Vite më parë i shpëtoi atentatit, i dyshuar për vrasjen e vëllezërve Rexhepi/ Kush ishte miku i ngushtë i Florenc Çapjas që u ekzekutua në Belgjikë

Jan 23, 2022 | 18:35
SHPËRNDAJE

Mbrëmjen e së shtunës është ekzekutuar me armë zjarri në Belgjikë Bledar Muça. Ky i fundit njihej si krahu i djathtë Ardian e Florenc Çapjas në Elbasan, dhe ishte një emër i njohur për drejtësinë.

bledar muca

Po kush ishte Bledar Muça?

Me origjinë nga Peshkopia, është i lindur dhe i rritur në Elbasan. Ai ishte vëllai i Ferit Muçës, 42-vjeçarit që u plagos rëndë në një atentat. Ai ka qenë i akuzuar për përfshirjen në shumë ngjarje kriminale, ndërsa i ka shpëtuar dy herë atentatit në shkurt dhe në korrik të 2016-ës.

Kujtojmë që në shkurt të vitit 2016 Bledar Muça mbeti i plagosur si pasojë e një atentati ku objektiv ishte ai dhe Florenc Çapja. Dy miqtë morën plagë të lehta nga breshëritë e kallashnikovit, në një lokal në dalje të qyteti të Elbasanit.

Në korrik të po të njëjtit vit një tjetër atentat u organizua ndaj Muçës dhe Çapjas, të cilët këtë herë shpëtuan falë xhamit të blinduar të makinës me të cilën po udhëtonin.

Bledar Muça ka qenë një prej personave të dyshuar si i implikuar në vrasjen e vëllezërve Roland dhe Ilir Rexhepi, të cilët u ekzekutuan në qytetin e Elbasanit.

Dy vite më parë Muça u shpall në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e vëllait të Roland Rexhepit, ish-efektivi i policisë që njihej me pseudonimin “Doda”.

Dy vjet pas Roland Rexhepit, në fund të vitit 2011 do të ekzekutohej me dy plumba edhe vëllai i tij, biznesmeni Ilir Rexhepi.

Pas vrasjeve policia nisi kërkimet për Bledar Muçën, por ky ia doli të kalonte kufirin pa u vënë në pranga. Së fundmi ai u prangos dhe u dënua me dy vite burg pasi qëlloi me armë ndaj efektivëve të policisë teksa ishin në vëzhgim të familjes Çapja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura