Disa fëmijë u shtirën si të vdekur, u lyen me gjakun e shokëve që t’i shpëtonin plumbave/ Të mbijetuarit e masakrës së Teksasit tregojnë skenat e tmerrit që përjetuan në shkollë

Jun 28, 2022 | 10:09
SHPËRNDAJE

Mediat amerikane publikuan dëshmitë e fëmijëve që i mbijetuan masakrës së Juvaldit në Teksas, duke përshkruar tmerrin që përjetuan në shkollën e tyre, ku një person i armatosur vrau 19 nxënës dhe dy mësues.

21e0cb89-630a-4db3-a967-3c6b24f8b153

Dëshmitë nxitën polemika mbi mënyrën se si policia u mor me ngjarjen, pasi nga rrëfimet e tyre tregohet se policia dhe shërbimet e urgjencës iu përgjigjën me vonesë thirrjeve telefonike nga fëmijët e tmerruar në klasat e tyre.

Të premten, autoritetet e Teksasit lëshuan një autokritikë, duke pranuar se policia kishte marrë një “vendim të gabuar” për të mos ndërhyrë shpejt në ndërtesë.

Policia mësohet se ka pritur rreth një orë, para se të ndërhynte për të ndalur masakrën, pavarësisht se mori disa telefonata nga studentët që i bënin thirrje për të ndërhyrë.

Jashtë shkollës ishin 19 punonjës sigurie, por ata prisnin të vinte një njësi e specializuar e policisë kufitare.

Ndërkohë fëmijët e Habeesit ishin në klasë me autorin 18-vjeçar Salvador Ramos.

Autori hyri në klasë, mbylli derën dhe u tha fëmijëve, “Ju të gjithë do të vdisni”, para se të fillonte të qëllonte mbi ta, tha për ABC i mbijetuari Samuel Salinas, 10 vjeç.

“Mendoj se ma ka drejtuar edhe mua armën”, shtoi fëmija, por një karrige mes tij dhe autorit e shpëtoi nga plumbi.

Salinas është një tjetër fëmijë që tha se u përpoq të “shtirej si i vdekur” në dhomën e mbushur me gjak, në mënyrë që autori të mos e qëllonte.

Mia Cirillo, 11 vjeç, bëri të njëjtën gjë për të mos tërhequr vëmendjen e Salvador Ramos, duke u lyer me gjakun e një shoku, trupi i të cilit ishte pranë saj, siç shpjegoi ajo për CNN.

Një tjetër nxënës, Daniel, konfirmoi për “Washington Post” se ai dhe shokët e tij nuk bërtisnin, ndërkohë që prisnin të vinte policia për t’i shpëtuar.

“Isha i frikësuar dhe i stresuar sepse plumbat për pak më prekën edhe mua,” tha ai.

Ai shpjegoi se mësuesi i tij, i cili u plagos, por shpëtoi gjallë, u kërkoi fëmijëve të “ruanin qetësinë” dhe “të mos lëviznin”.

Një nxënëse, e cila gjithashtu u godit nga një plumb, i kërkoi mësueses së saj të telefononte policinë, duke i treguar se po i rridhte shumë gjak, thotë Danieli, i cili nuk mund të flejë më vetëm dhe ka makthe pas tmerrit që përjetoi.

Nëna e tij, Briana Ruiz, tha se fëmijët që mbijetuan “po vuajnë nga trauma dhe ata do të duhet të jetojnë me të për pjesën tjetër të jetës së tyre”.

Samuel Salinas tha gjithashtu se kishte makthe dhe mendimi se duhet të rikthehet në shkollë apo edhe për të parë shokët e klasës e tremb atë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura