Diplomaci e hapur, pa paragjykime

Jul 19, 2016 | 12:15
SHPËRNDAJE

leonidha mertiriLEONIDHA MËRTIRI

Në një nga seancat e Kon ferencës së Ambasadorëve, organizuar këto ditë nga Ministria jonë e Punëve të Jashtme me …kryediplomatët e përfaqësive diplomatike dhe konsullore të Shqipërisë në botë, tërhoqi vëmendjen e pjesëmarrësve vendës dhe të ndërkombëtarëve, fjala e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Selim Belortaja.

Njihem prej kohësh me të dhe gjithnjë më është dukur një zë ndryshe në diplomaci. E veçanta qëndron te theksi që ai i vë nevojës për një diplomaci të freskët, të hapur, produktive dhe pa paragjykime. Dhe kjo nuk është një rastësi, as hera e parë që Belortaja i shpalos këto mendime. Herë pas here ai e ka bërë të qartë këtë lloj diplomacie përballë praktikave rutinë, formale dhe të ngurta të saj, gjë që ka qenë objekt edhe i shkrimeve tona të mëparshme, botuar në faqet e kësaj gazete.

Por fjala në këtë Konferencë i dha atij mundësinë që të paraqesë në një mënyrë më të plotë, më kompakte dhe më të argumentuar pikëpamjen e tij për sa më lart. Le të ndalemi në disa momente të këtij prezantimi, duke dhënë dhe gjykimin tonë mbi to. Është e qartë që diplomacia jonë udhëhiqet nga disa prioritete të caktuara.

Të përcaktuar janë edhe partnerët tanë strategjikë. Por as kjo klishe ndarje nuk është e parathënë, statike, të mbetesh peng i kësaj klisheje e ndarjeje në partnerë të mirë dhe të këqij. Ky lloj stereotipi bëhet fare komod për dembelët dhe diplomatët pa ide, të cilët nuk duan t’i hapin punë vetes dhe të studiojnë hapësirat që dinamika e zhvillimeve politike ofron herë pas here. Sjellja e të qenit “politikisht korrekt”, nuk duhet të vrasë dinamizmin dhe fleksibilitetin, që janë aq të nevojshëm në diplomacinë moderne.

Ndërkohë, klisheja vetë të bën simpatik para shefave, por dhe para partnerëve strategjikë dhe mbi të gjitha… nuk të hap telashe. Kështu, sikurse tregon dhe realiteti, ky lloj formati e bën diplomatin të mbijetojë më mirë. Çfarë nënvizuam më lart, shfaqet në mënyrë të qartë me gjeografinë politike, domethënë në marrëdhëniet me shtete dhe aktorë të caktuar. Përzgjedhja e partnerëve nuk mund të jetë fikse, e betonuar.

Edhe vetë prioritetet janë rezultat i analizave realiste. Në të vërtetë, është një partneritet për shkak të interesave tona kombëtare, detyrimeve që rrjedhin nga misioni i diplomacisë, nga Kushtetuta jonë. Me fjalë të tjera, partneritetet tona strategjike nuk janë të parathëna, që bien nga qielli, por burojnë nga interesat kombëtare.

Aq më e qartë bëhet kjo kur është fjala për marrëdhëniet me “aktorët e tretë”. Ky është një nocion i ri që qarkullon sot në gjuhën diplomatike. Me sa duket, kjo ka parasysh jo vetëm shtete, po dhe “non-state actors”, të cilët, edhe pse nuk janë partnerë të dorës së parë, me interesat, fuqinë dhe “background”-in e tyre ndikojnë në rajon dhe, për rrjedhojë, në vendin tonë. Të marrim për shembull Rusinë.

Ç’rreziqe, fjala vjen, do të kishte për Shqipërinë mbledhja e Komisionit Ekonomik Dypalësh me të, të cilin Rusia e kërkon me këmbëngulje? Ka katër apo pesë vjet që ky komision nuk mblidhet. Mbledhja e këtij komisioni nuk do të thotë që e obligon palën tonë të anulojë apo të rishikojë qëndrimet e saj politike, si ndaj agresionit rus në Krime apo krizës në Ukrainë, ose rolit të Rusisë në Siri apo flirtit të hapur me Serbinë dhe lëvizjeve të saj në rajon, sidomos axhendës “anti-Kosovë”.

Një dialog ekonomik, siç është ai nëpërmjet komisionit të mësipërm hap një kanal komunikimi edhe për çështje të tjera. Në fund të fundit, hapja dhe jo mbyllja është misioni i diplomacisë. Dhe, sikurse dihet, diplomacia është instrumenti më i rëndësishëm në politikën e jashtme të një shteti. Ose të shkojmë më tej. Ç’do të bënte hapja e një zyre përfaqësimi në Iran, qoftë dhe me funksion të kufizuar të bashkëpunimit ekonomik? Shkurt. Pse kudo duhet të jemi gjithmonë të fundit me lëvizjet tona?

Ndërkohë, gjithë bota e zhvilluar po nxiton të lidhë fijet ekonomike me potencialin gjigant të Iranit. Kur bëhet fjalë për aktorë të tretë, nënvizojmë: Së pari, jo rrallë i shohim ata si gogolë, flasim vetëm për kërcënimet dhe rreziqet prej tyre, duke e bërë këtë një refren të bezdisshëm dhe inproduktiv. Harrojmë, në këtë mënyrë, që ky terren paraqet dhe shumë hapësira, oportunitete, pra, jo vetëm kërcënime dhe rreziqe.

Së dyti, marrëdhëniet me ta i trajtojmë si dëshirë apo mosdëshirë. Kjo nuk është realpolitikë, sepse këta aktorë, duam apo nuk duam ne, janë prezentë në politikën tonë apo të rajonit. Pra, nuk janë një zgjedhje, por një realitet veprues, pavarësisht dëshirave tona. Së treti, ata realisht janë pjesë e tryezave tona, nuk janë të ndarë, ata i gjen të ulur dhe në tryezat e partnerëve tanë strategjikë, si NATO, Bashkimi Europian, OSBE etj. Një shembull tjetër.

EAPC-ja, Këshilli i Partnershipit Euro-Atlantik, është një forum i rëndësishëm për dialog dhe konsultime mbi çështje politike dhe të sigurisë midis aleatëve dhe vendeve partnere. Por pak e dinë që, jo vetëm Rusia, por edhe Serbia janë anëtarë të EAPC-së. Kjo e fundit është edhe anëtare vëzhguese e Kartës së Adriatikut. Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Selim Belortaja, dhe për këtë klasifikim mendon pak ndryshe.

Vizioni i tij është i qartë teksa vlerëson faktin që gjeografia e aktorëve të tretë nuk është kaq e ngushtë dhe kaq strikte. Kjo gjeografi shihet në lëvizje e dinamikë. Pse? Disa aktorë “firojnë” në influencën e tyre, ndërkohë që të tjerë dalin në skenë. Të marrim Kinën. Nuk mund të injorohet roli në rritje të dukshme i saj edhe në rajonin tonë.

Kur është fjala për Kinën apo për fuqi të tjera, sigurisht, është e nevojshme ndjekja e kujdesshme e balancës midis synimeve gjeostrategjike të tyre dhe interesave pragmatike të të dy palëve. Të dyja anët janë të lidhura, por ne përsëri nuk mund të mbetemi as peng i frikës, “pushtimit gjeopolitik” dhe as i euforisë së leverdisë ekonomike.

Kështu, sikurse thamë, nuk mund të injorohen edhe vende të tjera si Irani, me potencialin e vet të jashtëzakonshëm energjetik. Apo dhe vendet e Gjirit dhe sidomos, tërë Afrika, të cilën ministri italian i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Paolo Gentiloni, në fjalën e tij në Konferencën e Ambasadorëve e vlerësoi si potencial përcaktues për zhvillimin ekonomik në njëzet vitet e ardhshëm.

Për ta shtjelluar më tej mendimin për sa më sipër, pyetja që na lind paskëtaj, është e natyrshme: Çfarë mungon realisht në praktikën tonë me aktorët e tretë? Së pari, mbulimi i këtyre vendeve. Konkretisht: Ambasada jonë në Kinë i kaloi shtatë muaj pa ambasador, i cili, në të njëjtën kohë, nuk mund të plotësohet me zgjedhje të çfarëdoshme, por me personalitete me kualitete të larta, që gjenden dhe brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Pra, duke u nisur dhe nga përvoja jonë në diplomaci, shihet qartë që në këtë rast mungon koordinatori më i rëndësishëm i strategjisë së marrëdhënieve dypalëshe, që duket se do të mungojë dhe më tej emërimit të tij, për shkak edhe të procedurave normale, deri në pranimin e Letrave Kredenciale. Për ta vijuar edhe më mendimin, Irani mbetet pa një përfaqësi tonën në vend, kur ai ka vite që e ka hapur atë në Tiranë.

Kurse tërë Afrika mbulohet nga një përfaqësi e vetme diplomatike në Kajro, madje dhe kjo, me një staf prej dy vetash. Lidhur me rajonin tonë, Belortaja nënvizon faktin që me vendet fqinj ne nuk formojmë vetëm një “bashkësi interesash”, por edhe një bashkësi, brenda së cilës mbisundon konkurrenca mes vendeve.

Të gjithë jemi dëshmitarë për këtë: Secili përpiqet që fondet, projektet për rajonin t’i tërheqë nga vetja, nga ekonomia kombëtare, jo nga rajoni. Pra, e tërë kjo, përveçse një strategjie bashkërendimi rajonal, kërkon edhe një strategji të qartë konkurruese kombëtare.

Këto janë vetëm disa nga idetë që u përpoqëm të rroknim e të bënim komentet tona nga fjala e zotit Belortaja, të cilat mendojmë se janë një zë ndryshe në diplomacinë shqiptare, jo të një diplomacie të ngurtë, apatike, por të freskët, të hapur dhe pa paragjykime.

* Ambasador

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura