Diktatura, paradokset që na vijnë nga heshtja

Mar 10, 2015 | 12:12
SHPËRNDAJE

AGIM BAÇI

   Heshtja ndaj së djeshmes, pamjaftueshmëria e zbardhjes së saj në debatet e përditshme, ka sjellë përpara shqiptarëve dy pyetje paradoksale – nga njëra anë jo pak të rinj pyesin “Përse na duhet ta dimë të shkuarën?”, dhe nga ana tjetër mjaft prej atyre që kanë kaluar kalvarin e persekutimeve çnjerëzore e që vijojnë të mbeten ende të paintegruar në shoqëri, që pyesin “Përse duhet t’i rrëfejmë vuajtjet tona?”.   
Të vëna përballë këto pyetje zbardhin gjithë pafuqinë tonë në këto 24 vite, si politikë dhe shoqëri, që nuk kemi dëgjuar aq sa duhet ata që duhet të flisnim dhe nuk u kemi folur aq sa duhet atyre që duhet të dëgjojnë. Dhe të ardhur kështu, mes një pasigurie dhe heshtjeje ndaj së djeshmes, ne po shkojmë me shpejtësi drejt të parit të së djeshmes si diçka muzeale, ndërkohë që “jashtë këtij muzeu” janë në betejën për mbijetesë jo pak nga ata që e vuajtën mënyrën më çnjerëzore të një diktature.
Nuk ka asnjë analizë krahasuese me atë që ka ndodhur në Shqipëri me asnjë nga vendet që ka kaluar në diktaturë. Mjafton të themi se për të njëjtën periudhë nën diktaturën komuniste, në Murin e Berlinit u vranë, sipas statistikave të ZZF-së, vetëm 136 persona, në një vend me 16.4 milionë banorë, ndërkohë që në kufijtë shqiptarë u vranë rreth 6 000 persona, kur ishim pak më shumë se 2 milionë banorë. Pa folur këtu për tortura e persekutime, të pushkatuar pa gjyq, të fyer e injoruar deri në pafundësi.
Mirëpo, në këto 24 vite iu fshehëm të vërtetës, nuk hapëm dosjet, nuk folëm sa duhet për ata që vuajtën dhe ata që shkaktuan këto vuajtje dhe as nuk patëm kurajën që të bënim gjithçka që ata të kapnin trenin e së duhurës. Ata ish-të përndjekur që iu rikthyen një jete normale, e bënë këtë me fuqitë e tyre. Ndërkohë që historianët vijuan të linin në heshtje atë mynxyrë, për të mos thënë që në jo pak raste dolën në pah gjoja “gjërat e mira” që kishte ai sistem, por duke mos pranuar kurrë se çfarë fshihej pas atyre të mirave, duke mos përmendur mungesën e madhe të lirisë, duke mos përmendur se sa lehtësisht ai shtet vriste dhe persekutonte qytetarët e vet dhe se ku gjithçka në emër të shkollimit apo edukimit artistik bëhej për shpëlarje truri dhe për krijimin e “njeriut të ri”.
Pa dyshim, të lexosh At Zef Pllumin, Ejll Çobën, Lek Pervizin, Agim Mustën, Fatos Lubonjën e Spartak Ngjelën, apo mjaft dëshmi të tjera që disa ditë më parë i solli për publikun Instituti i Studimeve për Krimet e Komunizmit, kupton fare mirë se ajo që kemi dëgjuar për vuajtjet apo dhunën ndaj ish-të përndjekurve, e kalon çdo imagjinatë. Dhe, kur e kalon imagjinatën për ne, që jemi brez që kemi kaluar fëmijërinë dhe rininë në atë kohë, imagjino se çfarë ndodh me ata që kanë lindur pas vitit 1990 apo në vitet 2000, të cilët, pas kësaj heshtjeje, mund të na akuzojnë për triller – një frikë kjo e shfaqur herë pas here edhe nga ata që kanë rrëfyer.  
Ne pa dyshim që ua kemi borxh moralisht atyre që vuajtën që të mos i lëmë në harresë, e aq më pak që të flasim vetëm për dëmshpërblimin e tyre, a thua se rehabilitimi i tyre është thjesht një çështje ekonomike. Atyre ua kemi detyrim t’ua dëgjojmë dëshmitë dhe t’i transmetojmë me zë të lartë, sepse kështu tregojmë se mund të përballemi me gabimet e së shkuarës sonë, sepse jemi pjesë e kësaj historie. Kështu nuk bëhemi personazhe trillerësh përballë rinisë së sotme, fëmijëve tanë, të cilët shumë shpejt do ta konsiderojnë historinë e komunizmit si “një sajesë gjyshërish” nëse nuk ua zbardhim. Realisht kjo është e pafalshme dhe ne jemi në kufijtë e këtij paradoksi, ku të rinjtë, me të drejtën që u vjen nga mosinformimi, të injorojnë dijen për të shkuarën, duke bërë që dëshmitarët e persekutimeve të humbin shpresën se fjala e tyre do t’u mbërrijë brezave që ata të dinë përherë se nga cila anë e historisë nuk duhet shkelur kurrë.
Devijimi, afrimi me çnjerëzoren, dhunimi dhe persekutimi nuk ka qenë një dhunti e shqiptarëve. Por popujt që kanë kaluar nga histori të ngjashme dhune ideologjike e fizike vijojnë të flasin për të keqen që u ka ndodhur të parëve të tyre, me qëllimin që ajo kurrë të mos ndodhë më. Gjermanët vijojnë të dënojnë nazizmin dhe komunizmin, edhe pse duket se ka shumë kohë që e kanë lënë pas. Italianët vijojnë të ndëshkojnë fashizmin. Popuj të tërë debatojnë mbi çnjerëzoren që ka rrëmbyer breza të mëparshëm. E të gjitha këto si një amanet për ata që janë dhe ata që do të vijnë, që të parandalojnë çdo devijim që sjell dhunimin dhe persekutimin e qenies njerëzore.
Pyetjet “Pse duhet ta di?” dhe “Pse duhet ta rrëfej?” janë alarmi për të gjithë ne se duhet të zgjohemi e të përballemi me atë që u bë keq, shumë keq. Dhe kjo, jo për ndëshkim ndaj atyre që e bënë, por si mësim ndaj atyre që do të vijnë. Ndryshe, frika ndaj së shkuarës vetëm sa do të shtojë pasigurinë ndaj së nesërmes. Në këto 24 vite e kemi dëshmuar se sa hapa të gabuar hedhim nga mungesa e guximit për të zbardhur të djeshmen. Ndaj, që të mos turpërohemi ndaj brezit që humbi dhe atij që do të vijë, ne duhet të kemi kurajën të zbardhim gjithçka që ka ndodhur, që të mos ndihemi të turpëruar ndaj pasardhësve tanë. Dhe kurrë nuk është vonë për të bërë gjënë e duhur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura