FOTO/ Dimali, fortesa e Ilirisë së famshme, i pambrojtur

Nov 18, 2019 | 11:17
SHPËRNDAJE

NOREL ZAIMI/ Dimali, një nga vlerat unike të historisë së vjetër ilire, rrezikon të zhduket në harresë. Që të studiosh qytetërimet e humbura, të kaluarën e tyre dhe t’i zgjosh ato prej gjumit antik, nuk nevojitet vetëm dija, shkenca dhe përkushtimi. 

dimali111

Por mbi të gjitha, dashuria dhe ndjenja kombëtare, fisnikëria dhe pastërtia për ta mbrojtur me çdo kusht atë që vjen nga e shkuara e vendit tënd. Mirëpo, kjo nuk ka ndodhur me Dimalin, qytetin ilir pranë Bashkisë së Urës Vajgurore, një nga qytetet më autoktone ilire që mund të gjesh sot në të gjithë hapësirën ku shtrihej Iliria.

Fatkeqësisht, Dimali nuk është ruajtur dhe konservuar, sepse shumë shqiptarë, me një vrull sa shtazarak e aq djallëzor, pa pasur më të voglën drojë, me kazma e deri te makineritë e rënda, u janë drejtuar nekropoleve (varrezave). Ata kanë gërmuar si të marrë, duke prishur çdo strukturë dhe gjurmë arkeologjike. Kanë flakur eshtra fëmijësh, grash, pleqsh e burrash antikë si të ishin një grumbull mbetjesh të panevojshme. Kanë dhunuar varret e të parëve të tyre, i kanë bastisur, i kanë vjedhur! E kush u dënua për të tilla krime në Shqipëri, përveç një njeriu disa vite më parë, i cili gërmonte në Parkun Arkeologjik të Apolonisë?

Askush tjetër. Edhe ai do ketë paguar ndonjë lek e ka dalë tashmë, në mos është punësuar në ndonjë drejtori rajonale të kulturës kombëtare. Prokuroria dhe instancat e tjera përkatëse e dinë shumë mirë se kush fshihet pas kësaj masakre. Njerëz të pushtetshëm, të cilët mbrojnë e nxisin grupe të ndryshme piratësh të arkeologjisë, që po bëjnë kërdinë duke prishur gjurmët e Ilirisë së famshme. Ata po shkëpusin lidhjet e shqiptarëve me të kaluarën, duke përforcuar edhe tezat e shumta sllave dhe të shteteve të tjera fqinje, se shqiptarët e sotëm nuk kanë lidhje me ilirët.

Madje, puna e tyre e paskrupullt dhe malinje po shkatërron një trashëgimi, e cila renditet si një nga më të çmuarat në botë për nga niveli shoqëror, politik e kulturor i organizimit. Po si mund të vësh dorë mbi një trashëgimi kaq fisnike dhe mos të të hyjë një gjemb në këmbë? Nëse do t’u referohemi rasteve konkrete, në vitin 2015, kur përfundoi projekti i gërmimit arkeologjik në Dimal, profesorëve, të cilët gërmuan aty që nga viti 2010, iu paraqitën disa persona me licenca false dhe u thanë shkencëtarëve që tani e tutje do t’i vazhdonin ata punimet. Pas një pune 5-vjeçare gërmimesh delikate e me finesë, një grup i arkeologjisë pirate shqiptare merr në dorëzim Dimalin dhe zbulimet e bujshme të kohës. Askush nuk ka folur gjithë këto vite se kush ishin ata persona. Kush i solli në Dimal?

Mos vallë dikush nga politika? Mos vallë një politikan i lidhur me biznesin? Një i fiksuar dhe i sëmurë pas artefakteve? Sigurisht që këtë duhet ta dijë mirë Prokuroria. Vetëm para pak kohësh, në Bashkinë e Urës Vajgurore, e cila me krenari po kërkon që të rijetëzojë këtë qytet të lashtë dhe ta bëjë atë të vizitueshëm dhe një atraksion turistik, është ngritur një grup pune dhe po bën përpjekjet maksimale që të bëjë bashkë të gjitha institucionet e linjës për këtë fakt. E para, e cila iu bashkua kësaj nisme ishte Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare e Beratit si degë e Ministrisë së Kulturës dhe shumë aktorë të tjerë, media, grupe të ndryshme të shoqërisë civile, intelektualë të zonës e shumë biznesmenë të Bashkisë së Urës Vajgurore.
1645743e-5032-47fd-bace-45b5e88bfc64
Nga viti 2015, kur Dimali iu dorëzua një çete arkeologësh të piraterisë shqiptare e deri sot, pas më shumë se 4 vitesh, në atë qytet është gërmuar në mënyrën më çnjerëzore. Po të shkosh sot në kreshtën e kalasë, përreth zonës së rrënojave e mureve sheh gropa të mëdha, mbetje masive arkeologjike të flakura e të shpërndara. Fermerët e fshatrave të Krotinës dhe Bistrovicës kanë mbjellë ullinj, qershi dhe kultura të tjera të bujqësisë. Vetë Ministria e Kulturës duket se nuk ka treguar interes për këtë sit të fuqishëm arkeologjik, deri në atë pikë sa zona nuk është shpallur zonë e mbrojtur apo monument kulture, që ruhet nga shteti.

Ishte pikërisht përpjekja e një grupi gazetarësh të Radio Televizionit Shqiptar, mes tyre kryeredaktori i lajmeve, Gerti Selenica, dhe regjisori Armand Vëllahu, të cilët përmes një dokumentari të transmetuar në Televizionin Publik, jo vetëm ngritën problematikën e lënies në harresë të Dimalit, por ata ulën të gjithë aktorët në një tryezë me ndihmën e Bashkisë së Urës Vajgurore. Pas këtij dokumentari, një fluks materialesh televizive pasuan me kronika, reportazhe e emisione të dedikuara për Dimalin, me të ftuar dhe informacione rreth këtij qyteti ilir. Puna e parë që nisi pas krijimit të grupit për rijetëzimin e Dimalit ishte realizimi i një takimi në Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Berat, i cili mandej u pasua me një konferencë me karakter shkencor në Poshnje. Aty ishte i pranishëm edhe arkeologu i nderuar, Burhan Dahutaj, i cili e zbuloi i pari Dimalin. Ishin të pranishëm mësues të historisë së shkollave të mesme e 9-vjeçare të Urës Vajgurore, ministri i Turizmit, Blendi Klosi, prefektja e qarkut, zonja Valbona Zylyftari, drejtori i DRKK-së Berat, Eugen Kallfani, historianë e përfaqësues të shoqërisë civile.

Ky takim u pasua në një aktivitet masiv të organizuar në Dimal, me një pjesëmarrje me mbi 500 persona, ndër ta të rinj, banorë të zonës dhe shumë personalitete të larta shtetërore. Domethënia e këtij aktiviteti ishte që Dimali të njihej nga qytetarët e tij, por edhe nga e gjithë Shqipëria, të shihej nga afër zona e rrënojave dhe sigurisht, më e rëndësishmja ishte që të jepej një mesazh: Bashkia e Urës Vajgurore të marrë emrin e merituar “Dimal” dhe ky qytet shumë shpejt të kthehej në një qendër të merituar arkeologjike të vizitueshme. Në qytetin e Urës Vajgurore të ngrihet një muze arkeologjik dhe u bëhet thirrje të gjithë atyre që posedojnë objekte të gjetura rastësisht, t’i dorëzojnë ato!

Menjëherë pas këtyre aktiviteteve, kronikave të shumta të transmetuara në media, emisioneve televizive, një prej aktorëve më të rëndësishëm të kësaj kauze, Instituti i Arkeologjisë, e ka mirëpritur lëvizjen dhe e mbështeti atë. Vetë drejtori i këtij institucioni, z. Luan Përzhita, dhe arkeologia, prof. asc Belisa Muka, e cila ka të drejtën e autorit për gërmime në Dimal, zhvilluan një takim me përfaqësues të grupit të rijetëzimit dhe kryetaren e Bashkisë së Urës Vajgurore, zonjën Juliana Memaj. Në këtë takim është kërkuar që Dimali të merret në ruajtje nga autoritetet, por siç mësohet nga zoti Përzhita, në vitin 2017 Instituti i Arkeologjisë ka dorëzuar në Ministrinë e Kulturës dosjen e zonifikimit arkeologjik të qytetit ilir. Por edhe pas dy vitesh, Ministria e Kulturës nuk po i çel rrugë dhënies së një statusi për 24 hektarë sipërfaqe të qytetit të Dimalit.

Ajo që thamë në krye të herës për dëmtimin e këtij vendbanimi të lashtë, mos vallë po ndihmohet të thellohet edhe më prej institucioneve tona? Grupi i punës për rijetëzimin e Dimalit ka kontaktuar dhe vënë në dijeni për këtë çështje edhe drejtoreshën e Monumenteve të Kulturës, zonjën Arta Dollani, edhe ministren e Kulturës përmes zëdhënëses së saj, por komunikimi ka ngrirë dhe nuk është bërë më e mundur që përveç drejtorit të DRKK-së Berat, zotit Eugen Kallfani, të mos ketë asnjë të pranishëm në aktivitetet për Dimalin nga këto institucione.

Ky shkrim synon të jetë një kambanë alarmi jo vetëm për Ministrinë e Kulturës, Institutin e Monumenteve, por edhe instancat më të larta shtetërore, Presidentin, Kryetarin e Kuvendit dhe Kryeministrin, sepse artefaktet e Dimalit kanë rënë në duar injorantësh, njerëzish të sëmurë, që me pasuritë tona të përbashkëta bëjnë pazare të ulëta. Duhet të jenë këto fakte konkrete, që sekush të marrë përgjegjësinë e duhur dhe të zgjidhen problemet, në rastin konkret për Dimalin. Derisa të vijmë te forcimi i ligjit, ndëshkimi i piratëve të arkeologjisë shqiptare, duhet më shumë fisnikëri e sinqeritet, sidomos për kulturën, monumentet dhe trashëgiminë e vyer që na kanë lënë të parët tanë. Mbrojeni Dimalin dhe ai do t’ju mbrojë juve!
908ad14f-dc2b-4516-8868-4deb47d4d0af

544208f8-553f-44a8-b69d-473d9d6d54e1

1645743e-5032-47fd-bace-45b5e88bfc64

10355494-fa26-4fce-aee9-dada53fbcb05

c00d711c-ed2a-41c9-98ca-2c26a1d3d78b

f73b734e-38b3-4598-96bc-c115ad3a7461

f733a6ca-2bc7-489c-8987-269cbed95a6c

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura