“Dinamo refuzon titullin kampion dhe ia lë Partizanit”, zbulohet letra që tërboi Kadri Hazbiun

Aug 22, 2017 | 10:40
SHPËRNDAJE

UVIL ZAJMI

Ndonëse turnetë ballkanikë me ekipe përfaqësuese kishin filluar vite më parë, me Shqipërinë Kampione në ’46-ën, aktiviteti me klube e ka startin në vitin 1961 me Partizanin debutues, që bashkë me Dinamon, 17 Nëntorin, Vllazninë janë kryesisht klubet që e kanë dominuar atë dhjetëvjeçar ballkanik.

Dinamo foto e vjeter

Por, rasti që do tregojmë është i veçantë, kur një oficer madhor, zyrtar i klubit dinamovit i dërgoi një letër ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu, pas së cilës ai urdhëroi që Dinamo të përjashtohej edhe pse ishte caktuar të mos merrte pjesë në Kupën Ballkanike. Si e kujton Iljaz Çeço, ish-futbollist i këtij klubi, momentin e refuzimit dhe letrën surprizë që i ra në dorë pas një gjysmë shekulli?

PJESËMARRJA NË KUPËN BALLKANIKE, PRIVILEGJ I MADH

Është fakt se ky turne ka qenë i pëlqyer, tejet i preferuar nga futbollistë e drejtues të klubeve shqiptare. Për kualitetin së pari pasi luanin skuadra të forta ballkanike, nuk kishte eliminim direkt, duke u dhënë siguri klubeve të luanin gjashtë takime, pavarësisht nga rezultatet e tyre.

Kryesisht, shorti, klubet shqiptare i vinte përballë atyre rumunë, bullgarë e turk, pasi Greqia për motive politike, jo vetëm në futboll nuk luante kundër Shqipërisë.

Pra ishte komode të udhëtoje në tre shtete dhe duke qenë në vitet ’60-’70 për shqiptarët dalja jashtë vendit ishte një privilegj i madh dhe më shumë se të tjerët këtë fat e kishin sportistët, në veçanti futbollistët. Ndryshe në Kupat e Europës, kur eliminimi ishte i sigurt që në turin e parë. Dhe e fundit, ishte një mundësi të blije veshje aq të dëshiruara për kohën…

Dinamo ne Qemal Stafa

SI LUHEJ NË BALLKAN?

Me 28 dhjetor 1960, me iniciativën e klubit sportiv Fenerbahçe në Stamboll u zhvillua një mbledhje e përfaqësuesve të Shqipërisë, Turqisë, Bullgarisë, Rumanisë në të cilën u diskutua dhe u vendos organizimi i ndeshjeve të futbollit për kupën ballkanike me skuadrat e klasifikuara në vendet e dyta në kampionatet vendase.

Pëlqimin për pjesëmarrje e ka dhënë edhe ekipi AEK, por grekët për arsye politike që nuk donin përballje jo vetëm në futboll, por edhe sporte të tjera me ekipet shqiptare, iu shmangën këtyre sfidave madje për shumë vite. Zakonisht, sipas një rregulloreje, shkonin klubet që renditeshin nga vendi i dytë e më poshtë në përfundim të kampionatit.

Skuadrën e përcaktonte FSHF që njoftonte edhe Komitetin Organizator për klubin shqiptar që do të merrte pjesë në edicionin e rrallës. Kur sezoni ishte në zhvillim dhe skuadra pjesëmarrëse në Kupën Ballkanike nuk i zhvillonte takimet e kampionatit për t’i luajtur më vonë ato.

Skuadrat nuk shoqëroheshin me gazetarë, delegacioni ishte i kufizuar dhe informacionin për ndeshjet e bënin zyrtarët apo trajnerët. Ndeshjet luheshin nga dy deri në tre me një udhëtim të vetëm që kryhej me anije dhe automjete, pak ose aspak me avionë. Turneu ishte me takime vajtje-ardhje, madje gjatë qëndrimit vijohej apo zhvilloheshin edhe sfida miqësore me klube të tjera.

Dinamo speciale

ALI MEMA, AI QË ÇMENDI TURQIT

Për të përballuar dhe prezantuar mirë, klubet shqiptare kryesisht, merrnin si përforcim futbollistë nga skuadrat e tjera, lëvizje deri të tepruara e pa limite. Ka qëlluar që Ali Mema të luajë katër herë në Turqi brenda një dhjetëvjeçari, me Dinamon, 17 Nëntorin, Vllazninë e Partizanin, duke i çmendur turqit, derisa shtypi turk, kur shkoi për herë të fundit, shtronte pyetjen:

Me cilën skuadër luan Ali Mema? Me Dinamon në Kupën Ballkanike ka luajtur edhe Pano, Kaçi, me Vllazninë Çeço, Dinella, Gjinali, një listë e pafund, lojtarë të huazuar, të transferuar provizorisht, me emra e mbiemra të tjerë, ndonëse Ballkani e njihte mirë përbërjen e klubeve. Fillimisht, u ndoq rregulli i pjesëmarrjes së skuadrës së dytë, por më vonë ai nuk u respektua. Organizatorët e turneut zgjidheshin një herë në dy vjet.

I PARI PARTIZANI DHE TRI HERË RADHAZI DINAMO

Skuadra e parë që ka marrë pjesë në Kupën Ballkanike me klube është Partizani në vitin 1961, e renditur e dyta pas Dinamos së kampionatit të vitit 1960. Pastaj Dinamo tri sezone radhazi, si skuadër e dytë pas Partizanit kampion më 1961, 1962-’63, 1963-’64. Por, në këtë edicion, Dinamo në mënyrë surprizë e me urdhër nuk do të lejohet të merrte pjesë, pas një letre dhe informacioni që iu dërgua Kadri Hazbiut, ministër i Punëve të Brendshme.

Në vendin e Dinamos do të shkonte 17 Nëntori, ndonëse i renditur në vendin e gjashtë kur kampionati me 12 skuadra u mbyll me këtë renditje: Partizani 37, Dinamo 32, Besa 29, Labinoti 27, Flamurtari 26, 17 Nëntori 25 pikë.

Deri në vitin 1970, do të jenë sërish Partizani 1966-’67), për herë të parë Vllaznia (1967-’68), Dinamo(1969) që arrin deri në finale dhe sërish Partizani (1970) që do të shpallet kampion, por pa luajtur ndeshjen e kthimit në Tiranë, pasi Beroe u tërhoq dhe trofeu iu dorëzua klubit nga organizatorët e aktivitetit (1-1 në Bullgari takimi i parë). Nisi të qarkullonte mendimi se Dinamo luante për Kupën Ballkanike dhe jo për kampion….

Dinamo

LETRA QË EGËRSOI HAZBIUN

Ka qenë një letër me pak rreshta që iu dërgua Kadri Hazbiut, ministër i Punëve të Brendshme në përfundim të sezonit 1963-’64, pasi Partizani ishte shpallur kampion dhe Dinamo e renditur e dyta, në mënyrë automatike do të luante në Kupën Ballkanike. Ishte një letër, e cila tronditi dikasterin dhe drejtuesit e saj, pasi një informacion i tillë nuk ishte ardhur kurrë më parë.

Në tekstin e shkurtër, ministri bëhej me dije se skuadra e futbollit Dinamo, futbollistët e saj nuk shpallen kampionë, pasi preferojnë vendin e dytë, i cili i siguron pjesëmarrjen në Kupën Ballkanike e për pasojë nuk është fituar asnjë kupë. Për drejtuesit e lartë të shtetit, të klubit e veçanërisht të Ministrisë, që ishin tifozë të skuadrës, ishte absurditet i madh, i paimagjinueshëm e tronditës një fakt i tillë kur skuadra “refuzon” të dalë kampion.

Dinamo-Fenerbace gazeta

Kaq ka mjaftuar që ministri, pasi është interesuar, i revoltuar ka reaguar ashpër duke urdhëruar që Dinamos t’i hiqet e drejta e pjesëmarrjes në këtë turne ballkanik dhe federata e futbollit e detyruar e ka zëvendësuar me 17 Nëntorin (i renditur në vendin e gjashtë, çka ngjalli kontestime pasi rregullorja përcaktonte vendin e dytë që ishte Dinamo, pastaj renditej Besa, Labinoti, Flamurtari).

PA KOMENT…

Nëse do t’u referohemi titujve kampionë të periudhës ’60-’70, Dinamo nuk ka fituar asnjë të tillë, edhe pse ka qenë skuadër e fortë, klub i organizuar e me futbollistë cilësorë, produkt i traditës, por edhe të marrë nga rrethet, ku veçojmë Jarecët, Lubonja, Bushatin, S. Gjoci, S. Halili, Vorfi, Duro J. Rama, F. Gjinali, Çutra, Dauti, Saraçi, Hysi, Stamo, Xhafa, Dinella, E. Dilaveri, Sejdini Çeçon, Zhegën, Përnaska, një kontingjent me lojtarë elitarë, anëtarë të ekipit kombëtar.

Pra një skuadër me protagonistë, por asnjë titull i fituar, deri tek i radhës në sezonin 1972-’73, kur në skuadër luajnë edhe Zëri, Ballgjini, Ibërshimi etj. Ndërmjet tyre, vetëm ai kampion i dhënë në tavolinë në edicionin 1966-’67, madje as edhe një Kupë Republike e fituar pas asaj të vitit 1960, deri në trofeun e edicionin 1971.

Mund të jetë edhe një koincidencë, por për kohën në mjediset sportive qarkullonte një mendim se Dinamos i pëlqen më shumë vendi i dytë, që i garanton pjesë- marrjen në Kupën Ballkanike.

Dinamo Bori i Jugosllavise

 

Iljaz Çeço, ish-futbollisti i shquar i Dinamos që zotëron gjithashtu edhe letrën e Kadri Hazbiut, tregon se sa shumë u hidhëruan kur morën vesh urdhrin e ministrit të atëhershëm për të mos e lejuar skuadrën dinamase që të merrte pjesë në Kupat Ballkanike. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Çeço tregon edhe disa detaje pikante të asaj periudhe.

“Unë sapo kisha shkuar te Dinamo, isha shumë i ri. Në qershor të vitit 1963, pas përfundimit të kampionatit, Dinamo renditet në vendin e dytë dhe i takonte të luante në Kupën Ballkanike, që ishte i treti radhazi. Kam qenë aty në atë kohë, ishim të sigurt se do të shkonim jashtë në Kupën Ballkanike, kur u njoftuam se pjesëmarrja e Dinamos ishte anuluar dhe në vend të saj do të shkonte 17 Nëntori”, rrëfen ai.

Iljaz Ceco

Si e justifikuan mospjesëmarrjen?

Papritur u organizua një mbledhje dhe një zyrtar i klubit na njoftoi: “Ju nuk do të merrni pjesë, pasi nuk e çoni deri në fund kampionatin, keni tri vite radhazi që dilni në vendin e dytë dhe jo kampionë. – Dhe për ta na bindur, shtoi:

– Duke qenë se Kupa Ballkanike është e ngarkuar, po kështu edhe aktiviteti me ekipin përfaqësues me ndeshje ndërkombëtare jashtë vendit, me grumbullime e udhëtime të gjata, shumë lojtarë nga ju janë të angazhuar dhe loja e Dinamos ka humbur cilësinë, pasi futbollistët e saj janë të papërqendruar.

Për këtë arsye kemi menduar që Dinamo të mos marrë pjesë në Kupën Ballkanike, sepse më shumë na intereson kampionati”. Një titull kampion në ato vite, me rivalitetin me Partizanin e 17 Nëntorin kishte shumë rëndësi.

Si ju ra në dorë letra?

Ishte rastësi. Shumë vite më vonë, duke punuar në arkivin e ministrisë, më ra në dorë një letër e vitit 1964, kur një ish-funksionar i lartë i ministrisë, anëtar i Kryesisë së Klubit Dinamo, Gani Goxhi, i dërgonte një letër Kadri Hazbiut ku i shkruante “se futbollistët e Dinamos nuk kanë objektiv të dalin kampionë, por preferojnë vendin e dytë, pasi ai u siguron pjesëmarrje në Kupën Ballkanike”. E pashë me kuriozitet dhe më ktheu pas në kohë, m’u kujtua kur na i hoqën të drejtën e pjesëmarrjes.

Por, sot kur e gjykoj, ajo ishte më shumë një letër ku shprehej shqetësimi i drejtuesve të klubit, pasi ata ishin tifozë të Dinamos me shpirt e zemër, e jetonin e kontribuonin në çdo moment për klubin e lojtarët. Duke qenë se kishin disa sezone të zhgënjyer, aq më shumë kur në mjedise sportdashësish qarkullonte një formë e tillë interpretimi, sigurisht që i kishte shqetësuar.

A është i vërtetë ky fakt?

Te Dinamo kam qenë 6 vjeç kur kam shkuar dhe një mendim apo dëshirë të tillë nuk e kam dëgjuar apo komentuar. Ata ishin futbollistë me emër, njiheshin prej kohësh me njëri-tjetrin dhe vetëm midis tyre mund t’i bënin biseda të tilla, ndërsa me ne të rinjtë jo. Por, shikoja që për ta ishte kënaqësi e madhe pjesëmarrja në Kupën Ballkanike, një entuziazëm që shprehej qartë kur jepej njoftimi se Dinamo do të luante në këtë turne.

Unë isha një sezon me parë me Dinamon në Turqi ndaj Beshiktashit, në Rumani ndaj Rapid dhe në Bullgari kundër Levskit. Madje, edhe Gani Goxhin e njihja nga afër, pasi shoqëronte skuadrën kur dilnim jashtë vendit, një burrë për ta admiruar, sa tifoz, aq dashamirës me ne.

Një dekadë pa asnjë trofe, a është vetëm rastësi…?

Është e vërtetë që Dinamo, gjatë një dhjetëvjeçari të plotë 1960-’70, nuk ka fituar asnjë trofe, përjashto vitin 1967, kur titullin kampion na i dhanë pasi u përjashtuan 17 Nëntori e Partizani. Edhe në këtë rast shorti na caktoi të luanim kundër Eintraht të Braunshvejgut, por pak javë para takimit, ndërsa po përgatiteshim, vjen Vasil Prifti, një funksionar i Dinamos, te fusha e aneksit ku po stërviteshim, na mblodhi e na njoftoi se nuk do të merrnim pjesë në Kupën e Kampioneve.

Dhe Dinamo në rënie të lirë?

Pas urdhrit për mospjesëmarrje në Kupën Ballkanike, Dinamo pësoi një rënie të madhe, si në aspektin moral e psikologjik, edhe atë cilësor. Sa u dha ky lajm ikën Qoshja, Gjoci, Tallushi, Lubonja, Bushati, Pilika që kryente shërbimin ushtarak, kryesisht  baza e kampiones së vitit 1960. Pak më vonë u largua edhe Skënder Halili.

Por, ky moment shërbeu për afrimin e disa futbollistëve të rinj si Stamo, G. Xhafa, Gjinali, Zhega, T. Dauti, Çutra, Stringa, Taushani etj. Prandaj edhe gjykoj pse Dinamo në ato vite nuk ka marrë trofe. Edhe për një fakt të rëndësishëm, se në atë periudhë 17 Nëntori ishte skuadër shumë e fortë.

Rikthimi në Kupën Ballkanike, madje në finale?

Dinamo u rikthye në Kupën Ballkanike në sezonin e vitit 1969, kur rregulli i vendit të dytë ishte ndryshuar dhe i takonte federatës që të caktonte cila skuadër do të merrte pjesë. Sezoni futbollistik kombëtar i vitit 1968 u zhvillua brenda vitit dhe kampion doli 17 Nëntori e pas tij Partizani, një titull që u fitua në javën e fundit, në muajin dhjetor të ’68-tës.

Dinamo e vendit të tretë u caktua të luante në Kupën Ballkanike të sezonit 1969, duke kryesuar grupin me 5 pikë para Universitateas me 4 e Bor të Jugosllavisë me 3, në finale ndeshja ishte kundër Beroe të Stara Zagorës ishte dramatike.

1-0 këtu me gol të Ishkës që bashkë me Jorgaqin i kishim marrë si përforcim, dhe 1-0 atje deri në minutën e 90-të, kur arbitri jugosllav akordoi një 11-metërsh për bullgarët. Duke parë këtë padrejtësi, Petrit Arbana që shoqëronte ekipin, urdhëroi që Dinamo të braktiste fushën. Penalltia nuk u ekzekutua, ndërsa ndeshja iu dha 3-0 në tavolinë Beroes që mori kupën.

UVIL ZAJMI

Artikull i shkruar për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi në print ose online.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura