Disa mendime mbi Kodin e ri të Procedurës Penale

Dec 16, 2017 | 12:04
SHPËRNDAJE

jorgo-dhrami

AV. PROF. AS. DR. JORGO DHRAMI 

Duke studiuar me vë mendje dhe kujdesin e duhur rindërtimin e Kodit të procedurës Penale, i cili hyri në fuqi më datën 1 gusht të vitit 2017 si dhe duke e ballafaquar me Kodin e më- parshëm e praktikën gjyqë- sore, pa dyshim që ndodhemi para një zhvillimi të mëtejshëm të përcaktimit  të drejtë dhe të saktë të rregullave procedurale si dhe sigurimit të zbatimit të tyre në mënyrë adekuate nga organet përkatëse, Akuzatore dhe Gjyqësore. Kjo, e parë në këtë drejtim, është Kryefjala. Në këtë shkrim, për pjesë dhe probleme të veçanta të këtij Kodi, desha të shprehja mendimin tim nëse ato janë ose jo në konformitet me respektimin e të drejtave që ka e duhet të ketë personi nën hetim, ashtu dhe ai që është marrë me cilësinë e të pandehurit. Kjo, jo vetëm për faktin se respektimi i lirive dhe të drejtave ligjore të këtyre dy personave dhe garancia e sigurimit të tyre është kardinale, por ajo në vetvete përmban edhe shkallën e respektimit të demokracisë së shtetit ku ata janë pjesëtarë të tij. Në mënyrë që këto mendime të jenë individuale dhe të identifikueshme, po i trajtoj secilën më vete:

 1.Lidhur me personin nën hetim. Si në Kodin e procedurës penale të mëparshëm, ashtu dhe në të tanishmin, paraqitet një figurë e Re, “Personi nën hetim”. Nëse kodi i mëparshëm, këtë person apo figurë të re procedurale, e trajtonte shkarazi në nenin 34 pika 4 të tij duke u shprehur se, “personi nën hetim gëzon të njëjtat të drejta që gëzon i pandehuri”, Kodi i rindërtuar në nenin 34/a, i përmend në mënyrë konkrete këto të drejta, duke udhëzuar në pikën 3 të këtij neni që: “Të drejtat dhe garancitë e parashikuara për të pandehurin zbatohen edhe për personin nën hetim dhe personin, të cilit i atribuohet vepra penale, me përjashtim të rasteve kur ky Kod parashikon ndryshe.” Ndonëse kjo dispozitë procedurale krijon dhe qartëson një hapësirë më të madhe për të drejtat e personit nën hetim, ajo në themel nuk përcakton se kush është realisht ky person e statusi i tij, si dhe kur lind kjo figurë e re në aspektin procedural. E thënë më shkoqur, problemi në rastin konkret është se Ligjvënësi, për personin nën hetim, nuk na jep një definicion të tij, ashtu sikundër ka vendosur për personin e të pandehurit, që para se të merret me këtë cilësi, duhen respektuar pa asnjë hezitim kërkesat ligjore nga organi kompetent për marrjen e tij me këtë cilësi.

Mënyra e formulimit nga ana e ligjvënësit të kësaj dispozite, duke bërë interpretimin gramatikor dhe logjik të saj “…për personin nën hetim dhe personin, të cilit i atribuohet vepra penale…”, e bën akoma më të ndërlikuar atë figurë, mbasi nuk e lidh me kushtin ligjor që atij i atribuohet vepra penale, pasi kjo e fundit i përket “vetëm Personit”. Dhe ky “Person”, duke iu referuar nenit 287/1 të Kodit të procedurës penale është personi, që nga ana e “prokurorit me anë të njoftimit të një vepre penale apo me iniciativën e tij, është shënuar në regjistër dhe kur rezulton shënohet dhe emri i personit, të cilit i atribuohet vepra penale. Nëse, në këtë rast, nuk ndodhemi para një gabimi teknik të ndërtimit të kësaj dispozite procedurale nga ana e ligjvënësit, atëherë, veç “personit nën hetim”, kemi dhe një tjetër “person”, por të pacilësuar. Krijimi ose ekzistenca e një situate të tillë të paqartë apo të pasaktë mund të determinojë konceptin se “Personi nën hetim” është “i pacertifikuar” procedurialisht. Prandaj, mendojmë se është detyrë e Ligjvënësit të rregullojë apo të mënjanojë anomalinë e krijuar në këtë rast. Akoma më tepër bëhet detyruese kjo, pasi këto kohët e fundit, si nga ana e Prokurorisë, ashtu dhe të Gjykatës, ka interpretime dhe komente, të cilat kanë nevojë të saktë- sohen në konformitet me Ligjin Procedural.

Nëse me “personin nën hetim” do të kuptojmë dhe pranojmë personin e parashikuar në nenin 287 të Kodit procedurës penale, atëherë duhet t’u përmbahemi konditave procedurale që parashikon dhe vendos kjo dispozitë procedurale. Kështu, sipas saj, nga momenti që lind kjo figurë procedurale dhe deri në momentin e marrjes së tij me cilësinë e të pandehurit, “ndalohet publikimi i regjistrimeve të bëra”. Ky ndalim nuk është nën fakultetin apo çmimin e prokurorit, por është një urdhërim i drejtpërdrejtë ligjor, shkelja e të cilit sjell pasoja juridike. Mospublikimi i këtij personi, të cilit i atribuohet vepra penale e regjistruar n’atë regjistër nuk është formale, por është me karakter detyrues, pasi në drejtim të këtij personi nuk ka asnjë provë fajësie që do të lejonte marrjen e tij të pandehur. Pra, veç ekzistencës së veprës penale, mungojnë elementet e tjerë: Akti i njoftimit të akuzës si dhe të dhënat e mjaftueshme për marrjen e tij si të pandehur. Mosadministrimi i këtyre të dhënave, nga njëra anë, është pengesë ligjore për prokurorin për ta marrë të pandehur, kurse nga ana tjetër, tregohet detyrimi ligjor për të mos bërë publike si identitetin e këtij personi, ashtu dhe çka ka arritur nga zhvillimi i hetimeve. E thënë më ndryshe, prokurori, ndonëse atë person e ka regjistruar me identitetin e tij, duke mos u plotësuar kushtet ligjore për ta marrë të pandehur, në drejtim të tij nuk mund të marrë asnjë masë apo ta kërkojë para Gjykatës marrjen e një mase sigurimi cilado qoftë ajo. Kjo ndodh për faktin se, në këndvështrimin e Masave të Sigurimit, nenit 228 të Kodit procedurë penale, “Askush nuk mund t’u nënshtrohet masave të sigurimit personal në qoftë se në ngarkim të tij nuk ekziston një dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova”. Veç këtyre kushteve ligjore, në këtë rast, ka edhe një kusht tjetër ligjor,të mos qenurit e tij në cilësinë e të pandehurit. Masat e sigurimit personal, po sipas kësaj dispozite ligjore, vendosen ndaj një personi që më parë është marrë i pandehur.

Duhet përmendur ndërkohë fakti se, midis dispozitave procedurale, nenit 34/a dhe 287, të cilat lidhen me personin nën hetim apo personin, ka një mungesë harmonizimi midis tyre. Ligjvënësi, nenin 34/a e emërton: “Të drejtat e të pandehurit”, në nëntekstin e tij pika 1, të pandehurin e zhvendos duke folur “Për personin nën hetim”, mandej për të pandehurin, “ose i pandehuri ka të drejtë”. Kjo mospërputhje midis emërtimit për “Të drejtat e të pandehurit” dhe poshtë saj të flitet për të drejtat e personit nën hetim, nuk është korrekte. Në anën tjetër, ky person nën hetim i cilësuar si i tillë në këtë dispozitë, për arsyet e përmendura më sipër, nuk është i njëjtë, identik me personin që përmend neni 287 i Kodit të procedurës penale.

2. Kërkesa për caktimin e masave të sigurimit, neni 244 i K. Pr. Penale.

Natyrisht, kjo dispozitë ligjore respekton rregullin procedural që, prokurori,kërkesën e tij para Gjykatës, e bën mbasi më parë, personin e propozuar për marrje mase sigurimi ndaj tij, e ka marrë të pandehur. Prandaj, në rastin e marrë për trajtim, problemi nuk është këtu. Ajo që na tërheq vëmendjen është fakti që Gjykata bën shqyrtimin e kërkesës së prokurorit pa praninë e të pandehurit. Ky i fundit vjen në dijeni mbi marrjen e masës së sigurimit ndaj tij, mbas tri apo pesë ditëve kur Gjykata do të realizojë pyetjen e tij. Duke parë këtë mënyrë zgjidhjeje në raport me të drejtat e të pandehurit, mendojmë se rrethi i të drejtave të tij ka pësuar rënie. Në anën tjetër, kjo mënyrë zgjidhjeje, vjen në kundërshtim me rregullat e vendosura të sistemit akuzator, i cili zbatohet në vendin tonë, në fushën e ligjit penalo–procedural. Sipas këtij sistemi, palët: Prokurori nga njëra anë dhe i pandehuri nga ana tjetër, në këtë rast, nuk janë të barabartë, pasi prokurori “privilegjohet” duke qenë i pranishëm në gjykimin e kërkesës së tij, ndërsa i pandehuri jo vetëm që nuk është i pranishëm, por as nuk merr fare dijeni se në drejtim të tij ka një kërkesë të prokurorit për marrje mase sigurimi. Kjo pabarazi e krijuar me ligjin procedural midis palëve përjashton sistemin akuzator, pa folur më tej se kur i pandehuri është autori i veprës penale, më mirë se Ai, askush nuk e di të vërtetën, prandaj pranishmëria e tij ka karakter të veçantë në sigurimin e së vërtetës.

3. E drejta e viktimës për informim, neni 279/a e K.Pr.Penale.

Kjo dispozitë procedurale është një nga dispozitat e reja të këtij Kodi. Ajo, në fushën e të drejtave të viktimës, është shumë e avancuar. Për herë të parë, viktimës apo përfaqësuesve të tij ligjorë, “i jepet e drejta e informimit mbi gjendjen e procedimit, si dhe të njihet e të marrë kopje të Akteve dhe provave që ndodhen në fashikullin e prokurorit”. Kjo dispozitë, nëse do të qëndronte me kaq, do të ishte me të vërtetë një avancim real i të drejtave të viktimës. Por, meqenëse kjo dispozitë përbëhet edhe nga një paragraf tjetër, me pikën dy, e drejta e mësipërme, për mendimin tim, mbetet deklarative, pa u zbatuar në realitet. Kjo, për faktin se pika 2 e kësaj dispozite, përfitimin e dhënë në pikën një e realizimin e saj e kondicionon me çmimin e prokurorit. Ai mund ta refuzojë kërkesën kur: a. Interesi i ruajtjes së fshehtësisë së hetimit tejkalon interesin e viktimës dhe b. Interesi i të pandehurit tejkalon interesin e viktimës. Vendosja e këtyre dy kushteve, realisht, mënjanon përfitimin e përshkruar në pikën 1 nga ana e viktimës. Saktësinë e kësaj dispozite procedurale, me siguri do ta përcaktojë dhe përsosë praktika e mëvonshme.

Këto ishin disa mendime mbi procedurën penale në zbatim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura