Diplomacia ekonomike, parole, parole, parole!

Nov 20, 2017 | 12:57
SHPËRNDAJE

lutfi dervishiLUTFI DERVISHI

“Puna ime matet me sa investime të huaja sjell në Britani, politikën e bën Amerika” – kjo ngjarje anekdodike e ndodhur më shumë se 10 vite më parë ,- është këshilla e një ambasadori britanik ndaj kolegut të tij shqiptar. Puna e “shqiptarit” matet me numrin e takimeve të nivelit të lartë politik mes dy vendeve.
Nga ajo kohë ka rrjedhur shumë ujë. Ekonomia është së fundmi në fokus dhe një ditë e plotë në takimin vjetor të ambasadorëve ju kushtua diplomacisë ekonomike.
Diplomatët shqiptarë tashmë duhet të mendojnë për investimet e huaja që do të sjellin në Shqipëri!
Por duket se ky prioritet i ri më shumë i shkon përshtat thënies “e lehtë si puna e tjetrit” sesa një plan i mirëmenduar që një ditë do të japë frute.
Së pari, kur flasim për prioritet, demagogjinë/propagandën nga seriozitet e ndan buxheti! Nëse kemi sërish të njëjtën buxhet për diplomacinë, të njëjtin staf atëherë vjen pikëpyetja e parë e madhe.
Së dyti është keqkuptimi se diplomatët janë njerëz pa punë.
Nëse merr në konsideratë, numrin e diplomatëve në vende si Greqia, Italia, apo Gjermania ku ka edhe një numër të konsiderueshëm shqiptarësh atëherë kupton se me 4 apo 5 diplomatë nuk mund të:…

Përfaqësosh vendin në aktivitetin diplomatik
Sjellësh investime të huaja.
T’i shërbesh komunitetit shqiptar prej 200, 500 apo 700 mijë banorësh.
Të identifikosh diasporën e vjetër dhe të re.
Të informosh për situatën në vendin ku je akredituar
Të kërkosh treg për biznese shqiptare.
Të interesohesh për takimet në nivel të lartë mes dy vendeve.
Të presësh e të përcjellësh në aeroporte zyrtarët shëtitës të Shqipërisë.
Të presësh ccdo qytetar që kërkon të të takojë.
Të kryesh detyra që nuk i dimë dhe nuk kemi pse t’i dimë.

Nuk di ccfarë mendon dhe si i përgjigjet një diplomat pyetjes: ccfarë pune bëni ju?
është thjesht e pamundur! Edhe robotit Sofia, po t’i jepej kjo listë do të tundte kokën në shenjë mohimi!
Në një botë ku nuk mungon informacioni, investitorët potencialë më shumë i besojnë agjencive të specializuara sesa panoramës së “ndritur” të diplomatëve.
Para se të kërkojmë nga diplomatët tanë ardhjen e invistitorëve të huaj, duhen pyetur shoqatat e biznesit të huaj në Shqipëri dhe nesë ata pyeten kanë shumë për të thënë: si për nivelin e taksave që është më i lartë në rajon, si për problemin e pronësisë që është unik në kontintent si për nivelin e administratës që nuk gjen të dytë as në librat komikë.
Shqipëria nuk është tokë e panjohur, as kërthiza e botës dhe as gëzon pozicion strategjik. Vendi nuk ofron mjedis të sigurtë ligjor dhe mungojnë shtysat për të thithur/joshur investimet e huaja.
Ka një sërë strukturash në Shqipëri, që nga ministritë dhe agjencitë e ndryshme që kanë detyrë funksionale tërheqjen e investimeve të huaja. A thua shkëlqyem këtu dhe tashmë ka mbetur që dorën e fundit t’a japin diplomatët.
Diplomatët shqiptarë janë më të keq paguarit dhe më të kronometruarit sa naftë harxhon makina e tyre.
Makina e diplomacisë mund të marrë drejtim dhe shpejtësi tjetër vetëm nëse diplomacia ekonomike e trumpetuar kaq shumë këto ditë nuk do të ketë kujdesin që pati diplomacia kulturore, diplomacia publike apo diplomacia parlamentare! Përndryshe: Parole. Parole. Parole!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura