Dijana Toska: “Si e krijova himnin për Nënë Terezën, Inva Mula e këndon sonte”

Jul 23, 2015 | 11:12
SHPËRNDAJE

dijana2
Ideatorja Dijana Toska, gazetare e njohur në Shkup, tregon për përgatitjet e fundit për Himnin e Nënë Terezës, që do të këndohet nga sopranoja e famshme, Inva Mula. Detajet e evenimentit që do të zhvillohet sonte në sallën e TOB-it, ku do të jenë qindra muzikantë. I ftuar special, Jim Belushi

Në dhjetor të vitit të kaluar, në Shkup po mbahej simpoziumi kushtuar 100-vjetorit të vdekjes së pagëzuesit të Nënë Terezës, Don Zef Ramaj. Teksa gazetarja nga Shkupi, Dijana Toska, po dëgjonte fjalimet, i lindi një ide: Të bëjë një himn për Nënë Terezën. Në mendje i vinin vargjet e poezisë “Lamtumirë”, që shenjtorja shqiptare i kishte shkruar kur po largohej, më 1928, për në Kalkutë. Kjo ishte imagjinata e Dijanës në ato ditë të ftohta dhjetori, por që do të bëhet realitet në të nxehtin e kësaj vere. Por tani ajo nuk është vetëm.
dijana4
Për të realizuar idenë e saj, janë qindra muzikantë nga trojet shqiptare, duke përfshirë sopranon e famshme, Inva Mula. “Po bëhen përgatitjet e fundit për t’u takuar më 19 korrik në Tiranë (sonte), në sallën e TOB-it, për të incizuar audio Himnin e Nënë Terezës. Nga Prishtina do të vijnë orkestrantë të Filarmonisë së Kosovës dhe Kori i udhëhequr nga drejtori Baki Jashari. Nga Maqedonia do të jenë Sihana Badivuku e Blerim Grubi dhe natyrisht muzikantët nga Shqipëria. Një gjithëpërfshirje mbarëkombëtare e muzikantëve, nën dirigjim të Bujar Llapajt. Muzikën dhe orkestrimin mbi veprën e Lorenc Antonit e ka realizuar Genc Tukiçi, ndërsa do ta interpretojë sopranoja e njohur Inva Mula”, tregon Dijana Toska, ndërsa zbulon se në shesh do të jetë edhe aktori i madh shqiptaro-amerikan, Jim Belushi.

Më tej, më 5 shtator, në Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë, në sheshin “Nënë Tereza” në qendër të Prishtinës, do të përurohet solemnisht Himni i Nënës Terezë, përmes të cilit Dijana dhe artistët që po e mbështesin në këtë projekt, kërkojnë që të përçojë tre mesazhe: universal, fetar e kombëtar. “Nën moton e Besëlidhjes Shqiptare, bijat e bijtë e Nënë Terezës do të japin besën se do ta ndjekin rrugën e saj të bamirësisë. Ndërsa përmes simbolikës universale se ‘uniteti bën fuqinë’, do të shprehim solidaritetin tonë dhe do të promovojmë tolerancën fetare e paqen universale në botë”, thotë Dijana Toska, ndërsa mësohet se do të jetë dygjuhësh, shqip-anglisht.

Ky Himn do t’i paraprijë Shenjtërimit të Nënë Terezës në vitin 2016 nga Vatikani dhe njëherazi vendosjes së gurthemelit të shtëpisë së Nënë Terezës në Prishtinë. Sipas gazetares shkupjane, do të kërkohet edhe që në të gjitha uebet e organizmave ndërkombëtarë, duke filluar nga OKB-ja e Vatikani, të vendoset Himni i Nënë Terezës. “Shpresoj se populli do ta kuptojë madhështinë e himnit ‘Nënë Tereza’. Tash do t’i kemi dy himne, çdo manifestim që do të bëhet në botë për Nënë Terezën, do të festohet me himnin e saj, të bërë nga ne”, sqaron Dijana Toska, por mbetet e paqartë nëse organizmat ndërkombëtarë mund të pranojnë që të kenë dy himne….

inva-mula
Inva Mula: Me këtë himn, dëshmojmëse Nënë Tereza është e jona
Ajo është një ndër artistet më prestigjioze shqiptare, që ka prekur skenat më të mëdha botërore. Karrierës së saj të bujshme tashmë po i shtohet një performancë më e ndjeshme, pasi Inva Mula ka pranuar që të këndojë himnin për Nënë Terezën, me rastin e shenjtërimit të saj…

Ju tashmë keni marrë përsipër që të këndoni himnin për Nënë Terezën, duke iu referuar karrierës suaj të bujshme, por edhe ndjeshmërisë që mund të të sjellë kjo performancë, çfarë krahasimi do të bënit?
Është një nder i madh që më bëhet duke më besuar interpretimin e himnit! Jam shumë e prekur nga kjo iniciativë dhe i falënderoj organizatorët që ma besuan këndimin e këtij himni.

Po besoj që tashmë jeni njoftuar me konceptin e këtij himni, sa po ju fle në shpirt ky projekt?
Projekti është shumë i bukur! Ne të gjithë bashkë do të muzikojmë mbi vargjet e Nënë Terezës, pasi poezia është shkruar prej saj. Më vonë, Lorenc Antoni e ka muzikuar për t’ia kaluar stafetën Genc Tukiçit, i cili po e përpunon dhe orkestron materialin.

Në këtë projekt, sikurse është bërë përzgjedhja e artistëve me një shtrirje më të gjerë kombëtare, gjithnjë duke pasur qëllim edhe përzgjedhjen e vlerave, cili është vlerësimi juaj për këtë bashkëpunim kaq të gjerë?
Kemi dashur të formojmë një orkestër të bashkuar mbarëkombëtare dhe presim që orkestrës së Teatrit të Operës dhe Baletit t’i bashkëngjiten edhe muzikantë nga Prishtina dhe Shkupi, gjithashtu kori është i Prishtinës! Vepra do të drejtohet nga dirigjenti Bujar Llapaj. Do të shtoja një falënderim për Dijana Toskën, e cila është ideatorja dhe motori i këtij projekti, për gjithë energjinë e saj dhe sigurisht për gjithë ata që mbështetën këtë projekt!

E prisnit se do të vinte një ditë që do t’i këndonit Nënës Terezë nëpërmjet një himni?
Nuk e kisha menduar, por ja që artisti ka të papritura të bukura në jetë dhe këtë do ta quaja një dhuratë në karrierën time.
Shumë shpesh ka pasur tendenca që Nënë Terezën ta përvetësojnë sa i përket prejardhjes së saj. Me këtë himn, a mendoni se do të dëshmohet edhe më fuqishëm se Nënë Tereza është shqiptare?
Sigurisht që ne me realizimin e himnit duhet të propagandojmë ndërkombëtarisht. Dhe mendoj se duke e kënduar himnin në gjuhën shqipe dhe angleze, dëshmia është veçse e jona.

Sa zgjati të menduarit mbi pranimin e këtij angazhimi?
Sigurisht që e pranova menjëherë angazhimin, por përgjegjësia është shumë e madhe për të bërë diçka dinjitoze, ashtu si dhe vepra e saj e madhe.

Po teksti i himnit, sa jeni e mishëruar me këtë tekst?
Vargjet i lexoj pa fund dhe e imagjinoj pikërisht atë rrugë që ajo ka ndjekur, për të qenë pranë njerëzve në nevojë.

Prezantimi i këtij himni do të bëhet me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës, sa të mëdha janë emocionet mbi këtë paraqitje?
Dita e shenjtërimit do të jetë një ngjarje për të gjithë kombin tonë dhe njerëzve që janë frymëzuar nga vepra e saj. E pres me shumë emocion atë ditë, për t’u ndjerë bijë e saj, si të gjithë shqiptarët kudo në botë.

ELISABETA ILNICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura