Dilemat e zgjedhjeve vendore

Mar 19, 2015 | 12:11
SHPËRNDAJE

MENTOR NAZARKO

   Zgjedhjet vendore po afrojnë dhe për shumë arsye ato përfaqësojnë një zhvillim interesant. Kuptimi i këtyre arsyeve që marrin madje dhe forma dilematike, na lejon të kuptojmë që tani rrjedhën që mund të marrë politika e vendit pas këtij zhvillimi.
Në pikëpamje legjislative, partitë politike me gjasë do të ndeshen me njëra-tjetrën me kandidatët e tyre me një bazë ligjore të vjetër dhe, pse jo, edhe me institucione të administrimit zgjedhor që nuk do të ndryshojnë. Kriza e krijuar prej bllokimit të funksionimit të Kuvendit do të vështirësojë ndryshime konsensuale në Kodin Zgjedhor dhe rithemelimin apo rikompozimin e Komisionit Qendror Zgjedhor mbi një bazë të re. Nuk dihet nëse ideatorët e këtij bllokimi e kanë llogaritur edhe këtë pasojë dhe ose duan të mbajnë këtë kuadër institucional, ose duan të çojnë kah shtyrja e zgjedhjeve! Qeveria, së bashku me këto institucione, ndërkohë do testohet edhe për ndershmërinë e këtyre zgjedhjeve: do ta kapërcejnë apo jo për nga ndershmëria ballafaqimin më të fundit?
Në pikëpamje territoriale, partitë politike shqiptare do ballafaqohen për të parën herë për të fituar administrimin e njësive të reja më të mëdha. Është shumë interesante se si do të ndryshojë baza programore e partive dhe kandidatëve në këtë perspektivë: nuk kemi parë konferenca apo diskutime publike për të analizuar apo orientuar prioritetet zhvillimore të këtyre njësive sipas ndarjes së re, apo dhe të gjithë territorit marrë si një i tërë pas kësaj ndarjeje. Kjo është diçka brengosëse nëse do vijojë si prirje, sa kohë që qëllimi kryesor i ndarjes ishte administrimi më i mirë i burimeve natyrore dhe njerëzore. Ky administrim do mundësohej mbi bazë planesh zhvillimi më tërësore në pikëpamje urbanistike, infrastrukturore, arsimore në vend të planeve për njësitë e vockla, të fragmentuara të së shkuarës. Mungesa e diskutimeve rajonale në këtë rrafsh do ta bënte ballafaqimin zgjedhor si ballafaqim kandidatësh, pra ballafaqim personash dhe jo programesh.
Ngjarjet që zënë fill me denoncimin e deputetit Doshi, me gjasë kanë ndikuar edhe në marrëdhëniet e brendshme të subjekteve të shumicës qeverisëse. Presioni i madh opozitar në rrugë, në sallë të Parlamentit dhe komisioneve, në takime ndërkombëtare, me gjasë ka zvogëluar oreksin e LSI-së në kërkim njësish të reja për të drejtuar, ashtu si mund të ketë inkurajuar oreksin e partive të tjera më të vogla, madje dhe të partive që mund të kërcejnë nga njeri tren në tjetrin. Ky kërcim është i justifikuar për shumë arsye, që dalin jashtë objektit të kësaj sprove. Ndërkohë, koalicionet zgjedhore nuk janë formësuar dhe pritet të shohim me gjasë shumë shpejt ndikimin e këtyre ngjarjeve në ndarjen e përqindjeve të secilës parti brenda koalicionit qeverisës apo dhe opozitës. Po ashtu, këto ngjarje kanë rritur presionin ndërkombëtar që kandidatët e rinj të mos reflektojnë të kaluar kriminale dhe duket se partitë kryesore janë bërë më të vëmendshme ndaj këtij paralajmërimi. Kjo vëmendje duket në ajër, por nuk kemi ama shpallje të posaçme për moskandidim të këtyre figurave me të kaluar kriminale dhe as vendime të brendshme të partive, që do të ndalonin këto figura potenciale të bëheshin pjesë e garës. Megjithatë, kemi ende kemi kohë për të pritur masa të tilla kufizuese. Ndalesa apo steka të larta për cilësinë e kandidatit do të bënin kufizimin e parave të pista që do të qarkullonin për zgjedhje, të cilat do të ishin dhe financiarisht më të lira njëkohësisht. Logjikisht zmadhimi i njësive e bën më të madh pragun financiar për t’u kaluar prej kandidatëve të pasur: do duhen shumë më shumë para për të blerë drejtpërdrejt, apo nëpërmjet favoreve votuesit në një njësi të madhe sesa më parë dhe kjo mbetet një pikëpyetje e madhe se si do të pasqyrohet në këto zgjedhje.
Zgjedhjet e pritshme vendore janë njëfarësoj testim i cilësisë së qeverisjes qendrore, pavarësisht dinamikave lokale që vihen në lëvizje në rastin e tyre. Pritet të kuptohet se sa ndikim elektoral do të kenë disa prej reformave apo masave që opozita i ka cilësuar si antipopullore. Do mund të kuptohet, pavarësisht sondazheve apo frikërave paraprake, nëse do të mundë opozita duke krijuar një frymë ndryshimi të zhbëjë një traditë të konsoliduar, sipas së cilës qeveria i fiton zgjedhjet vendore. Kjo frymë, gjithmonë nëse do të instalohej, mund të zhbënte logjikën e bastioneve, frikën e të cilave kishte opozita ndërsa kundërshtonte këtë ndarje, madje duke e quajtur atë si “fitore në tavolinë të zgjedhjeve”.
Këto zgjedhje janë kështu edhe test për funksionimin e opozitës së re, që formalisht drejtohet nga Basha: a do të sjellë ai fluks të ri njerëzor, programatik në këto zgjedhje, duke marrë përgjegjësitë dhe meritat për rezultatin e tyre? Ende s’po shikojmë ndonjë prirje në këtë drejtim, përjashto këtu trazimin e kartave nëpërmjet koordinatorëve të rinj të zgjedhjeve për njësitë e reja të krijuara. Sigurisht detyra e Bashës do të jetë e vështirë, duke filluar që nga rikandidimi i vetes.
Mbërritëm këtu te një pikë e rëndësishme e këtyre zgjedhjeve, që është beteja për Tiranën. Rikandidimi është një përgjegjësi e madhe për Bashën, por dhe shmangia prej tij do duhet justifikuar në mënyrë bindëse, sepse përndryshe do të përbënte ushqim të mirë për fushatën e palës tjetër. Shtyrja e diskutimit për këtë çështje dëften se sa e vështirë është përballja personale e Bashës me këtë dilemë. Kjo shtyrje nuk justifikohet thjesht me faktin se palët po përgjojnë njëra-tjetrën se çfarë kandidati do vendosin dhe pastaj të bëjnë zgjedhjen e tyre. Ky përgjim të krijon madje iluzionin se për secilën njësi, pra dhe për Tiranën, palët kanë në dispozicion disa kandidatë, pra problemi s’është te mungesa e kandidatëve, por te tepria e tyre. Po a është kështu vallë?
Sfida qëndron e madhe edhe para aleancës qeverisëse. Pavarësisht sondazheve që e japin fituese në kryeqytet këtë aleancë, cilësia e kandidatit është tregues i respektit që shumica qeverisëse ka ndaj kryeqytetit. Është tregues i preferencës që Rama ka për atë figurë që mund të quhet virtualisht pas fitores numri dy i PS-së, numër dy që ngjan se nuk ekziston në kushtet aktuale as brenda qeverisë, as brenda Grupit Parlamentar. Dilemën për kandidatin e Tiranës para syve të Ramës mund ta shohësh dhe kështu: 15 vjet më parë, një PS më e vjetër jo thjesht në moshën mesatare të drejtuesve të vet, zgjodhi Ramën si kandidat të vetin, një figurë të rëndësishme nga shoqëria civile që kishte potencialin të sillte dhe vota nga e djathta. Po sot, a do ta kapërcejë PS e drejtuar nga Rama, PS e Nanos në vitin 2000? Kjo dilemë është vërtet e vështirë dhe ka vetëm një ilaç për ta kapërcyer: promovimi i një figure të re teknokrate me profil të lartë akademik, me eksperiencë menaxheriale, apo administruese të suksesshme të pushtetit vendor në të shkuarën.
Kjo ishte një sprovë e thjeshtë e dilemave që karakterizojnë sjelljet e partive politike para zgjedhjeve vendore. Këto dilema për shumë arsye, edhe nga ato që ne nuk i kuptojmë sot, do të jenë një test i rëndësishëm jo thjesht i cilësisë së zgjedhjeve në Shqipëri, por edhe i cilësisë së ofertës politike të palëve në vend.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura