Diedoni: “Si munda unë me titull doktor të dashurohem me Albën me tatoo e kokë të rruar”

May 17, 2015 | 13:29
SHPËRNDAJE

Për Xhensilën, Fatjonin, Tean, Veselin, mendoj se po bëjnë çdo gjë për të ecur në lojë

Po përjetojnë një ndarje të vogël, e domosdoshme për pak reflektim sa për t’i ndier rëndësinë njëri-tjetrit. Edhe pse humbi shansin për të fituar çmimin e madh të “Big Brother 8”, Diedon Musa nga Mitrovica ndihet i përkëdheluri i fatit, që në shtëpinë e “BB” ka lënë një vajzë që shpesh qan për të. Stomatologu 26-vjeçar, i cili na ka dëshmuar botën shpirtërore prej artisti në ekran, rrëfen me gjuhën e një intelektuali ndjenjat e vërteta për Alba Çobaj nga Tirana dhe planet në çift, pasi ajo të dalë nga shtëpia.
Një stomatolog në “Big Brother”. Për çfarë të shërbeu kjo eksperiencë televizive?
“BB” i ka kaluar kufijtë e profesioneve apo intelektit. Besoj që pavarësisht profesionit, “BB” është mundësi shumë e mirë, që të hap dyer në sfera të tjera të jetës publike. Ndryshime të shumta po ndodhin në jetën time dhe gjëja e mirë është se të gjitha ndryshimet janë pozitive.
Shumë nga fansat të shihnin ty si fitues të “BB8”, por ti dole pa prekur dot finalen. Si e përjetove largimin?
Mendoj që pavarësisht daljes së parakohshme, unë fansat nuk i kam zhgënjyer. Jo gjithmonë fiton më i miri dhe i duhuri. Në këtë format fitojnë ata që e duan fitoren më shumë, që luftojnë për të më shumë. Ka të tjerë brenda shtëpisë, të cilët kanë nevojë më shumë për ato para sesa unë. Personalisht fitoren time e mora, në një mënyrë ose në një tjetër. Por të mos harrojmë që vetë hyrja në “BB” ishte një fitore e madhe.
Mendon se s’je treguar i hapur sa duhet për një reality-show si “BB”?
I hapur jam treguar mjaftueshëm sa për të përcjellë mesazhin, që në vetvete përmban modelin e mashkullit apo të riut, që i mungon Shqipërisë, Kosovës ose, pse jo Ballkanit, si mentalitet në regres, që jo gjithmonë e vlerësojnë anën njerëzore dhe intelektin për ta jetuar… Aty brenda jetova një realitet, që do të ishte shumë mirë të jetohej edhe jashtë nga të tjerët.
Mos ndoshta të penalizoi lidhja që krijove në shtëpi me Albën? Je tipi egoist që nuk luan dot në çift?
Shumica mendojnë që lidhja mund të më ketë penalizuar. Unë nuk mendoj kështu, se nuk është e vërtetë. Lidhja me Albën më dha mundësinë që ta shijoj këtë “BB” deri në detajet më të vogla dhe ishte gjëja më e bukur dhe më e ëmbël aty brenda. Shumë janë ata, të cilët e përjetojnë “Big Brother”-in, por të pakët, shumë të pakët ata të cilët e përjetojnë një ndjenjë të tillë në shtëpi, që më besoni, sërish po e them, është gjëja më e bukur. Mendoj se lidhja me Albën bëri që njerëzit jashtë të më njohin e njëkohësisht të më vlerësojnë më shumë.
Je shprehur se ka ndjenjë mes teje dhe Albës, por jo dashuri. Si e do me të vërtetë ti dikë, si e percepton dashurinë e madhe?
Ndjenja mes meje dhe Albës është krijuar, është ushqyer dhe rritur aty brenda, saqë i vetëm nuk mundem dot ta përkufizoj me një apo me disa fjalë. Dashuri e madhe është ajo dashuri që jetohet çdo mëngjes si të ishte për herë të parë, dhe çdo mbrëmje si të ishte e fundit. Besoj se e keni parë që unë dhe Alba e kemi përjetuar një gjë të tillë.
E ke njohur mjaftueshëm  Albën sa të hedhësh një hap të rëndësishëm me të, apo të duhet ende kohë?
Besoj se asnjeri nuk e njeh tjetrin mjaftueshëm në asnjë moment të jetës. Albën e njoh pa fund, si anën e saj shpirtërore, emocionale, psikologjike, fizike etj. Por, pavarësisht gjithë kësaj, kemi ende shumë gjëra që duhet t’i ndajmë me njëri-tjetrin, si unë me Albën, ashtu edhe ajo me mua. Duhet ta njohim dhe të përshtatemi në jetën reale tashmë…
E sheh si vajzën me të cilën mund të lidhësh kurorë apo bashkëshortja  jote duhet të jetë ndryshe?
Vajzën e ëndrrave dhe të kurorës unë personalisht nuk e kam paramenduar dhe nuk e kam krijuar si iluzion në mendjen time. Alba është personi që unë e kam pranuar dhe pëlqyer ashtu siç ishte, vetvetja, me tatutë e saj dhe me kokën e rruar, gjëra që në mentalitetin shqiptar një njeri intelektual me titull “Doktor” nuk do i bënte besoj. Unë i vlerësova vyrtytet e saj njerëzore, botën e madhe shpirtërore, pastërtinë dhe çiltërsinë e saj. Nuk lejova që paragjykimi i zhdrejtë të më largonte, por vendosa që gjykimi i drejtë të na bashkonte. Andaj Alba apo cilado vajzë në botë të jetë, që ka në vetvete vlera njerëzore dhe botë të madhe shpirtërore, është e duhura për të qenë përkrah meje.
Duket se nuk e lë veten në dorë të pasionit kur flet për të, pasi shpesh vë në punë logjikën. Të pëlqen që Alba ka rënë kokë e këmbë në dashuri me ty, duke derdhur dhe lot?
Më bën të ndihem i lumtur dhe më i dashur me të, por që po më dhimbset sepse nuk jam afër saj.
Alba e ka shprehur që është tip xheloze, të pëlqen apo të bezdis kjo gjë?
Është mirë që femrat të jenë xheloze, sidomos ndaj mashkullit, për faktin se e bën të ndihet i përkëdhelur dhe i dashur. Por është mirë që të menaxhohet në mënyrën e duhur xhelozia dhe të mos bëhet e dëmshme për lidhjen. Unë kam vënë re se xhelozia e Albës e ka një kufi të caktuar, kështu që e bën lidhjen më të bukur dhe interesante.
Çfarë nuk të pëlqen aspak në tipin e saj, që mund t’ju çojë edhe në ndarje?
Hmm.. Nuk ka diçka që nuk më pëlqen, që mund të na çojë deri te ndarja. Besoj se disa gjëra ia kam thënë aty në shtëpi, që janë temperamenti dhe reagimi i saj i vrullshëm në situata të ndryshme, por nuk janë gjëra që mund të na shkaktojnë probleme në të ardhmen.
Deri ku shkoi intimiteti juaj në shtëpi, përveç puthjeve?
Brenda në shtëpi, ne e kemi ruajtur intimitetin tonë plotësisht, për shkak se të dy mendojmë se është diçka e cila na përket vetëm neve, dhe nuk ka nevojë ta ndajmë me të tjerët. Të dy kemi hyrë në lojë për të bërë lojën dhe për të përfaqësuar veten tonë në mënyrën më të mirë. Për asnjë moment nuk e kemi futur seksin si element për të ecur para në lojë, për t’i shpëtuar nominimit ose për të fituar lojën.
I takove familjarët e Albës kur dole, po familjarët e tu çfarë të thanë?
Ende nuk jam takuar me familjarët e Albës për shkak se u ktheva direkt në Kosovë, por kemi kontaktuar dhe besoj se këtë fundjavë do takohemi. Sa u përket familjarëve të mi, janë ata të cilët më kanë rritur dhe mësuar t’u jap rëndësi vlerave njerzore, që Alba i posedon në vetvete.
U fol se kishe lënë lidhje pezull jashtë shtëpisë. Je sqaruar tashmë me vajzën?
Është thënë që e kam lënë pezull, por që realisht ishte e sqaruar dhe e përfunduar. Si çdo histori në jetën e secilit, kishte rëndësinë e vet në kohën dhe vendin e duhur, por tashmë është e tejkaluar.
Pas daljes të ka propozuar ndonje vajzë e bukur për lidhje?
Jo, propozime nuk kam marrë dhe nuk besoj se nuk do marr, duke pasur parasysh që shumica e vajzave janë konsumuese të çajit dhe kafes (qesh). Nejse ishte pjesë e shakasë, ama vajzën e bukur për propozim unë po e pres të dalë si fituese e “Big Brother 8”.
Thjesht shpreson apo beson se ajo që do ta fitojë “BB” ëshë Alba?
Unë besoj dhe shpresoj shumë që Alba të jetë fituese e këtij edicioni, sepse është personi i vetëm që është vetvetja, dhe e vetmja që u përball me çdo gjë tjetër, si me lojën, me debatet, me dhunën fizike dhe psikologjike. Ajo ka bërë “show” vazhdimisht. Është pikërisht personazhi që duhet të fitojë, sepse e meriton.
Meqë ti dhe Alba ishit në rivalitet me çiftet e tjera, çfarë mendon për Xhensilën dhe Fatjonin?
Për Xhensilën, Fatjonin, Tean, Veselin, mendoj se po bëjnë çdo gjë për të ecur në lojë dhe për të fituar.
Po Tea pas lojës do jetë çift me ndonjërin?
Pas daljes nga shtëpia mund të them se për mendimin tim Tea nuk do jetë çift as me Fisnikun e as me Veselin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura