Dinamo- Skënderbeu, detajet që nuk u panë në televizor

Aug 27, 2015 | 0:16
SHPËRNDAJE

Në një ndeshje të nivelit të tillë nuk mungojnë as momentet pikante. Këtë herë protagonist kryesor ishte Bernard Berisha, që ngatërroi stadiumin “Maksimir” me atë të Skënderbeut.

bluzat e skenderbeut
Berisha
Në momentin e zëvendësimit, Berisha do t’u drejtohej dhomave të zhveshjes, por ngatërroi drejtim me idenë se dhomat e zhveshjes janë në një pozicion me stadiumin në Korçë. Shkoi deri në njëfarë vendi, por dera që të çonte në tribunën VIP ishte e mbyllur, pasi ka akses vetëm nga jashtë. Në këtë moment, u kthye në pankinë dhe i tha fizioterapistit: “Ku është çelësi”? Kjo u shoqërua me të qeshura. Më pas i tregojnë tunelin e dhomave të zhveshjes.

Radas
Marko Radas u kërkoi llogari të gjithëve për ndërhyrjet me vonesë ose ato të gabuarat. Fillimisht, me Jashanicën për një top që nuk e largoi saktë. Më pas, me Prognin për një dalje të pasigurt në krah. E në fund me Vangjelin për mosmbulim në zonë. Duket se Radas e ndiente më shumë se kushdo takimin…

Bozhiqi
Bozhiqi bën portierin. Në momentin kur nga ana e Pivariç largohet një top që i drejtohet pankinës së kampionëve shqiptarë, Bozhiqi tregon reflekset e portierit që nuk i kanë humbur aspak. Zgjat dorën dhe devijon topin që me shumë mundësi do godiste dikë në pankinë.

Shiu
Shiu i dendur që ra në fillim të pjesës së dytë e detyroi pjesën më të madhe të tifozëve të mblidheshin në kangjellat e stadiumit poshtë një strehe. E, megjithatë, shumica e tyre sërish nuk i shpëtoi shiut, duke u lagur totalisht.

Ilariteti
Sapo konferencierja shqiptare filloi të japë udhëzime për tifozët shqiptarë, Dinamo shënoi golin e katërt dhe lajmërimi mbeti përgjysmë. Pas një minute filloi sërish të flasë, por kjo nuk kaloi pa batuta nga shqiptarët që ishin në stadium. “Mos fol më se e ndrite…! Do na bëjnë gol tjetër po fole ti”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura