“Disa gjërave do t’ju vijë fundi pas 15 ditëve”, çfarë paralajmëroi ish-ambasadori i OSBE

Jan 15, 2020 | 7:52
SHPËRNDAJE

Ish ambasadori i OSBE-së në Kosovë në kohët e luftës, William Walker, ndërsa ka folur për mosarritjen e koalicionit qeverisës mes VV-së e LDK-së ka thënë se “brenda 15 ditësh disa gjërave do t’ju vijë fundi”.walker

Por Walker nuk ka sqaruar për çfarë e ka fjalën konkretisht, pra nëse ka menduar që brenda kësaj kohe do të arrihet marrëveshja mes dy partive apo do të shkohet në zgjedhje të reja.

Ndërsa ai ka folur edhe për qëndrimin e djeshëm në Lëvizjen Vetëvendosje dhe në LDK, me ç’rast ka treguar se u ka kërkuar të dy partive që të mos humbin kohë dhe ta formojnë qeverinë.

“U kam thënë të dy palëve që nuk është koha të humben edhe 100 ditë të tjera. Kosovës i duhet një qeveri e fortë dhe e thjeshtë”, ka thënë Walker mbrëmë në Klan Kosova.

Ai ka thënë se Kurtin e njeh qe 20 vjet, dhe se nuk tërheq asnjë fjalë që ka thënë dhjetë vite më parë në mbështetje të Vetëvendosjes.

Kurse për takimin e zhvilluar dje me Vjosa Osmanin ka pohuar se është inkurajuar shumë në bisedën me të.

“Kam dëgjuar shumë gjëra që jam i pajtimit me të. Nëse LDK nuk mund të arrijë marrëveshje me VV-në duke përdor Vjosën si negociatore atëherë nuk mund të arrijë marrëveshje me askënd”, ka deklaruar Walker.

Ai ka thënë se është i frustruar që kanë kaluar 100 ditë nga zgjedhjet e 6 tetorit dhe që Qeveria ende nuk është formuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura