Diktatura e teknologjisë

Oct 1, 2022 | 9:00
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO

PELLUMB NAKO

Sa herë që qeverisë i duhet të kryejë një investim publik me vlerë të madhe monetare, ajo natyrshëm bën publicitetin e teknologjisë që do të blejë duke përshkruar nëpërmjet oratorisë direkte kryeministrore të mirat që sjell. Në këtë ligjërim, vëmendje i kushtohet faktit se për këtë investim që po kryen, qeveria ka kohë që mendon, që projekton dhe pasi e ka peshuar nga të katër anët, për të mirën e popullit, vendos ta blejë. Bëhet fjalë satelitët dhe për dronët.

Këto ditë, vetë Kryeministri ka deklaruar se qeveria do të blejë gjashtë dronë duke theksuar konkretisht: “E fundit që kam, është se satelitët shumë shpejt do të pasohen nga dronët që janë për raste ekstreme kundër terrorizimit”, sigurisht bazuar në zhvillimet e fundit. Në një dalje tjetër publike, ai shprehet: “Me satelitët nuk do të ketë mundësi të ndërtohen më kate pa leje… ne do të krijojmë një bazë të dhënash të rëndësishme që do të na japin mundësi të bëjmë shumë analiza dhe në funksion të programit të së nesërmes. Të gjitha do t’i kemi në një pasqyrë, të vena para nesh në mënyrë të përditësuar”. Dhe diku tjetër, Kryeministri tregon se dronët do të përdoren edhe për të kontrolluar ndërtimet pa leje, për kultivimin e drogës, për pyjet etj.

Kurse një vit më parë, gjatë një takimi në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Kryeministri deklaroi se qeveria do të blinte nga Turqia tre dronë jashtëzakonisht inteligjentë që do të krijonin mundësinë “që të kemi informacion të plotë për sipërfaqen e tokës së punuar në Shqipëri dhe të kemi fotografi ajrore të detajuara deri në cm e fundit që të na tregojë jo vetëm sa sipërfaqe të punuara kemi sot, por edhe çfarë kulturash kemi në çdo metër katror”. Nuk harroi të flasë edhe për kadastrën.

Pra, në harkun kohor të një viti e ca muaj u kalua nga tre, në gjashtë dronë dhe nga objektiv tërësisht civil, në objektiv luftarak dhe civil. Të krijohet përshtypja se më shumë qeveria është ndodhur para detyrimit për të blerë këta dronë dhe “t’u gjejë punë” sipas manualit të përdorimit të tyre sesa të ketë analizuar problematikën e qeverisjes dhe si zgjidhje për përmirësim, të investojë në teknologji. Megjithatë, nuk është ky problemi kryesor.

Teknologjia e lartë gjithmonë sjell avantazhe duke bërë madje edhe çudira, por në një kontekst kur ajo nuk përdoret për çdo rast në raportet e duhura me të drejtat e njeriut dhe në përputhje me kompetencat dhe funksionimin e hierarkisë së pushteteve apo institucioneve që ndërtojnë qeverisjen e një vendi demo kratik, ajo kthehet në një diktaturë numerike apo teknologjike, makth për qytetarin. Ma fjalë të tjera, kjo do të thotë që të ruhet ekuilibri i duhur ndërmjet individit dhe teknologjisë është e domosdoshme që kjo e fundit të ndihmojë në funksionimin e shtetit të së drejtës dhe jo të tjetërsojë funksionimin e tij duke u kthyer në një mjet efikas për centralizim pushteti. Për qytetarin e thjeshtë, teknologjia është një armë kundrejt së cilës atij edhe do t’i duhet të mbrohet, por edhe ta përdorë për t’i thënë të vërtetën pushtetarëve.

Në këtë kontekst, është e thjeshtë të sjellim ndërmend detyrimin ligjor për vendosjen e kamerave të survejimit nga të gjitha bizneset dhe institucionet. Imazhet e tyre shpesh kanë degraduar privatësinë e individëve të ndryshëm, por nga ana tjetër kanë ndihmuar në transparencën e veprimeve të institucioneve, kur këto të fundit janë munduar të fshehin të vërtetat. Mjafton të kujtojmë rastin e përplasjes në Elbasan, në ditët e zgjedhjeve politike ku pati edhe një viktimë. Ishin kamerat ato që hodhën dritë mbi të vërtetën. Apo rasti i vrasjes së një të riu nga policia kur kjo e fundit mbajti një qëndrim skandaloz, kriminal në raport me incidentin.

Nëse nëpërmjet “e-Albania”, qeveria krenohet me shërbimet që u bëhen qytetarëve duke eliminuar për hir të vërtetës sorollatjet, ryshfetin, nga ana tjetër arkitektura e përzgjedhur nga teknikët e “e Albania” ka krijuar mundësinë e integrimit të sistemeve duke stokuar të dhënat e shumë institucioneve në një dorë të vetme. Pra, është krijuar një centralizim absolut i të gjitha të dhënave numerike të qytetarëve shqiptare në dorën kryeministrore, duke i dhënë mundësinë këtij të fundit t’i përdorë ato edhe duke ua dhënë patronazhistëve. Mundësia e ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve mund të kishte të njëjtën cilësi si kjo aktuale edhe nëse sistemet në fjalë do të ndërtoheshin sipas një arkitekture më të decentralizuar, pa pasur një sistem, i cili ka aftësinë të lexojë të dhënat e të gjitha databaseve të institucioneve publike dhe në varësi direkt të Kryeministrit. Në rastin e “e Albania” teknologjia ka krijuar mundësinë e centralizimit të pushtetit që është në kundërshtim me parimet demokratike të të qeverisurit.

I njëjti rrezik qëndron edhe me përdorimin e imazheve që do të sjellin dronët apo satelitët. Nisur nga mënyra se si i merr vendimet Kryeministri, me siguri përqendrimi i imazheve në një dorë të vetme do të bëhet realitet. Kurse e kundërta, nëse dronët do të përdore shin në shërbim të bashkive apo të njësive administrative për të kontrolluar ndërtimet pa leje apo për funksione të tjera që kryejnë dronët në përputhje me detyrat e tyre, imazhi do të administrohej nga pushteti vendor dhe ai do të kishte mundësinë ta kryente detyrën më mirë. Pra, në këtë rast teknologjia e përdorur në përputhje me ligjin që normon kompetencat e pushtetit vendor, pa as dyshimin më të vogël, do të rriste cilësinë e shërbimeve të tyre në raport me kontrollin e territorit.

Madje, idenë e centralizimit Kryeministri e ka cekur edhe në referimet e tij publike dhe që e cituam pak më lart kur ai flet për krijimin e një baze të dhënash që me siguri do të trajtohet nga ndonjë agjenci e varur direkt prej tij, të cilën parashikon ta ngarkojë me detyra studimore. Cilado qoftë forma dhe funksioni i “studimit” apo i entit që do të ngarkohet me të, do të jemi përsëri përballë një përqendrimi të të gjitha imazheve në një dorë. Kjo është diçka që bie qartë në sy kur sheh se si Kryeministri e ka shoqëruar gjithë propagandën e tij për avantazhet e dronëve në kontrollin e territorit me sulme ndaj të gjitha pushteteve që operojnë në territor, të zgjedhura apo pjesë të ekzekutivit, duke sjellë në skenë aktin e tij të preferuar, atë të shpëtimtarit të situatës. Pra, përsëri përqendrim pushteti. Diktatura numerike në Shqipëri po kompletohet me atë vizive për të përfunduar e qeverisur nga diktatura e teknologjisë kryeministrore. Gjithçka tjetër është vetëm propagandë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura