Dilemat dhe sfidat e Universitetit tonë Mjekësor

Mar 1, 2015 | 22:33
SHPËRNDAJE

ISUF KALO

ISUF KALO  
Pyetja nuk shtrohet më nëse duhej apo jo te ne një Universitet Mjekësor. Pyetja shtrohet nëse pas dy vitesh do duhet që ai të vazhdojë ashtu siç është, apo të zhbëhet? Përgjigjen e vështirëson një paradoks: Disa nga ata që e donin atë të ngrihej, tani janë të zhgënjyer e pesimistë. Kurse ata që nuk e donin dhe ishin fillimisht…kundër tij, tani e duan të mbetet. “Hosanaja dhe sherrnaja” për të vazhdojnë të ndeshen mes tyre hapur ose heshtur, ndonëse tani me porta të ndryshuara…!
 NJË MIT DHE DISA TË PATHËNA
Le të kthehemi pas në kohë. Sipas një miti, Universiteti ynë Mjekësor ishte ide e dëshirë vetëm e ish-kryeministrit Berisha. Kjo hamendësohej prej lidhjeve sentimentale të tij me profesionin e mjekut dhe fakultetin ku ai mësoi dhe lektoroi. E vërtetë e dokumentuar është vetëm që ishte pikërisht ai që e shpalli dhe e dekretoi atë. Dhe që një sërë vendimesh qeveritare për strukturimin dhe veprimtarinë fillestare, si edhe emërimi ose më saktë, komandimi i Rektores, ishin vendime të tij. Ndërkaq, me që kjo ndodhi pak para fushatës së fundit elektorale, u përfol gjithashtu që ngritja e UM, përpos të tjerash, të ketë pasur lidhje edhe me të si kapital favorizues politik i palës që ai kryesonte. Por, një e vërtetë e pathënë është se: idenë, dëshirën dhe argumentimin e nevojës së krijimit të Universitetit së pari ia paraqitën dhe ia kërkuan Kryeministrit disa nga profesorët më me emër të Fakultetit të Mjekësisë, kolegë e miq të respektuar e të vlerësuar lart prej tij. LINDJA ENTUZIASTE

Pas një periudhe relativisht të gjatë hezitimi dhe studimi të kësaj ideje nga ana e tij, u desh festimi i 60-vjetorit të themelimit të Fakultetit të Mjekësisë në sallën e Pallatit të Kongreseve, të mbushur plot me mjekë nga të katër anët e vendit, që profesor Berisha në fund të përshëndetjes së tij si ishstudent, ish-pedagog, por para se gjithash si Kryeministër i vendit, të shpallte solemnisht vendimin për krijimin e Universitetit tonë të parë mjekësor. I ndodhur edhe unë vetë në atë sallë, mund të dëshmoj brohoritjet dhe entuziazmin e auditorit. Në po atë festë, e vetmja përshëndetje që akullnoi atmosferën qe ajo e rektorit të Universitetit të Tiranës, strukturë vartëse e të cilit qe Fakulteti i Mjekësisë. Ai u shpreh me disa argumente kundër ndarjes e kundër krijimit të një Universiteti të ri.
NJË ARSYE E FSHEHTË
Lajmi i universitetit të i ri nxori në dritë publikisht atë ditë divergjencat e hershme mes Fakultetit 60-vjeçar të Mjekësisë dhe Universitetit të Tiranës, nën vartësinë e të cilit ai kish funksionuar deri atëherë. Divorci administrativ që po kërkohej, mesa dukej ruante brenda tij histori të një konfliktualiteti të vjetër në kualitetin vendimmarrës epror-vartës. Mjekësia, për hir të specifikave të saj si profesion dhe si shkencë, kërkonte pavarësi nga Universiteti i Tiranës, sepse nën të ndihej e frenuar, jo e mirëkuptuar dhe e mirëvlerësuar.
MONOLOGU (I SUPOZUAR) I BERISHËS

Kujt t’ia prish e kujt t’ia ndreq? Konfliktet e shpeshta mes dy institucioneve të tilla të rëndësishme me akuza të “argumentuara” ndaj njëri-tjetrit ndoshta qenë të mirënjohura, por me sa duket jo lehtë të zgjidhshme nga Berisha. Nëse do isha pyetur nga dikush atë kohë thjesht si ish-student apo ish-pedagog dhe ish-shef i një katedre të Fakultetit të Mjekësisë, nuk besoj se do ta kisha mbështetur këtë ide. Arsyet janë disa, por nuk është koha dhe vendi t’i shpalos tani. Sot jemi në një tjetër situatë. Jemi përpara një fakti të kryer. Nga disa kolegë të mi kam dëgjuar se Berisha, disa kohë përpara vendimmarrjes, pati dërguar posaçërisht jashtë vendit dy nga profesorët e fakultetit të vlerësuar prej tij, për t’u informuar dhe studiuar avantazhet dhe disavantazhet e një universiteti të tillë. Raporti eventual që ata duhet të kenë paraqitur pas kthimit me sa di nuk është bërë asnjëherë publik. Besoj që, bazuar në këtë raport apo i “lodhur” nga grindja e bezdisshme në këtë nivel të lartë universitar dhe akademik, apo (pse jo?) edhe me dëshirën që t’u bënte një dhuratë mirënjohëse kolegëve të shkollës dhe të profesionit të tij, Berisha siç dihet tha “Po!”. Dhe ndoshta për të mos mbajtur anë dhe evituar pakënaqësitë e disa prej pretendentëve për postin e rektorit të Mjekësisë, të cilët ai i kish përveçse kolegë edhe miq, i befasoi ata duke komanduar si rektore dikë tjetër: një profesoreshë. Kjo nuk qe çka ata patën kërkuar dhe ideuar për Universitetin e ri. Sidoqoftë, rektorja ishte pedagoge me stazh të gjatë, specialiste e njohur në një fushë të mjekësisë dhe asokohe aktiviste e afërt politikisht me të. Berisha e argumentoi emërimin e saj si “përfaqësuese e të gjithë kontingjentit të nderuar e të përkushtuar femëror në profesionin mjekësor”. Por, pa dashur, ai inicioi atë ditë rrymën e rezistencës dhe pakënaqësisë “anti-universitet”. Fillimisht e fshehtë kjo, e më pas e hapur.
NJË “BEBE” E LINDUR PREMATURE, APO E LINDUR ME KEQFORMIME?

Bebet e lindura para kohës së pritshme quhen premature(të papjekura). Ato, ndonëse janë në dukje normale, kanë një sërë papjekurish në organe. Janë tejet të brishta dhe të rrezikuara për mbijetesën, por falë kujdesit intensiv mjekësor dhe teknologjisë së sotme të disponueshme, mund të piqen, të zhvillohen dhe të ndjekin më pas rrjedhën natyrale të jetës si fëmijët e tjerë. Përkundrazi, foshnjat që lindin me keqformime, deformime trupore, sidomos të organeve kryesore me rëndësi jetësore, janë shumë më tepër të rrezikuara. Ato edhe nëse shpëtohen e mbeten gjallë, anomalitë me të cilat lindin do t’i mbartin shumicën e herës të pakorrigjueshme gjatë gjithë jetës. Dallimi mes prematuritetit dhe keqformimit të lindur mund të ilustrohet edhe në lindjen e institucioneve të reja apo lëvizjeve e fenomeneve të reja. Demokracia, p.sh., te ne u gjykua fillimisht si “premture”. Sepse ndofta ashtu qe fillimisht vërtet, por fakti është që ajo ndonëse me vështirësi mbijetoi, u rrit, u forcua, u zhvillua dhe tashmë po ecën me hap të njëjtë si motrat në Europë. Po Universiteti ynë Mjekësor? Lindja e tij fillimisht u celebrua si sukses. Pati eufori dhe shpresa të mëdha me të. Askush nga pedagogët dhe profesorët mjekë nuk kërkoi “abortin” që në fazën e idesë dhe të ngjizjes së tij. Askush nuk kërkoi “ekografi” të detajuar për të parashikuar e diagnostikuar anomalitë e mundshme të tij që para lindjes. Reflektimi dhe reagimi filloi vetëm pasi foshnja kish lindur. Ose më saktë, kur projektuesit e tij “separatistë” të Universitetit të Tiranës u ndërgjegjësuan se ai nuk qe siç e patën ëndërruar. Dhe “dadoja” që iu caktua, sipas tyre, nuk qe ajo që do të mund ta rriste dhe ta zhvillonte.
A KEMI TANI VËRTET NJË UNIVERSITET MJEKËSOR?

E kemi. Dhe ende jo. Në fakt, ai erdhi njëherësh para kohe dhe me disa anomali. Foshnja nuk i kishte të plota “gjymtyrët”, nuk i kish të plotësuar organikisht fakultetet që duhet ta përbënin. Kurse këto nuk i kishin të plotë “gishtërinjtë”. Nuk i kishin sipas ligjit të arsimit të lartë numrin e domosdoshëm të departamenteve dhe numrin e detyrueshëm të profesorëve për funksionimin e tyre dhe krijimin e këshillave respektivë shkencorë. Universiteti Mjekësor pritej të ngrihej si një strukturë e re shtesë me resurse dhe vlera, suplementare, si “një kat i ri më i lartë” mbi fakultetet përbërëse. Kurse ai, krejt ndryshe nga kjo, okupoi një nga fakultetet ekzistuese; atë të Mjekësisë. Nuk kishte as “djepe” e as “shishen e qumështit” (lokalin e buxhetin e vet). Dhe çfarë ishte më keq, foshnja lindi me “dhëmbë”. Me to filloi menjëherë të kafshonte gjithçka që donte te Fakulteti Mjekësisë, “atin” dhe bujtësin e tij. Ai kish pritur që Universiteti i ri t’i sillte atij, përveç pavarësisë, edhe gjithçka të nevojshme që nuk i ishin mundësuar nga Universiteti i Tiranës. Të tilla si një koncept të ri të mësimdhënies dhe të kurrikulave, bazë të re laboratorike të mirëpajisur, koncept të ri menaxhimi dhe rekrutimi të stafit pedagogjik dhe një vizion dhe nivel të lartë të punës kërkimore-shkencore në partnership të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institucionet e saj. Të gjitha këto jo menjëherë, por së paku t’i projektonte e t’i parashtronte ato për diskutim. Mirëpo, pas dy vitesh të ekzistencës së tij, Universiteti i Mjekësisë nuk bëri dot “diferencën”. Nuk demonstroi dot ende risi. Ai shpenzoi shumë energji dhe adrenalinë me fërkimet brenda tij, por pa vlera shtesë. Deri tash, duket projekt me potencial të hamendësuar shpresash, por edhe me jo pak dështime e zhgënjime!
“DJALË PLËNGPRISHËS” APO “BABA PRETENCIOZ”?
Diziluzioni i parë u shfaq. Kur “Rektorati i ri me bluzë të bardhë” nuk solli paqen, nuk krijoi me Fakultetin e Mjekësisë marrëdhënie miqësore e bashkëpunuese “at e bir”, por ndoqi gjatë formatimit të tij strukturor të njëjtën frymë komanduese administrative dhe vertikale si ato për të cilat ai pat kërkuar ndarjen nga Universiteti i Tiranës. Universiteti Mjekësor dhe Fakulteti i Mjekësisë, në vend të bëheshin një trupë e vetme bashkëvepruese, u bënë përsëri dy palë “rivale”. Këtë herë “brenda llojit”. Argumente objektive dhe subjektive të fajësimit reciprok të të dy palëve janë thënë shumë, por ato nuk e justifikojnë dot ngërçin që u krijua këto dy vjet në dëm të edukimit të mjekëve tanë të rinj. Universiteti “pushtoi” dhe i “rrëmbeu” Fakultetit të Mjekësisë strukturat, ambientet, mjetet dhe burimet me synim zëvendësimin dhe përvetësimin e roleve dhe kompetencave të mëparshme të tij. Dekani i votuar i Fakultetit të Mjekësisë u shkarkua me urdhër “nga lart”, me akuza të pavërtetuara nga gjykata dhe vendin e tij për herë të parë në historinë e tij e zuri zëvendësdekania, një mjeke specialiste dhe profesore. Ndërkaq, ish-rektorja u zëvendësua me një rektor të emëruar politikisht pa votim, të cilit zyrtarisht i ka mbaruar mandati, por që e vazhdon detyrën duke lënë të hapur enigmën nëse do riemërohet nga politika siç u emërua, apo do të zbatohet rregullorja ekzistuese universitare e zgjedhjes së rektorit me votim.
Ç’DO BËHET ME UNIVERSITETIN TONË MJEKËSOR?
Shoh vetëm dy opsione për të: Të kthehet prapa, pra të prishet. Të ecë përpara, pra të përmirësohet rrënjësisht. Ashtu siç është sot, nuk ia vlen të vazhdojë. Nuk ka dyshim që ai u ngrit me ndërgjegjësimin e mangësive që mbarte fillimisht. Por, edhe me shpresën që me kohë do mund të zhvillohej e të plotësonte gradualisht ato. Vendi ynë i ka të panumërt shembujt se si janë ngritur fillimisht institucionet e reja në fusha e sektorë të ndryshëm në mënyrë embrionale dhe jo rrallë diletante. Ato janë rritur më pas me vështirësi, por, edhe pse jo perfekte, i kanë shërbyer në atë apo këtë masë progresit të vendit. Si mjek, humanist dhe qytetar, jam kundër mbytjes së çdo foshnje të lindur qoftë edhe para kohe apo edhe me defekte. Edhe “mbytjen” e këtij Universiteti nuk do e dëshiroja. Përmirësimin po. Por, qëndrimin në vend jo. Ndërkaq, pse na duhet të debatojmë emërtimin e institucionit që formon mjekët tanë nëse do quhet: Fakultet, Universitet apo nesër Akademi Mjekësore? Çfarë rëndësie ka emri? Dikur mjekët tanë u edukuan së pari në Institutin Mjekësor. Më pas në Fakultetin e Mjekësisë. Gjeneratat e tyre shkruan faqe të paharruara suksesi në shërbim të shëndetit të popullatës sonë. Rëndësi ka substanca, performanca e misionit. Universiteti ynë, për fat të keq, nuk solli deri tani asgjë origjinale dhe substanciale.
NJË TEMPULL I CENUAR
Universiteti Mjekësor u ngrit mbi shpatullat e një Fakulteti të “vjetër”, por të lavdishëm, i cili mban në gjoks dekoratën më të lartë të këtij vendi, “Nder i Kombit”. Prandaj nuk duhet ta cenonte atë. Nuk duhet të lartësojë veten mbi gërmadhat dhe mbi meritat e tij. Asgjë e re, sado e dobishme, nuk duhet të ngrihet mbi rrënojat e tempujve dhe vendeve të shenjta. Fakulteti i Mjekësisë është i tillë. Për mijëra ish-studentë të tij. Dhe për të gjithë shëndetësinë. Unë nuk e dëshiroj prishjen e Universitetit Mjekësor, por as nuk justifikoj dot ekzistencën e tij ashtu siç është. Ai na kushton gjysmë milion euro më shumë në vit, ndërkohë që nuk e ka përmirësuar as ngritur statusin, as funksionimin e Fakultetit të Mjekësisë. Përkundrazi!
SFIDA JO TË LEHTA
Disa nga sfidat janë: njohja ndërkombëtare e tij, njësimi i kurrikulave me standardet europiane, akreditimi, njohja e diplomës, kooperimi apo binjakëzimi me ato në vende të tjera, reformimi cilësor dhe etik i veprimtarisë pedagogjike, praktike, laboratorike, shkencore e botuese. A do mund t’ia dalë ai? Në gjendjen siç është sot, dyshoj se jo! Që të mund të mbijetojë dhe të shndërrohet në një të mirë publike të dobishme, ai do duhej së pari të mpikste autonominë e tij. T’i mbajë larg vetes duart dhe gishtat me ngjyra partiake që të mos ndërhyjnë e njollosin bardhësinë e misionit të tij. Ndërkohë, ai do duhej të ishte mbështetur me ekspertizë dhe resurse që të mund të krijonte vizionin, infrastrukturën, burimet njerëzore, materiale dhe financiare autentike të tij dhe jo të vegjetonte si kërpudhë deri tash mbi trungun e Fakultetit të Mjekësisë. Atij i duhej një mënyrë e re eficiente menaxhimi e lidershipi, e aftë të shuajë konfliktualitetin e brendshëm të trashëguar, por edhe të promovonte partnershipin e gjerë në aspektet strategjike, të planifikimit dhe të vendimmarrjeve brenda fakulteteve përbërëse. Së fundi, do t’i duheshin mendësia dhe standardet e universiteteve të Europës dhe botës. Jo të Orientit. Realisht, sot pas dy vitesh kemi një Rektorat, por jo Universitet Mjekësor. Kemi një administratë të re të paguar shtesë të tij, por jo frytet e reja të shpresuara. Prandaj “eksperimenti” duhet ndërprerë. Në situatën ku jemi, e keqja që duhet “vrarë” është pranimi i gjendjes së sotme dhe adaptimi me të. Pranimi është pasivitet i ëmbël si gjumi. Ndryshimi është veprim imediat me qartësi, energji dhe guxim. I kemi ato vallë?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura