Diplomacia ekonomike po ndryshon

Nov 18, 2020 | 9:30
SHPËRNDAJE

ANASTAS ANGJELI

Anastas-Angjeli

Pushteti i zgjuar (“Smart Power”) në shekullin e 21-të nuk ka të bëjë vetëm me maksimizimin e fuqisë ushtarake apo ruajtjen e hegjemonisë, por mbi të gjitha me ndërtimin e një sistemi politiko-ekonomik për të kombinuar burimet, interesat dhe përfitimet drejt një strategjie të suksesshme bashkëpunimi. Mbi këtë bazë ndërtohet gjithë forca e diplomacisë ekonomike si pjesë e politikës së jashtme të një vendi. Ajo përfaqëson zgjedhje strategjike, në mënyrë që interesat e brendshme të zhvillimit të një vendi të harmonizohen dhe t’u përshtaten faktorëve të jashtëm të tregut ndërkombëtar.

DIPLOMACIA EKONOMIKE NE VEPRIM

Diplomacia ekomomike e shekullit të kaluar mbështetej në realizimin e dy objektivave: garantimi i lëndëve të para dhe sigurimi i tregjeve të shitjes. Të gjithë mbajmë mend konfliktet e viteve ‘70 të shekullit të kaluar për burimet e naftës dhe mineralet. Kujtojmë të gjitha politikat e proteksionizmit etatik dhe luftën për liberalizimin ekonomik, ku interesat për sundimin e tregjeve mbështeteshin nga politikat e dumping-ut dhe formave të tjera të eksportit të kapitaleve. Produkt i këtyre konflikteve ishte forcimi i rolit të organizmave ekonomike ndërkombëtare ndërshtetërore dhe bashkimet ekonomike. Lindja e Europës së Bashkuar është kulmi i shprehjes së diplomacisë ekonomike të shekullit të kaluar.

Deri në vitet e para të shekullit 21, diplomacia ekonomike ishte në funksion të dy mekanizmave bazë: eksport i mallrave dhe import i kapitalit. Sot, pas 75 viteve paqe dhe zhvillim në Europë, të gjitha këto elementë janë transformuar. Dhe ky transformim vazhdon. Për pasojë, edhe diplomacia ekonomike po ndryshon. Ajo po u përshtatet sfidave të reja aktuale globale. Pandemia e Covid-19 dhe recensioni ekonomik që kanë pllakosur globin kanë shkaktuar frenime të përkohshme dhe zhvillime të paimagjinuara në marrëdhëniet ekonomike, tregtare e financiare ndërkombëtare edhe në vetë procesin e globalizimit.

Në këto kushte, dhe jo vetëm, ajo ka vënë në qendër të vëmendjes instrumente të reja, që lidhen me procesin e dixhitalizimit, me inovacionin dhe shumë mekanizma të rinj të produkteve financiare. Krijimi i tregjeve të letrave me vlerë që mbartin detyrime shtetërore (bonot e thesarit) dhe kombinimi i produkteve financiare me riskun e falimentimit shtetëror e bëjnë diplomacinë ekonomike mjet të nevojshëm të reagimit të shpejtë dhe një fuqi në negocimin ndërkombëtar. Për shembull, suksesi apo mossuksesi i rifinancimit të borxhit shtetëror nuk është vetëm një fenomen ekonomik, por edhe një procedurë dhe objekt i diplomacisë ekonomike.

Sot, diplomacia ekonomike përmbledh jo vetëm nismat dhe rezultatet e veprimeve dhe marrëdhënieve ekonomike e tregtare dy apo shumëplanëshe, por edhe ndikimin e organizmave ndërkombëtare në jetën ekonomike të vendeve të veçanta (shiko: FMN, BB, BE, OBT, KE etj). Ajo, mbi të gjitha, kushtëzon raportet midis shteteve dhe firmave private në fushat më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik, siç janë: energjia, financat, shëndetësia, etj. Nuk kishte ndodhur kurrë në historinë e zhvillimit ekonomik që të parablihej një ilaç që në fazën e parë të zhvillimit të tij. Vaksina e Covid-19 është parapaguar nga SHBA me miliarda dollarë paradhënie në 3 firma amerikane dhe 2 europiane edhe pa hyrë studimi në fazën e tretë të eksperimentimit. Shtetet morën risqe me miliarda dollarë për të garantuar këtë të mirë materiale. Bashkimi Europian ka investuar paraprakisht për të njëjtën vaksinë në mbi 8 firma shumëkombëshe, duke krijuar për herë të parë në historinë e njerëzimit “portofolin e riskut shëndetësor” për shtetet anëtare. Paketa mbështetje nga burime financiare në shtete të ndryshme në ndihmë të bizneseve dhe vetë qytetarëve të tyre, si asnjëherë tjetër u vunë në veprim. Programe dhe plane mbështetëse, paneuropiane dhe rajonale për rindërtim dhe anti-Covid-19 u vunë në veprim dhe organizmat ndërkombëtarë krijuan mekanizmat e tyre koordinues dhe përshtatës për zbatimin e këtyre programeve jetike për njerëzimin kujtojmë këtu: Fondi Europian i Rimëkëmbjes ose Plani i Ri Marshall, “Next Generation EU”, “Plani i Rimëkëmbjes për Ballkanin etj).

Të gjitha këto elemente tregojnë se diplomacia ekonomike nuk është bërë vetëm forma më e përdorur e ekspansionit ekonomik duke ristrukturuar edhe vetë marrëdhëniet e firmave private me shtetin në kushtet e tregut të lirë dhe globalizimit. Ajo është shndërruar edhe në një “mjet bashkimi dhe koordinimi forcash diplomatike, ekonomike e financiare” për të përballuar këtë krizë të madhe, duke shfaqur karakteristika të veçanta si asnjëherë tjetër.

KARAKTERISTIKAT E DIPLOMACISË EKONOMIKE NË TREGUN NDËRKOMBËTAR

1- Diplomacia ekonomike sipas “Modelit Gravitacional të Tregtisë”

Në teorinë ekonomike ekziston një model i klasifikimit të nivelit të shkëmbimeve ndërshtetërore, që shumë e quajnë “Modeli Gravitacional i Tregtisë”. Ky model është një nga modelet më të suksesshme empirike në ekonomi. Së fundmi, ai është integruar dukshëm në bazat teorike të ekonomisë. Ky model bazohet në vlerësimin statistikor të këmbimit midis shteteve në funksion të tre faktorëve: madhësinë e GDP-së, largësisë gjeografike dhe diferencat në shkallën e nivelit të konkurrueshmërisë ekonomike.

Nëse këtij modeli nuk i marrim parasysh diplomacinë ekonomike, raportet e treguesve të import-eksportit të mallrave, kapitaleve dhe diferencat ne bilancin e pagesave kanë një rregullsi proporcionale të diktuar nga tregu. Por në realitet nuk ndodh kështu. Këtij modeli gjithmonë i shtohen ndikime nga “faktorë të rastësishëm” siç është diplomacia ekonomike e përfaqësuar nga: politikat tregtare, kufizimet në lëvizjen njerëzve dhe kapitaleve, marrëdhëniet dypalëshe për koncesione, investime me financime shtetërore në trajtë ndihmash etj. Të gjithë këto faktorë janë pasojë e diplomacisë ekonomike. Roli i këtij faktori sa vjen dhe shtohet dhe në shumë pikëpamje është edhe i pallogaritshëm në parashikimet ekonomike. Le të shikojmë disa elemente konkrete të ndikimit të këtyre faktorëve në “Modelin Gravitacional të Tregtisë”.

Vështirësitë tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës janë përkeqësuar shumë gjatë 15 viteve të fundit. Shtetet e Bashkuara akuzojnë Kinën për manipulimin e çmimit të juanit me qëllim të ruajtjes së vlerës së mallrave të eksportit dhe uljen e mundësive për të importuar mallra nga vendet e tjera. Ndërsa kinezët thonë se deficiti i madh tregtar me Shtetet e Bashkuara është shkak për uljen e konkurrencialitetit ekonomik dhe rritjes në vazhdim të kërkesës për konsum brenda këtij vendi. Sikur të mos ekzistonte lufta tregtarë (“trade war”) midis SHBA dhe Kiës eksportet e mallrave kineze në SHBA dhe eksportet e kapitaleve amerikane në Kinë sipas modelit të përmendur më lart do të shtoheshin ndjeshëm pas viteve 2017. Në fakt, kjo nuk ndodhi, ato patën një rënie të konsiderueshme, e cila u rrit sidomos pas vitit 2018 e deri më sot. Ndërsa SHBA mundohej të përdorte levat doganore për pakësimin e importeve kineze për të ekuilibruar bilancin tregtar, Kina përdorte levat monetare për lehtësimin e tyre. Të dyja palët vinin kufizimet dhe pastaj uleshin ne bisedime për t’i ristrukturuar ato. Shembulli më tipik i një lufte tregtare dhe i një diplomacie ekonomike. Dhe tashmë dihet rezultati i kësaj historie. Ende pa një marrëveshje tregtare midis SHBA dhe Kinës, veç marrëveshjes ekonomike-tregtare “faza 1”, e nënshkruar në 15 janar në Shtëpinë e Bardhë, që ishte hapi i parë konkret drejt kompromiseve të luftës tarifore, dhe një shembull konkret i diplomacisë ekonomike…

Gjithashtu, përpjekjet e vazhdueshme për të gjetur një marrëveshje në këtë drejtim nuk mund të zgjidhnin kontradiktat gjithnjë e më të mëdha të këtyre vendeve jo vetëm në fushën e tregtisë, por mbi të gjitha në fusha të tjera me rëndësi strategjike. Kështu, dalëngadalë, lufta u fut në fushën e dixhitalizilimit (teknologjia 5G) në platformat e ndryshme sociale me kapital kinez, që veprojnë në SHBA etj.

Diplomacia ekonomike gjen gjithmonë instrumente dhe shpik armë të reja në luftën tregtare.

Duhet nënvizuar se në platformat ekonomike dhe ato të politikës së jashtme dhe të strategjisë së dy kandidatëve për Shtëpinë e Bardhë, qëndrimet dhe konfigurimet dhe platforma e diplomacisë ekonomike ndaj Kinës, Iranit dhe disa vendeve të tjera, ishin të përafërta, deri në ngjashmëri të theksuara. Ato mund t’i përmblidhen në këto pika:

a) Sanksione ekonomike në lidhje me zhvillimet demokratike të një vendi. SHBA e ka përdorur këtë instrument në shumë vende të botës, nga Irani deri në Rusi, në vazhdimësi dhe në të gjitha kohërat. Sipas programeve të kandidatëve, ky instrument do të përdoret edhe me gjerësisht në të ardhmen.

b) Kufizime në lidhje me cilësinë e mallrave të importuara në aspektin e mbrojtjes së interesave të qytetareve.  Kjo masë indirekt jo vetëm ka rritur kostot e mallrave të importuara, por dhe ka kushtëzuar cilësinë e tyre dhe masën e importeve.

c) Kufizimi i mallrave të importuara, duke evidentuar disa substanca përbërëse të tyre, që nuk përputhen me legjislacionin amerikan nacional dhe rajonal (shteteve).

Një nga tiparet më thelbësore të diplomacisë ekonomike është bërë fakti i gjetjeve të integrimit tek interesat publike dhe private. Pandemia e këtij viti tregoi se globalizimi kishte kufij jo vetëm ekonomikë, por dhe socialë, dhe nuk ishte një tendencë e pakthyeshme.  Në këtë kuptim, të gjithë specialistët e ekonomisë filluan të zhvillojnë konceptin e mikroklimës ekonomike, ku ekuilibri midis globalizimit dhe vetëprodhimit hyjnë në një fazë të re. Kjo gjë nuk kish se si të mos shoqërohej edhe me ndryshime të ndjeshme në elementet e diplomacisë ekonomike, roli i së cilës po rritet me ritme shumë të shpejta pas krizës së përgjithshme botërore të pandemisë.

2- LEVAT E REJA TË DIPLOMACISË EKONOMIKE

Në programin ekonomik të kandidatit demokrat për Shtëpinë e Bardhe, Presidentit të zgjedhur, Joseph Biden, për herë të parë po shfaqem disa elementë të rinj të “luftës tregtare”, që në thelb përfaqësojnë elemente të diplomacisë ekonomike.

Forma më e re e diplomacisë ekonomike, e evidentuar në programin e tij, është “ekonomia e gjelbër” dhe “mbrojtja e ambientit”. Këto qëllime arrihen nëpërmjet mekanizmave dhe veprimeve të diplomacisë ekonomike duke u shfaqur në këmbimet ekonomike ndërkombëtare dhe duke u imponuar në standardet dhe rregullat e organizatave ndërkombëtare: Kufizimet për shkak të ndotjes së ambientit. Të gjitha shtetet anëtare të OBT-së mund të vënë kufizime tregtare nëse vërtetojnë se produktet e importuara ndikojnë në ndotjen e ambientit.

a) Kufizimet për shkak të patentimit. Pa hyrë këtu, nëse patentimi i shpikjeve apo produkteve nxit apo frenon zhvillimin, gjithmonë e më shumë çdo inovacion teknologjik po patentohet dhe për pasojë po personalizohet në prodhim. Rasti më i fundit është ai i vaksinës për Covid-19. Të gjitha produktet e vaksinimit në proces nga firmat europiane dhe amerikane, që kanë depozituar metodologjinë, procedurat dhe studimet pranë organizatave ndërkombëtare dhe kanë bërë të njohur publikisht rezultatet e tyre, kanë prioritet në licencimin e produkteve të tyre.

b) Kufizimet për shkak të sigurisë kombëtare. Dixhitalizimi i ekonomisë dhe mundësia e sulmeve kibernetike ka nxjerrë në pah një kufizim tjetër, atë të kontrollit të teknologjisë së përhapjes së dixhitalizimit. Lufta më e ashpër midis SHBA dhe Kinës aktualisht po bëhet për teknologjinë 5G. Kushtëzimi i funksioneve të transmetimit të të dhënave, siguria e komandimit të armëve bërthamore, ruajtja e të dhënave personale etj. janë bërë disa nga faktorët bazë që detyrojnë një vend të vendosë barriera tregtare në funksion të sigurisë kombëtare.

c) Kufizimet për shkak të zhvillimit të ekonomisë së gjelbër. Supozojmë për një moment që një vend me një treg të madh makinash të ndalojë qarkullimin e makinave me karburant dhe të lejojë vetëm ato elektrike. Kjo do të sillte një ristrukturim kolosal të tregut të makinave dhe do të ndryshonte pozicionin e shumë firmave të mëdha në ketë fushe.

Ndryshimet në instrumentet e diplomacisë ekonomike kanë sjellë ndryshime të mëdha strukturore edhe në politikat e jashtme të shumë shteteve. Aleancat ushtarake janë zëvendësuar me traktatet e bashkëpunimit dhe politikat e zhvillimit me marrëveshjet rajonale të zhvillimit. Diplomacia ekonomike është bërë një nga sektorët më të rëndësishëm të politikës së jashtme dhe për pasojë edhe faktor zhvillimi potencial.

Ajo mund të quhet aktualisht sektori më i rëndësishëm dhe më dinamik në shërbim të interesave të një shteti dhe instrumenti më i suksesshëm i marrëdhënieve ndërkombëtare në dobi të ekonomisë kombëtare, zhvillimit social e mirëqenies, por edhe sigurisë kombëtare, rajonale dhe globale.

Pa humbur tiparet e saj tradicionale, ajo është një mjet për të arritur qëllime të reja dhe përparësi të rëndësishme si: përgjigjja ekonomike ndaj krizës aktuale të dhe zhvillimit të pandemisë, ndaj fenomeneve dhe kompleksitetit të tyre si, mjedisi, çështjet sociale, forcimi i konkurrencës dhe kapaciteteve shpikëse, industria agro-ushqimore, industria farmaceutike, teknologjitë e së ardhmes dhe ndryshimet e klimës.

* * *

Bashkimi Europian, pak ditë më parë miratoi paketën prej 103.3 milionë Euro për rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë, duke marrë shkas nga pandemia. Pra, rregullimi i fondeve të BE-së për të ndihmuar Shqipërinë u bë me synim përballjen me sfidat aktuale sociale e ekonomike dhe vazhdimin e reformave kryesore që vendi ynë duhet të zbatojë në rrugën e vet drejt integrimit europian. Kjo, një shprehje tjetër e dukshme e lëvizjes se diplomacisë ekonomike europiane, që obligon jo vetëm MPJE, por të gjithë institucionet e tjera të shtetit, për të bërë më shumë në fushën e diplomacisë ekonomike, me qëllim kthimin e saj në një instrument të rëndësishëm dhe efektiv për arritjen e synimeve strategjike dhe kombëtare të vendit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura