Diplomacia si profesion

Sep 18, 2017 | 11:41
SHPËRNDAJE

leonidha-mertiri-150x150LEONIDHA MËRTIRI

Burim i këtij shkrimi u bë mbledhja e fundit e Kryeministrit me ambasadorët tanë, të akredituar në vende të ndryshme të botës. Ky takim, ndër të tjera, zgjoi dhe dilemat mbi diplomacinë. A duhet kuptuar ajo si një profesion kompleks apo si e tillë, që mjafton të kesh kryer një shkollë të lartë? Të qenurit diplomat është një mision shumë i rëndësishëm, ndaj me të drejtë, për shërbimin diplomatik thuhet se është një pasuri kombëtare.

Diplomati dhe historiani amerikan George F. Kennan, figurë e njohur e Departamentit të Shtetit, duke mos u pajtuar me diplomacinë diletante, qysh herët këmbëngulte se “në ndërtimin e politikës së jashtme, të përdoren më mirë parimet e profesionalizmit dhe se duhet krijuar një trupë profesionistësh superiore ndaj gjthçkaje që ekziston ose që ka ekzistuar ndonjëherë në këtë fushë”.

Ky mision, sa i nderuar, edhe i vështirë, me një gamë të gjerë ndikimi: ruajtjen e paqes, sigurisë, prosperitetin e vendeve dhe popujve. Dhe modelet e diplomacisë nuk mungojnë, me ndikim të jashtëzakonshëm, jo vetëm në institucionet më të larta të vendeve të tyre, por edhe në botë.

Pra, t’i bashkohesh shërbimit të jashtëm, të përfaqësosh vendin tënd, do të thotë një përzgjedhje e kujdesshme, me kritere të forta, duke respektuar realisht Ligjin e Shërbimit të Jashtëm. Jo duke e parë thjesht si një nëpunës të zakonshëm, ku dhe ky i fundit, pa e nënvlerësuar, duhet t’u nënshtrohet kërkesave të njohura të Ligjit për Administratën Publike. Diplomati kërkohet të jetë njeri i ditur, me kulturë të përgjithshme, i mirinformuar për vendin e vet, me një profil të tij e të qartë në debatet për çështje të ndryshme.

Gjuha e huaj ka rolin e vet të padiskutueshëm, por nuk është vetëm ajo që përcakton profilin. Nuk mund të jesh diplomat, pa njohur në radhë të parë historinë e vendit, të popullit tënd, pa njohuri për vendin ku je akredituar dhe probleme të rëndë- sishme të rajonit dhe në përgjithësi të situatës ndërkombëtare. Në këtë vështrim, mund të radhitnim dhe çështje të tjera, mjaft të nevojshme për një diplomat, siç është kultura legjislative dhe ajo ekonomike.

Ndryshe, si mund të bisedosh me kolegët e tu, me njerëz të biznesit në veçanti, kur shtrohet nevoja për një diplomaci ekonomike sa më efektive apo dhe për fusha të tjera në këtë botë globale? Puna është që përfaqësia diplomatike që ti drejton apo shërben në të, të forcojë dhe të bëjë për vete më shumë aleatë të vendit të tij, duke u reflektuar kjo në përmirësimin dhe ecurinë me tej të marrëdhënieve dypalëshe, por edhe shumëpalëshe. Respektimi rigoroz i kritereve të pranimit në diplomaci, sikurse theksuam, është nga filtrat më të rëndësishëm.

Por, sikurse është vënë re, shpesh ato sfumohen në mënyrë arbitrare nga politika, ku klientelizmi, nepotizmi dhe izma të tjera i zënë frymën diplomacisë së vërtetë, duke i hapur udhë mediokritetit, apo akoma më keq, për ta përdorur atë për afera korruptive. Ta shohësh diplomacinë jo si profesion, por si strehë partiake, ku militantët, miqtë e njërit apo të tjetrit, zënë vendin e njerëzve të aftë dhe të tjerët të pajtohen me këto qëndrime, bëhet dyfish e dëmshme.

Dhe rezultati? A mund të ndryshojë ajo pastaj me “se s’bën”, siç tha Kryeministri në mbledhjen me ambasadorët? Cilat përfaqësi diplomatike dhe konsullore u kritikuan konkretisht, sikurse ka dhe ambasadorë me përvojë të admirueshme në diplomaci? Vetëm fjalë, që nuk të japin asnjë siguri se diplomacia nuk do ta pësojë nga bërrylat e politikës e kuadri ligjor nuk do të nëpërkëmbet.

Se, besnikëria, të qenët jesmenë të politikës, të drejtuesve të pushtetit, nuk mund të jenë kriteret që kërkohen. Rotacionet politike, sikurse ka ndodhur në të vërtetë, vetëm e zbehin fytyrën e diplomacisë. Diplomatë të aftë, që kanë drejtuar përfaqësitë tona në vende të rëndësishme, me epitetin “të papërshtatshëm”, për shkak të mungesave që sapo thamë, kthehen në specialistë të thjeshtë, që mbulojnë madje, vende jo të ndonjë rëndësie të veçantë.

Tetë apo nëntë vite më parë, ambasadori i shquar, Petrit Bushati, kryediplomati ynë në kryeqytetet më të rëndësishme, sapo kthehet nga vendi fqinj, emërohet specialist për të mbuluar po atë vend(?!). Paradoks, jo i vogël. Kështu ka ndodhur me diplomatin, Mandelën e gjallë, Daut Gumeni, të cilin e lanë pa punë, duke ia ndërprerë në mes mandatin, vetëm se nuk konsiderohej i tyre… Sikurse ndodh dhe aktualisht me disa ish-titullarë ambasadash, diplomatë karriere.

Ose paradoksi tjetër: Ilirian Zhupa, diplomat i spikatur karriere, poet dhe publicist i shquar, për rreth dymbëdhjetë vjet, vazhdon të jetë “i ndaluar”, kushedi nga cilët, për t’u emëruar në përfaqësitë diplomatike. Dhe mendoni: Jo vetëm diplomat, por edhe personalitet i letrave shqipe, poezitë e të cilit janë përkthyer në mbi njëzetë gjuhë të botës, jo thjesht si një pasaportë për të, por si një pasaportë për gjuhën, kulturën dhe vendin tonë. Me ndërrimin e kuajve të qerres së këtij pushteti, këta diplomatë ende ndihen të papërfillur në vazhdimin e karrierës diplomatike, por sidomos në promovimin me të drejtë të tyre.

Vendet me demokraci të konsoliduar, nuk bëhet fjalë t’i kenë këto probleme. Orekset e politikës dhe të liderëve të saj nuk mund të jenë e të bëhen primare për diplomatët e karrierës dhe diplomacinë në përgjithësi, kur interesat e vendit kërkojnë të kundërtën. Flasim për një diplomaci solide, të zhdërvjelltë, për një kthesë në qëndrimin dhe vlerë- simin e saj, në radhë të parë nga ana e qeverisë Rama. Një qasje e re, pa mbetur në konstatime, do t’i jepte më shumë dinjitet kësaj diplomacie dhe do të bënte që rezultatet të jenë inkurajuese.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura