjykatësit dhe prokurorit nga qytetarët mund të konsiderohet si një formë e mirëfilltë e demokracisë direkte dhe mënyra më e mirë për t’i bërë aktorët e sistemit gjyqësor të jenë më shumë llogaridhënës përballë publikut.

Kjo sigurisht që përbën një avantazh të madh në një vend, ku fjala e qytetarit është e zhvlerësuar më shumë se kurrë. Një gjykatës apo prokuror i zgjedhur nga populli do të ishte, në princip, më transparent së një gjykatës i emëruar. Një gjykatës apo prokuror i zgjedhur do të ishte më pak i predispozuar për t’u korruptuar se një i emëruar, besnikëria e të cilit i përket personit/ partisë që e emëroi dhe jo popullit që e votoi. Në fund të fundit, prokurori është përfaqësuesi i akuzës dhe në sistemin tonë të drejtësisë është shteti ai që akuzon jo viktima. Dhe është shteti ai që mbron viktimën dhe dënon autorin e veprës penale, e kundërta do të na çonte në zbatimin e ligjeve kanunore.

Në themelet e shtetit bashkëkohor qëndron aftësia për të mbrojtur qytetarët e tij dhe për të vënë drejtësi atëherë kur duhet. Parë në këtë aspekt, nuk ka shembull më të mirë të demokracisë dhe parimit të barazisë para ligjit sesa kur prokurorët dhe gjykatësit i shërbejnë komunitetit që i ka zgjedhur ata në atë funksion. Në anën tjetër të medaljes kemi edhe disa disavantazhe, sigurisht, të cilat nuk mund të injorohen. Ashtu si në çdo proces zgjedhor në Shqipëri do të përballeshim me vlefshmërinë e zgjedhjeve, a u manipuluan?

A ishin të ndershme dhe të lira? Një gjykatësi e prokurori të zgjedhur do t’i duhej të bëjë fushatë për t’u zgjedhur ose rizgjedhur, dhe paratë e fushatës mund të vijnë nga grupe interesi, të cilat mund të marrin prioritet mbi qytetarët. Një demokraci e dobët mund ta ketë të vështirë të gjejë mekanizmat e duhur për të arritur një proces elektoral efikas dhe me kosto të ulët. Një gjykatës e prokuror i ndershëm mund të mos ketë vizibilitetin e mjaftueshëm për të fituar kundër një gjykatësi apo prokurori me mbështetje të fortë financiare, por jo detyrimisht më i miri dhe me etikë.

Lind pyetja, a mund të informohen qytetarët mjaftueshëm për të bërë një zgjedhje të mençur, të mirë- studiuar dhe etike? Lista e avantazheve dhe disavantazheve mund të jetë e gjatë, por thelbi i çështjes ngelet, si mund të reformohet sistemi gjyqësor në Shqipëri për të arritur pavarësinë e nevojshme nga degët e tjera të pushtetit dhe për të luftuar më pas korrupsionin?

Eksperiencat botërore janë të shumëllojshme. Jo detyrimisht çdo eksperiencë mund të funksionojë edhe në Shqipëri njësoj si në vendet ku është konceptuar, e rëndësishme është që reforma të jetë shqiptare, pra të funksionojë në realitetin Shqiptar. Në këtë moment mund të vazhdojmë të bëjmë ndryshime të vogla në sistem, të ndryshojmë thjesht palët që marrin pjesë në emërimin dhe konfirmimin e gjykatësve e prokurorëve, pra t’i vijmë rrotull problemit për t’u përballur me të pafundësisht edhe në të ardhmen.

Ose, mund të bëjmë një hap të madh drejt demokratizimit të sistemit gjyqësor, duke e futur në shinat e një reforme të vështirë, sigurisht, por me shumë përfitim. Të metat që mund të ketë modeli i zgjedhjes së gjykatësve e prokurorëve nga qytetarët zerohen kur krahasohen me të metat e modelit aktual, i cili i ka dhënë provat që është jo funksional, korruptiv dhe jo i bazuar në meritë.

Zyrtarë që japin llogari drejtpërdrejt pranë qytetarit, komunitetit që i ka zgjedhur t’i shërbejnë do të ishin garantë shumë herë më të mirë të Kushtetutës sesa ata të emëruar, të cilët gëzojnë sigurinë e qëndrimit në punë, pavarësisht performancës dhe që janë kilometra larg përfilljes së publikut.

*I diplomuar për Drejtësi Penale në SHBA. Asistent Projekti ICITAP (Programi Ndërkombëtar i Asistencës në Trajnim për Hetimin Penal) i Ambasadës Amerikane në Tiranë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura