Dinamo luan sfidën e fundit në Kategorinë Superiore, drejtuesit fokusohen tek projekti i ri

May 26, 2022 | 10:26
SHPËRNDAJE

Dinamo ndahet sot me Superioren, ku nuk mundi të qëndronte më shumë se një sezon. Një dështim i madh për kryeqytetasit, të cilët e nisën kampionatin me pretendime të tjera, duke investuar jo pak.

DINAMO

Ndeshja me Egnatian në Rrogozhinë është formale, por drejtuesit blu duan që skuadra ta respektojë edhe këtë 90-minutësh të fundit.

Më shumë në kampin dinamovit po mendohet për sezonin e ri, aq më tepër që ka pasur zhvillime të rëndësishme ditët e fundit. Janë disa çështje që duhet të marrin zgjidhje.

DREJTIMI – Presidentit Adrian Bardhi do t’i bashkohet në drejtimin e klubit edhe Kristian Gjidodaj. Ishte menduar që prezantimi i këtij të fundit ishte parashikuar për sot, por ndoshta mund të shtyhet për faktin se po sot luhet ndeshja e fundit e kampionatit.

Tani mbetet të shihet çfarë hapash konkretë do të merren për Dinamon e sezonit të ri. Presidenti Bardhi u shpreh shumë optimist një ditë më parë për gazetën, teksa deklaroi se Dinamo do të rikthehet fuqishëm.

SELIA – Objektivi parësor për sezonin e ri do të jetë infrastruktura, në mënyrë që Dinamo të ketë selinë e saj dhe qendrën stërvitore, ku mund të punojnë qetësisht skuadra e parë dhe ato të moshave.

Sepse akademia është gjithashtu një prioritet i bluve.

STAFI-LOJTARËT – Rodolfo Vanoli mbetet i konfirmuar në stolin e Dinamos, të paktën për momentin. Ai e ka shprehur qartë se dëshiron ta vazhdojë projektin me blutë për rikthimin e Dinamos në Superiore dhe synimin për të fituar Kupën e Shqipërisë. Dilemat më të mëdha lidhen me grupin e futbollistëve, që detyrimisht s’do të pësojë shumë ndryshime.

Pas ndeshjes me Egnatian do të qartësohen shumë gjëra në këtë drejtim. Ajo që mund të thuhet në këtë moment ka të bëjë me faktin se drejtuesit dhe lojtarët që do të largohen duhet të gjejnë një akord për prishjen e kontratës.

Të gjithë janë nën kontratë me klubin blu.

FORMACIONI – Ndryshime në mbrojtje dhe mesfushë për blutë Dinamo luan sot ndeshjen e fundit në Superiore. Trajneri Vanoli nuk ka në dispozicion mbrojtësin Imami për shkak kartonësh dhe në vend të tij pritet të luajë Ali Samake. Mija, Maliqi dhe Prodani pritet të plotësojnë repartin e prapavijës.

Në mesfushë pritet Fejzulla, i cili do t’u bashkohet Demirit dhe Siljanovskit. Nuk do të ndryshojë edhe në këtë ndeshje treshja e sulmit, me Ibraimin, Haxhiun dhe Rexhinaldon.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura