Disa mendime për testet shtetërore të shkollave të mesme

Aug 5, 2020 | 9:57
SHPËRNDAJE

testet shkolla mesme

Nga ADEM META dhe  ILIAZ VRIONI

Ky artikull shqyrton disa aspekte kryesore të testeve shtetërore në shkollat e mesme në Shqipëri. Ne, autorët e këtij artikulli, kemi eksperiencë të gjerë mësimdhënieje në Shqipëri dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në nivelin e gjimnazit dhe nivelin universitar, si pedagogë, konsulentë dhe administratorë. Kjo eksperiencë na shtyu të shkruajmë këtë artikull për testet shtetërore të shkollave të mesme, duke menduar që këto janë mendime të vlefshme për sistemin arsimor në Shqipëri. Fillimisht, duam të kthejmë vëmendjen te qëllimi i testit në vetvete. Testet kanë si qëllim të masin se si nxënësit apo studentët kanë përvetësuar informacionet që kanë marrë gjatë një semestri, viti apo një cikli shkollor, të lidhura këto me objektivat e programit të një cikli të caktuar.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, testet bazohen dhe janë direkt të lidhura me standardet e çdo shteti dhe në përputhje të plotë me standardet mbarëkombëtare që përpilohen nga Departamenti i Arsimit në Shtetet e Bashkuara (Common Core). Standardet e mësimdhënies në Shtetet e Amerikës në përgjithësi dhe në atë të Ohios në veçanti (ku ne punojmë) shërbejnë dhe kanë një rol kritik për të ndihmuar edukatorët dhe prindërit të monitorojnë përparimin e shkollës e të nxënësve të tyre. Mësuesit në punën e tyre të përditshme përdorin vlerësime formuese dhe përmbledhëse për çdo student që ata kanë në klasat e tyre dhe që e realizojnë këtë gjatë gjithë vitit shkollor për t’i ndihmuar ata të monitorojnë njohuritë dhe aftësitë që fitojnë. Këto vlerësime do të ndihmojnë mësuesit të vlerësojnë më së miri se sa janë studentët e përgatitur për provimet shtetërore.

Qëllimi kryesor i mësuesve është përgatitja e studentëve për testet mbi bazën e një njohjeje të detajuar që ata duhet të kenë në lidhje me standardet e lëndës së tyre, standarde të cilat shërbejnë si bazë për progresin e studentëve. Testet shtetërore tregojnë punën e kryer nga studentët dhe qëndrueshmërinë e njohurive të tyre. Testet gjithashtu tregojnë se si ka punuar trupa pedagogjike gjatë një cikli të caktuar dhe se si është progresi në një lëndë të caktuar, e lidhur kjo me njohuritë dhe aftësitë e përshkruara në “Standardet e mësimit”. Këto teste ndihmojnë drejtuesit e shkollave për një cilësi më të lartë në procesin e mësimdhënies në të ardhmen, për ta bërë me të sigurt që ne po i përgatisim studentët tanë për suksesin në shkollë, kolegj, karrierë dhe në jetën e përditshme. Rezultatet e testit gjithashtu, lejojnë që qytetarët dhe prindërit të jenë të vetëdijshëm për ecurinë dhe rendimentin e shkollave të tyre, duke bërë dhe krahasimet nga një qytet në tjetrin, nga një qark në një tjetër dhe më gjerë. Në Shtetet e Bashkuara, çdo shtet ka testet e veta shtetërore, kryesisht në lëndë si: Anglisht (lexim dhe shkrim), Matematikë, Shkenca Ekzakte dhe Shkencat Shoqërore.

Duhet theksuar se studentët, përpara se të mbarojnë shkollën e mesme, në vitin e tretë apo të katërt, para se të aplikojnë në shkollën e lartë, duhet të japin testet e quajtura ACT ose SAT, të cilat janë të përqendruara në aftësitë e marra dhe në aplikacionet e njohurive që kanë studentët në Anglisht, Matematikë dhe Shkencë. Gjithashtu, pasi nxënësit të jenë pranuar në universitet, por përpara se të regjistrohen për klasat e semestrit të parë, duhet të japin testin e Matematikës dhe të Anglishtes për të përcaktuar nivelin fillestar të klasave. Në bazë të pikëve të fituara në Matematikë përcaktohet niveli i Matematikës dhe Shkencës, në bazë të pikëve të fituara në Anglisht përcaktohet niveli i klasave në Anglisht dhe lëndët shoqërore. Në hartimin e testeve, ekipi që kujdeset pa dyshim ka një strategji dhe metodologji të caktuar.

Plani i testit është një vizion i asaj që dëshirohet të arrihet dhe strategjia e testit është një plan veprimi i krijuar për të arritur një vizion të caktuar. Përkufizimi ynë i termit strategji ka të bëjë me mënyrën e testimit të një fushe ose disipline të caktuar. Pa dyshim që ne duhet të kemi në konsideratë procesin apo strategjinë e saktë që duhet ndjekur në fusha apo disiplina të ndryshme. Për shembull, strategjia ndryshon për lëndët shoqërore dhe shkencat ekzakte. Përgjithësisht, grupet hartuese të testeve ndjekin modelin strategjik të testit në mënyrë shumë rigoroze. Në këtë aspekt ka shumë konfuzion. Së pari, duhet të ketë një dokument të planifikimit të testit në kombinim me strategjinë dhe së dyti, një plan të përgjithshëm të projektit të lidhur me standardet. Përfundimisht, strategjia është kombinimi i një grupi mini-planesh për testim. Gjithashtu, hartuesit përfshijnë detaje të strategjisë në planin e tyre.

Çdo grup hartuesish ka standardet dhe proceset e veta për t’i mirëmbajtur këto dokumente. Disa hartues përfshijnë detaje të strategjisë në planin e tyre, hartuesit rendisin strategjinë si nënpjesë në një plan testimi, por detajet ndahen në dokumente të ndryshme të strategjisë së testimit. Hartimi dhe konkluzionet për vlefshmërinë e testit kalojnë në vlerësimin e institucioneve private, të specializuara dhe të licencuara, ekspertëve shtetërorë dhe në gjykimin e komunitetit të prindërve dhe studentëve. Pas konkluzionit të një testi të caktuar, synohet në përmirësimin e cilësisë së testit, si në përmbajtje, në vlefshmërinë dhe besueshmërinë e tij. Në këtë moment nxitet një klimë diskutimi të hapur dhe miqësor, ku të gjitha palët lidhen nga interesi i përbashkët. Fushëveprimi i projektit dhe përqendrimi i testit përcaktohen në planin paraprak që përpilojnë hartuesit e një testi të caktuar.

Në thelb, ajo merret me çfarë do të mbulojë testi, tiparet që duhet të testohen, karakteristika që nuk ka nevojë të përfshihen, mënyra e vlerësimit, si edhe caktimi dhe menaxhimi i burimeve. Modelet ku bazohet strategjia janë teknika, të cilat zgjidhen nga ekipet hartuese të testeve, duke marrë në konsideratë situatat ekzistuese dhe të pritshme. Modeli krijohet duke marrë parasysh imputet dhe outputet e këtij procesi lidhur me sjelljet e mundshme. Strategjia e testimit përcakton udhëzimet për qasjen e testit që duhet të ndiqen për të arritur objektivat e materialit që do të kontrollohet, si dhe ekzekutimin e llojeve të testit të përcaktuara në planin e testimit. Ajo merret me objektivat që do të kontrollohen, qasjen, mjedisin e testimit, strategjinë dhe mjetet që do të përdoren për një perfeksionim sa me të plotë dhe me analizën e rrezikut, duke pasur dhe një plan emergjence. Në strategjinë e testimit ka rëndësi edhe përgatitja paraprake e studentëve apo e nxënësve për të marrë një test të caktuar, ku mësuesit, si përgjegjësit direkt, duhet të bëjnë një punë të vazhdueshme me nxënësit. Kjo parapërgatitje konsiston në disa drejtime:

(1) Nxënësi duhet të jetë i parapërgatitur psikologjikisht për marrjen e testit; (2) Duhet të arrijë më shpejt në klasën ku do të merret testi dhe të qetësohet; (3) Duhet të dëgjojë në mënyrë aktive këshillat e momenteve të fundit për marrjen e testit; (4) Duhet ta çlirojë kujtesën nga ngarkesat e tjera dhe të përqendrohet në procesin e testimit;(5) Duhet të lexojë me vëmendje të veçantë orientimet për marrjen e testit dhe të përqendrohet në mënyrë të veçantë në detajet e këtij procesi; (6) Duhet të ketë një ide të qartë se si do ta përdori kohën që ka në dispozicion, duke e përdorur në mënyrë sa më efektive; (7) Duhet të kërkojë këshilla nëse e sheh të nevojshme; dhe (8) Duhet t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve, pavarësisht se mundet që të ketë ndonjë pyetje për të cilën nuk ka siguri.

Gjatë kësaj periudhe, ne kemi ndjekur me vëmendje debatet e ndryshme në lidhje me testin e Letërsisë për maturantët në Shqipëri dhe kemi disa mendime që lindin vetvetiu nga krahasimi i eksperiencave në të dy shtetet. Pa dashur të futemi në detaje strategjish, pasi ne të dy jemi mësues të Matematikës dhe pa dashur te aneksohemi nga asnjë krah politik, sepse të dy jemi asnjanës dhe pa ndonjë kompleks politik, por thjesht bazuar në eksperiencën e gjatë në punë, duam të shprehim mendimet në vijim. Ne mendojmë se testet duhet të jenë:

(1) rigorozë në cilësi, (2) të evidentojnë se sa të përgatitur janë studentët për të vazhduar studimin më tutje, (3) të jenë tregues të cilësisë së studentëve për t’iu përgjigjur kërkesave të shkollave të larta apo nevojave të jetës. Në rastin konkret, të provimit të Letërsisë, mund të përfshihen detaje si cilësia e të shkruarit, njohuria e plotë e gjuhës shqipe, niveli i njohurisë së letërsisë botërore dhe shqiptare dhe aspekte të tjera, që mund të jenë të rëndësishme për të ardhmen e këtyre studentëve dhe të ardhmen e intelektualëve dhe nivelit të personaliteteve të ardhshme në Shqipëri. Testi në esencë duhet të evidentojë se sa kanë ezauruar nxënësit gjatë gjithë ciklit për këtë lëndë, por nuk ka sens nëse ne e orientojmë testin në rrugën e vështirë për t’i kapur gafil apo për t’u përpjekur t’i testojmë në fusha që ata mund të mos i dinë.

METODOLOGJIA E TESTIMIT

Një metodologji testimi është një mjet ose metodë e përdorur për të kontrolluar shkallën e përvetësimit dhe përgatitjes për të ardhmen e tyre, qoftë kjo për jetën e përditshme apo për vazhdimin e mëtejshëm të studimeve. Metodologjitë e testimit janë metodat ose qasjet që duhet të përdoren për të bërë një testim, të cilat përfshijnë testimin e kapitujve përmes testimit të gjithë lëndës. Ka metodologji të ndryshme testimi, të cilat në esencë kanë si qëllim që të hartohet një test, i cili të kontrollojë sa kanë përvetësuar nxënësit apo studentët në një lëndë të caktuar dhe sa të qëndrueshme janë ato. Metodologjitë e testit përfshijnë testime funksionale dhe jofunksionale për të vërtetuar se si janë përvetësuar informacionet e marra në një cikël të caktuar. Në kohën e sotme, për të parë vlefshmërinë dhe besueshmërinë e një testi, përdoren teste statistikore për të arritur një konkluzion rigoroz statistikor.

Kjo pjesë e statistikës quhet psikometri. Në një nga panelet e një televizioni kombëtar, para disa kohësh pati një debat midis atyre që kishin hartuar këtë test dhe disa specialistëve të arsimit. Nga ana e atyre që e kishin hartuar testin kishte një tendencë për ta bërë sa më të besueshëm se testi qëndron, por statistikisht, nëse do ta bëjmë te besueshëm testin, nuk do të thotë që ai është i vlefshëm. Besueshmëria dhe vlefshmëria janë dy koncepte të ndryshme në statistikë dhe në jetë. Këto dy aspekte të rëndësishme janë të lidhura me njëratjetrën dhe duhet të provohen matematikisht që të flasim me përgjegjësi nëse testi është i besueshëm dhe i vlerësueshëm. Në një debat tjetër në një nga televizionet kombëtare, njëri nga hartuesit e testit deklaroi se testi është perfekt, gjë që është gati e pamundur të jetë e vërtetë për çdo lloj testi. Testet nuk janë asnjëherë perfekte.

Gjithmonë ka vend për përmirësim. Ndoshta ka lidhje me anën kulturore kjo dëshira për të deklaruar perfeksionin. Ne duam thjesht të kthejmë vëmendjen te fakti që perfeksioni në test nuk ekziston në mënyrë absolute. Është matematikisht dhe statistikisht e pamundur. Një test mediokër, ku nxënësit arrijnë një kalueshmëri, e cila i tejkalon pritshmëritë është i pavlerë. Në të njëjtën mënyrë, një test tejet i vështirë, ku rezultatet nuk janë ato që priten, përsëri është i pavlefshëm. Propaganda për ta bërë sa më të besueshëm testin, shpesh është e lidhur ngushtë me subjektivitetin që një hartues apo një grup hartuesish adoptojnë duke shfrytëzuar mjetet e ndryshme të komunikimit dhe propagandës, për ta paraqitur atë sa më afër realitetit dhe besueshmërisë. Atëherë, pa dyshim që niveli i besueshmërisë së këtij testi shkon drejt një komprometimi.

Gjykimet dhe vlerësimet për një test të caktuar bëhen nga institucione kompetente dhe private, të cilat, duke qenë te pavarura politikisht, bëjnë vlerësimin e tyre në mënyrë rigoroze, të evidentojnë probleme të cilat janë dhe si një objekt i përmirësimit të mëtejshëm. Ky test ka filluar të bëhet objekt i humorit dhe kjo pa dyshim vjen si rezultat i mbrojtjes subjektive të propaganduesve dhe hartuesve të testit. Niveli i testit duhet të mbështetet nga studime statistikore duke përdorur psikometrinë. Në kushtet e veçanta të pandemisë, testi i Letërsisë u bë me përgjigje me alternative. Pa pasur nevojë t’i shkojmë më thellë cilësisë së testit, Gjuha dhe Letërsia prej natyrës së disiplinës nuk mund të jenë në formë pyetjesh me alternativa.

Është e rëndësishme të matet niveli i studentit, njohja e gjuhës dhe rregullave drejtshkrimore, aftësitë në të shkruar, si edhe njohuria e letërsisë botërore dhe shqiptare. Pa dyshim, ka aspekte të tjera në Gjuhë dhe Letërsi që janë të rëndësishme. Vështirë t’i masësh këto aspekte me pyetje që kanë përgjigje të parafabrikuara me alternativa. Një nga pyetjet më të diskutueshme ishte pyetja “Si veproi Turi…?”, e cila u bë zanafilla e një debati publik mbi cilësinë e testit të Letërsisë për maturantët e vitit shkollor 2019- 2020, kjo pyetje ishte intriguese dhe debatet mendojmë se ishin efektive dhe të dobishme për disa arsye.

Së pari: Duke qenë se cilësia e sistemit arsimor nuk është fushë diskutimi vetëm e profesionistëve të fushës, përfitueseve (studentëve), por edhe e komunitetit dhe e gjithë shoqërisë. Së dyti: Hapja e diskutimit dhe analiza e shëndetshme e progresit dhe mangësive i shërben përmirësimit të cilësisë së edukimit të brezave të rinj. Së treti: Barrierat mbi konceptin e pronësisë për të thënë fjalën e fundit nga njerëz të punësuar në këtë sektor vital të shoqërisë, por e bënë të gjithë shoqërinë aktive në procesin e një zhvillimi të qëndrueshëm dhe efektivë të sistemit arsimor që do t’u prijë sfidave zhvillimore të shekullit të 21-të. Përfundimisht, duke u nisur thjesht nga eksperienca profesionale, ne donim të sillnim vëmendjen te funksioni i testit. Testi si i tillë ka funksion matjen e njohurive të marra nga studenti dhe matjen e punës që ka kryer studenti gjatë vitit shkollor apo semestrit.

Testi përfshin matjen e njohurive në një fushë të caktuar dhe është i lidhur ngushtë me fushën apo disiplinën përkatëse. Ne jemi profesionistë në fushë krejtësisht tjetër nga letërsia dhe menjëherë na rëndoi fakti që testi i Letërsisë ka qenë me përgjigje të parafabrikuara me alternativa. Është njësoj si të presësh bukën me sharrë drush.

*Adem Meta, MA, MSC, PhD në Matematikë, mësues matematike në shkollat e mesme Kleveland, Ohio dhe pedagog i jashtëm në kolegj.
* Iliaz Vrioni,(Mësues i Merituar), mësues matematike në shkollat e mesme Strongceville, Ohio dhe konsulent matematike në kolegj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura