Dinamo kërkon një Latifi, zbulohen 4 prioritetit e Shkëmbit për merkaton e janarit

Dec 25, 2021 | 19:17
SHPËRNDAJE

“Klubi do të na ndihmojë në merkaton e dimrit, do të bëjmë afrime, por nuk do të ketë revolucion”, ka thënë në prononcimet e tij të fundit trajneri i Dinamos, Bledi Shkëmbi. Dhe ndeshjet e fundit kanë treguar qartë nevojën e skuadrës kryeqytetase për disa lojtarë me përvojë për të stabilizuar repartet dhe për të pasur më shumë kualitet në disa role kyçe të formacionit. Në merkaton e dimrit është gjithmonë e vështirë të gjesh lojtarët e duhur, megjithatë te Dinamo do të provojnë për më të mirën.

SHKEMBI

4 PËRPARËSI – Gazeta mëson se kërkesat parësore të trajnerit Bledi Shkëmbi janë për 4 lojtarë, të cilët mund të luajnë menjëherë në formacion. Pra, do të synohen lojtarë me eksperiencë dhe preferohen kryesisht ata që e njohin futbollin shqiptar, siç është rasti i Sabien Lilajt, me të cilin do të rregullohej shumë qendra e mesfushës, ku blutë kanë hasur jo pak vështirësi. Ish-lojtari i Kombëtares, me të cilin pritet vetëm firma, ka qenë shok ekipi te Skënderbeu me trajnerin Shkëmbi. Tri kërkesat e tjera të trajnerit korçar kanë të bëjnë me dy repartet e tjera, mbrojtjen dhe sulmin.

MBROJTJA – Dinamo ka vetëm dy qendërmbrojtës, Imamin dhe Sofranakun. Kur ka munguar njëri prej tyre, është aktivizuar Sidibe në mbrojtje apo dhe Ali Samake në ndeshjen me Skënderbeun. Kjo do të thotë se afrimi i një mbrojtësi qendre është i domosdoshëm dhe në këtë drejtim ka pasur bisedime, por ende nuk ka diçka konkrete. Gjasat janë që të vijë një mbrojtës i huaj, por që ka luajtur më parë në kampionatin shqiptar.

SULMI – Dy kërkesat e tjera të trajnerit Bledi Shkëmbi lidhen me sulmin dhe konkretisht me një lojtar me përvojë për të udhëhequr këtë repart, por edhe një sulmues krahu, një “winger” siç quhet tani apo më thjeshtë një Liridon Latifi. Në tavolinën e stafit të Dinamos ka një listë me emra, por gjithçka në këtë moment është në kuadrin e bisedimeve dhe kjo listë nuk bëhet publike. Blutë kanë vuajtur në të gjitha repartet, por në ndeshjet e fundit më shumë në sulm, ndaj dhe fuqizimi i tij ka marrë përparësi për merkaton e dimrit. Presidenti Bardhi është gati të shpenzojë për forcimin e skuadrës dhe mbetet të shihet tani se çfarë lojtarësh do t’i bashkohen Dinamos. Koha është shumë e kufizuar dhe bisedimet duhen mbyllur sa më parë.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura