“Diktatorët” e federatave, Duka i dyti në Europë

Jan 27, 2022 | 13:59
SHPËRNDAJE

Po t’i hedhim një sy jetëgjatësisë së pres identëve të federatave të futbollit, anëtare të UEFA-s, do të shohim se spikatin shumë pak të tillë, mes tyre edhe ai i Shqipërisë, Armand Duka, që e mban këtë pozicion prej 20 vitesh, gjithsej pesë mandate, duke ia kaluar edhe Dukës së Kembrixhit.

duka uefa

Rekordin për jetëgjatësinë në këtë post drejtues e mban presidenti i Federatës së San Marinos, Xhorxho Kreshentini, që është në krye të saj që prej vitit 1985. Ndërkohë, pas tij renditet direkt Armand Duka që është zgjedhur në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit që prej vitit 2002, kur zëvendësoi Miço Papadhopullin i cili qëndroi shtatë vite në krye të institucionit të futbollit.

Tashmë, i zgjedhur dhe fitues pas pesë betejash, Armand Duka më 2 mars 2022 do të kërkojë mandatin e gjashtë në drejtimin e FSHF-së.

Ndërsa pas Dukës vijojnë dy homologët e tij, ai i fqinjëve të Malit të Zi dhe ai i Luksemburgut që janë zgjedhur në vitin 2004. Më pas vjen një tjetër dukë, këtë radhë ai i Kembrixhit, Princi Uilliam, që ka një titull honorifik dhe është në krye të “Football Association”, që prej vitit 2006, edhe pse sistemi i federatës në Angli është që në drejtimin kryesor është një “chairman”, konkretisht Petër MekKormik.

Përpara vitit 2010 janë edhe dy homologë të tjerë në krye të federatave të futbollit, përkatësisht ai i Estonisë, Aivar Pohlak, që është zgjedhur që prej vitit 2007 dhe vazhdon edhe sot, po ashtu edhe ai i shtetit të Azerbajxhanit, Rovnag Abdullajev, nga viti 2008.

Pjesa tjetër e drejtuesve të federatave të futbollit në Europë, shumica prej tyre, janë zgjedhur në vitet e fundit, si Gravina i Italisë (2018), i Spanjës Luis Rubiales (2018) apo i Kroacisë, Belgjikës, Greqisë që janë zgjedhur vitin e kaluar.

Agim Ademi i Kosovës (2018) dhe Muamed Sejdini i Maqedonisë së Veriut në vitin 2019. Aktualisht e vetmja federatë futbolli që nuk ka një president është ajo e Gjermanisë, ku përkohësisht drejton Rajner Kosh, pas largimit të Fritz Keler në maj 2021.

1

2

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura