Digjet flamuri shqiptar gjatë një ndeshje në kampionat, serbët: Do të ketë luftë!

Feb 24, 2015 | 14:00
SHPËRNDAJE

Tifozët serbë djegin sërish flamurin shqiptar gjatë një ndeshjeje të Superligës vendëse. Tri ditë më parë, ata kanë qenë mjaft të dhunshëm dhe të ashpër me mesazhet e tyre gjatë takimit mes FK Rad Beogradit dhe Novi Pazarit që përfundoi 1-0.

Moment gjate ndeshjes

Në një fotografi që është publikuar nga e përditshmja serbe “Vesti”, shihet duke u djegur flamuri shqiptar. Nga ana tjetër, tifozët e skuadrës nga kryeqyteti serb kanë djegur edhe flamujt e Kosovës e Turqisë gjatë ndeshjes. Por, edhe ky gjest i turpshëm nuk u ka mjaftuar tifozëve serbë. Në një banderolë të ultrasve të FK Rad, këta të fundit shkojnë edhe më larg.

“Do të ketë luftë”, kanë shkruar ata, duke i paralajmëruar kështu indirekt shqiptarët. Fryma e urrejtjes kundër shqiptarëve në Serbi ka kulmuar pas ndeshjes së ndërprerë të 14 tetorit të vitit të kaluar në Beograd mes Kombëtares vendësve dhe Shqipërisë. Ndërkohë, interesant është fakti se sipas mediave serbe, këta tifozë të dhunshëm janë kritikuar edhe nga vetë kryesia e klubit të KF Rad.

“Distancohemi nga këto akte të tifozëve tanë”, thuhej në komunikatën për shtyp pas ndeshjes. Ajo që ka ndodhur në Beograd më 21 shkurt vjen pas disa precedentëve racistë kundër shqiptarëve. Madje si për koincidencë po të shtunën e kaluar, u luajt në Vjenë edhe ndeshja e kategorisë së pestë të futbollit austriak mes klubit shqiptar SV Albania dhe atij serb SC Kaiserebersdorf-Serbija 08, ku fituan kuqezinjtë 2- 1. Edhe në këtë takim të futbollit amator nuk munguan incidentet e tifozëve serbë. Policia austriake u detyrua të përdorë forcën për të qetësuar grupin prej dhjetëra tifozësh serbë, ndërsa shumë prej tyre i nxori jashtë .

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura