“Dinamo ka sulm të rrezikshëm, do vijë dita që do të humbasin”, Alban Hoxha: Titulli? Partizani i ka mundësitë, por…

Sep 30, 2021 | 12:00
SHPËRNDAJE

Në vigjilje të derbit të kryeqytetit ndaj Dinamos që i mungonte prej 8 vitesh në të gjitha kompeticionet, ndërsa në elitë prej 12 vitesh, në konferencë për shtyp ka folur portieri dhe kapiteni i Partizanit, Alban Hoxha i cili analizon këtë supersfidë, e cila do të zhvillohet nesër në orën 19:45 në stadiumin “Elbasan Arena”:

alban hoxha

Gabimet – “Kemi luajtur mirë në 3 ndeshje, jemi penalizuar nga gabimet individuale. Duhet të kemi kujdes në mbrojtje, të mos gabojmë si më përpara. Loja do jetë e njëjtë, thjeshtë të minimizojmë gabimet”.

Lojtarët me eksperiencë – “Kapiteni ka përgjegjësi kurdo, jo vetëm në derbi. Normal bie barra më e madhe te ne lojtarët me eksperiencë. Ne i marrim përgjegjësitë. Duhet t’i largojmë nga përgjegjësia djemtë e rinj. Po e bëmë ne, për të tjerët do të jetë më e lehtë”.

Analiza e ndeshjeve – “Ne i analizojmë ndeshjet, me video. Kemi biseduar dhe thelbi është që të gabojmë sa më pak në mbrojtje dhe të shfrytëzojmë rastet në sulm. Me Vllazninë patëm shumë raste. Po të finalizonim, do e përmbysnim. Edhe me Teutën, po të shënohej penalltia mund të shkonte ndryshe”.

Objektivi dhe Dinamo – “Edhe Dinamo do humbë, si të gjithë. Nuk kemi dëshirën më të madhe t’u shkaktojmë humbjen e parë, por të marrim fitoren vetë. Objektivi është të jemi sa më afër kreut. Dinamo është ekip i fortë, mbron mirë si ekip dhe ka sulm të rrezikshëm. Duke i parë këto, duhet të jemi të kujdesshëm prapa. Pastaj t’ia lëmë fushës, pasi varet si merret ndeshja”.

Stadiumi – “Po të luhej në ‘Air Albania’ do ishte më mirë, edhe pse Elbasani nuk është larg. Shpresoj që këto gjëra që nuk janë në dorën tonë të ndryshojnë. Edhe ne po përpiqemi të luajmë në stadiumin tonë”.

Titulli – “Kemi lojtarë të talentuar dhe një grup të mirë. I kemi mundësitë edhe për të dalë kampionë, por kjo bëhet me punë dhe sakrificë. Kampionati është i gjatë dhe nëse jemi në një mendje e duam të punojmë, mund t’ia dalim pasi i kemi të gjitha mundësitë”, përfundoi Alban Hoxha.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura