“Diplomacia turistike” e emigrantëve shqiptarë nga Selaniku

May 19, 2023 | 9:55
SHPËRNDAJE

-Këtë përqasje tejpamëse, miqësore dhe të “menduar mirë”, nuk e ka bërë askush, veçse Komuniteti Shqiptar i Selanikut me drejtues Dr. Luan Zyka-

WhatsApp Image 2023-05-19 at 10.17.17 AM

Kur në fillimin e Majit 2023, një autobus me “turistë emigrantë shqiptarë” vizitonte Jugun shqiptar, duke pasqyruar hap pas hapi “ahengun” popullor në mediat sociale, kujtova se ishte thjesht një veprimtari rutinë. Në fotot e tyre nga udhëtimi pashë se ata kishin shkuar edhe në Livadhja të Sarandës, duke nderuar bashkë me minoritetin grek, Heroin e Popullit Lefter Talo. Tufa e luleve tek busti “dy-gjuhësh”, duarshtrëngimet me banorët grekë atje, solemniteti pranë një busti, m’u duk një “urë mish-gjaku”  dhe u drithërova. Befas më erdhën në mendje vajzat e bukura minoritare në shkollën e mesme në Shkodër…

Ishim adoleshentë dhe ishim “mish e gjak” dashurie e respekti. Asnjë “akull”, asnjë “helmatisje” mes nesh. Kujtoj se Lefteri Kosta, një vajzë lozonjare  e po aq e mençur nga Livadhjaja, më kishte dhënë një abetare greke të mësoja greqisht.Nuk e fsheva atë libër kurrë, edhe pse nuk munda “ta përtypja” gjuhën tjetër. M’u kujtuan këngët greke që këndonte im at’ kur ishte në qejf, dhe vetja m’u duk në “oazin” e mirëkuptimit…

Një nga “motivet perëndimore” të jetës këtu në Amerikë është: të bëjmë qejf pakufi. Ky është një realitet, që qartazi e sheh në çdo fundajve, kur klubet mbushen plot dhe trafiqet rëndohen. Njerëzit “vrapojnë” të shijojnë jetën. Harrohen streset e javës, dhe njerëzit  me të dashurit e vet  bëjnë gjëra të bukura, në vende të bukura.

Në vështrim të parë, edhe ky udhëtim i Komunitetit Shqiptar të Selanikut të kujton një “Stil amerikan” e patriotizëm po të kësaj ane. Por, për faktin që  aty është “ende Ballkan”, Dr. Luan Zyka, nuk mungoi të fuste  motivet e forta të kësaj “mërgate turistike” nga Selaniku fqinjë. A ishte një “pragmatizëm i çastit”, një “ndjesi patriotike”, apo një “soft power” i Dr. Zykës ashtu siç e shtjellon ai në studimet e tij?
(Shih “Diaspora dhe Diplomacia Kulturore” L.Z – gazeta Panorama, Nov. 24 2017)?

Këtë nuk e di, porse me  këtë që bëri,  ky organizim i lirë i shqiptarëve të Selanikut,ishte tamam një “grusht paqe” në Jug.

Ata, grupi i Komunitetit Shqiptar të Selanikut, erdhën dhe ikën përsëri në Selanik,  për të filluar punët që prisnin, por lanë të freskët një mesazh të madh mirëkuptimi, si një “profilaksi” diplomatike ndaj çdo helmatisje   me nacionalizma anakroikë dhe fallso.

Unë jam dorështrënguar  me  miqtë e mi grekë. Blloqet e mia të kujtimeve qysh në vitin 1975 kanë shënime  me këshilla vëllazërore nga minoritari Vasil Karajani, që tashmë jeton në Greqi.Mark Preçi  katolik nga Shkodra vetëm pak muaj më parë do shkonte ne Athinë “të pinte kafe” tek Karajani, ndërsa unë ende shijoj mikpritjen greke në Çukë të Sarandës ,qysh në vitet 1980 kur do isha mysafir tek familja e  minoritarit  Vasil Karajani. Sa shumë minoritarë më vijnë në mendje si njerëz të mirë, të dashur, të kulturuar,punëdashës e  miqësorë që  si flutura mendimi njerëzor janë bërë pjesë e pandashme e shoqërisë shqiptare. Nuk do mbjell dot kush errësirë mes “ndriçimeve” që i japin njëri-tjetrit  grekërit dhe shqiptarët e mirë. Kurrë.

Luan Lika1

Ja se si do të vlerësonte Dr.Luan Zykën, doktori minoritar Ilia Kalanxhi me një shqipe të shkruar më mirë se “fjalimet e deputetëve”, duke i dedikuar librin e vet në greqisht:

“Zotit Luan Zika, si kujtim për ndërgjegjen, sinqeritetin, kulturën dhe pjekurinë politike që gozhdove në ndërgjegjen tonë për disa minuta që mbiseduam…”. Sa dedikim i sinqertë  i ish-kryetarit të kooperativës Livadhja. Vini reme kujdes: “… më gozhdove në ndërgjegjen tyme…”. A mund të thuhet më bukur? A mund të thuhet më qartë? A mundet pra?… Aty  nuk kishte as kamera, as gazetarë, as transmetime direkte, për vetëm shqiptarë-emigrantë  të Selanikut dhe minortitarë grekë të Livadhjasë. Ky kohezion shpirtëror, kjo “gizë”  e derdhur si llavë dashurie mes  “dy kombesh”,  është  vlerë ballkanike, është paqe dhe bashkëjetësë, është në fund të fundit “Amerikanizim i ballkanit”, dhe këtë po e bën një drejtuesi Komunitetit Shqiptar në Selanik, Dr. Luan Zyka. Të ishte një tjetër, të ishtë një “kryetar partie”, të ishte një “kryetar qeverie”, ky dedikim do ishte “kryefjala” e mediave  shqiptare. Por u hesht, sepse ne jemi mësuar të  vërdallosemi ndaj “ofiqit”, gradave dhe pushtetit, jo ndaj vlerave, mesazheve dhe  principeve që i bëjnë kombet shoqëri të kulturuara.

Turistë shqiptarë nga  Selaniku në një “mision diplomatik” që nxjerr jashtë loje  një ministri të jashtme  dhe një “kosh me ambasadorë”!  Si është e mundur? Ja  pra që është e mundur. Sepse mesazhet e mençura, miqësia e vërtetë, njohja e njëri tjetrit, “të gozhdojnë”. Ato të bëjnë të ndiesh krenar për atë që je,edhe po aq të gëzohesh për “kombin tjetër”,  dhe “të mbërthejnë” në një udhëtim të gjatë, të pandalshëm dhe të përhershëm ku secili është në “korsinë e vet”.  Çdo  “nomatisje” tjetër, çdo lloj përpjekjepër të helmuar kombe dhe kultura, është  thjesht një “vdekje pa lindje”, dështim.

Ja pse më gëzon e më ngazëllon, më ve në mendime duke shpresuar tek një zgjim  intelektual  nga   kjo “aventurë turistike” e Komunitetit Shqiptar të Selanikut. Sepse ajo  është më shumë se  shëtitje nëpër Jug. Është mesazh i madh  me “vizione moderne të shoqërisë së lirë ”….

Shefqet Meko
Minneapolis, USA
18 Maj 2023

 

 

 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura